Pinknews
“Klod”, filmi që bashkoi emigracionin, kinemanë dhe sportin
Historia e Klaudio Ndojës është nga ato histori emigracioni që duhet të jenë pjesë e kinemasë jo si narracion fantazie por realiteti siç është përjetuar.
Dhe vetë Klaudio, ylli i basketbollit shqiptar dhe personazhi i filmit me metrazh të shkurtër “Klod”, duke folur për Anita Likmeta në “The Answare” thotë se ky rrëfim i tij ishte një farë terapie dhe për të.
“Një farë terapie dhe për mua rrëfimi, shpesh me kalimin e viteve kërkon kujtimet dhe u përpoqa të tregoj historinë siç e kisha jetuar unë, jo vetëm histori personale po dhe të tregonim të vërtetën. Nisi si një gjë e vogël, si të gjitha gjërat e mëdha lindin të vogla, me Michelen skenaristi i filmit”, thotë Klaudio.
Ai u largua nga Shqipëria në vitin 1998 në moshën 13-vjeçare dhe përpjekjet kanë qenë mjaft të vështira duke lënë pas vendin amë të sapodalë nga lufta civile e 1997, megjithatë ai rrëfen se integrimi dhe krijimi i një të ardhme në Itali ishte më i vështirë. “Mu desh ta tregoja sepse njerëzit duhet të dinë dhe vlerësojnë por kjo ishte me të vërtetë një punë e shumë njerëzve që besuan në këtë histori dhe se kam thënë të vërtetën”, vijon Klaudio.
Giuseppe Marco Albano rrëfen për Anitën se si është njohur me historinë dhe përse tema e emigracionit është kaq e dashur për të. Së pari ka emigruar vetë, nga jugu në veri të Italisë për studime. Ndërkohë në Puglia, vendi që ka pritur kaq shumë shqiptarë ai thotë se është rritur me fëmijë shqiptarë dhe i njeh vështirësitë e tyre. Megjithatë Giuseppe rrëfen se ideja fillestare ishte e bashkëpunëtorit të tij Angelo Troiano. Mirë një histori emigracioni, por pse basketbolli? Regjisori thotë se dhe ai dhe Angelo janë të apasionuar pas basketbollit dhe se kolegu i tij kishte lexuar librin e Klaudios dhe i lindi ideja për ta bërë një film.
“Ideja e këtij projekti nuk nisi nga mua, gjej rastin të përshëndes Angelon dhe Francescon, por konsultim me kolegët, dhe ideja lindi nga Angelo i apasionuar pas basketbollit, edhe unë gjithashtu kur ishim të vegjël. Njihte historinë e Klaudios, sepse është një tifoz i “Princi Basket”, kishte lexuar librin e shkruar nga Klaudio dhe aty mendoi të bënte një dokumentar”, tha regjisori.
Giuseppe rrëfen se italianët janë të parët emigrantë të mëdhenj në SHBA dhe e njohin mirë çështjen e emigrimit. “Sakrifica e luftës, besimit tek ëndrrat, por dhe të lësh dashuritë, familjen, rrënjët, tokën tënde, shijet etj., histori që kanë mrekulluar regjisorët dhe spektatorët që janë shumë mbi këtë tematikë”, thotë ai.
Gjithmonë kam njohur historitë e mëdha të shqiptarëve vijon Giuseppe dhe “erdhi rasti nga Michele dhe Angelo për ta treguar dhe besojmë se e bëmë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Lexo edhe – “Klod”, një film për yllin shqiptar të basketbollit italian
Mesazhi i Klaudios për bashkëkombësit e tij është se nuk ka bërë asgjë të jashtëzakonshme por ka përdorur dhuntinë që i ka dhënë Zoti, atë të basketbollit dhe ia ka dalë.
Filmi me metrazh të shkurtër “Klod” ka si personazh kryesor basketbollistin shqiptar Klaudio Ndoja, me regji të Giuseppe Marco Albano, produksion i Angelo Troiano dhe Fracesco Lattarulo dhe skenarist Michele Pettene. Historia e Klaudios do të transmetohet në tri episode në “TheAnsware”.