Kronike
I përfshirë në vrasjen e ish-policit? Policia lëshon urdhër ndalimi për Vinçesk Pirolin
Policia e Shkodrës ka nxjerrë urdhër ndalimi për Vinçesk Pirolin, i dyshuar për përfshirje në vrasjen e ish-efektivit të policisë, Frrok Lleshaj. Lajmi raportohet nga gazetarja Klodiana Lala.
Urdhri vjen vetëm pak ditë pasi Piroli u lirua nga qelia, pas një vendimi të Gjykatës së Apelit, e cila ndryshoi masën e sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie.
Frrok Lleshaj, 65 vjeç, u ekzekutua mbrëmjen e 4 gushtit 2025 në fshatin Paçram të Vaut të Dejës, pranë banesës së tij, ndërsa autorët e vrasjes nuk janë identifikuar ende publikisht. Sipas dyshimeve të grupit hetimor, Vinçesk Piroli mund të ketë lidhje me këtë ngjarje.
Emri i Pirolit është përmendur edhe në një tjetër hetim kriminal. Ai u arrestua në tetor 2026, së bashku me dy persona të tjerë, gjatë operacionit policor “Detajet”, pasi dyshohej se po përgatitej një atentat në zonën e Lezhës.
Më 19 nëntor, Gjykata e Apelit vendosi ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, duke e kaluar në arrest shtëpie. Ndërkohë, hetimet për vrasjen e ish-policit vijojnë, ndërsa pritet të zbardhen arsyet dhe provat që kanë çuar në nxjerrjen e urdhrit të ndalimit për Pirolin.