✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Aeroporti i Vlorës, Bardhi ngre pikëpyetje: SPAK të hetojë rolin e Ramës dhe Ballukut

Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i ka kërkuar SPAK-ut të përshpejtojë hetimet për koncesionin e Aeroportit të Vlorës, pas deklaratave të biznesmenit Behgjet Pacolli lidhur me mënyrën se si është zhvilluar procesi i dhënies së tij.

Në një reagim publik, Bardhi pretendon se gara për koncesionin nuk ka qenë mekanizmi real për përcaktimin e fituesit, pasi, sipas tij, ndarja e interesave ekonomike ishte diskutuar paraprakisht në zyrën e ministres Belinda Balluku.

Duke iu referuar intervistës së Pacollit, deputeti i opozitës thotë se para zhvillimit formal të garës janë diskutuar jo vetëm emrat e përfituesve, por edhe përqindjet e aksioneve që do të zotëronte secili prej tyre. Bardhi e konsideron këtë një indicie që ngre dyshime për paracaktimin e përfituesve dhe orientimin politik të koncesionit.

Sipas tij, vendimmarrja është orientuar nga kryeministri Edi Rama dhe administruar nga Belinda Balluku, e cila ka firmosur aktet përkatëse. Këto janë pretendime të ngritura nga Bardhi, bazuar në deklarimet e biznesmenit Pacolli.

Reagimi i plotë i Gazment Bardhit

AFERA E AEROPORTIT TË VLORËS: NJË SKEMË QË KËRKON HETIM TË PLOTË DHE PËRGJEGJËSI PENALE!

Afera e koncesionit të Aeroportit të Vlorës duhet të hetohet pa vonesa, në mënyrë të plotë, të pavarur dhe me profesionalizmin maksimal. Pa ndikim politik, pa standarde të dyfishta dhe pa asnjë kompromis me përgjegjësit.

Këtu nuk bëhet fjalë thjesht për një tjetër rast të dyshuar të korrupsionit që ka rrënuar institucionet e shtetit shqiptar. Këtu bëhet fjalë për shkeljen e ligjit, të Kushtetutës dhe të detyrimeve që Shqipëria ka marrë përsipër në marrëdhëniet kontraktuale me Bashkimin Europian. Në këtë rast kemi të bëjmë edhe me një cenim të rëndë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në. Ky është një regres serioz në rrugën europiane të vendit.

Dua të rikthej në vëmendje dëshminë publike të biznesmenit Behgjet Pacolli, të bërë disa muaj më parë. Sipas kësaj dëshmie, gara nuk ka qenë mekanizmi real për përzgjedhjen e fituesit. Përkundrazi, vendimmarrja për koncesionin dhe ndarja e interesave ekonomike janë diskutuar paraprakisht në zyrën e Belinda Ballukut, ndërsa procedura formale e garës ka shërbyer vetëm si fasadë.

Dëshmia e Pacollit ngre pikërisht dyshimin se koncesioni i Aeroportit të Vlorës është orientuar politikisht nga Edi Rama dhe administruar nga Belinda Balluku, e cila ka firmosur aktet përkatëse. Veçanërisht shqetësuese është pjesa e dëshmisë që lidhet me takimet në zyrën e Belinda Ballukut, ku, sipas Pacollit, diskutoheshin jo vetëm emrat e përfituesve të koncesionit, por edhe përqindjet e aksioneve që do t’i takonin secilit, përpara se procedura të zhvillohej formalisht.

Po aq serioze është edhe dëshmia mbi interesin për të kënaqur partnerin turk në këtë marrëveshje dhe pretendimin se largimi i tij i mëvonshëm do t’u hapte rrugë interesave të tjera private dhe duarve të korrupsionit të Belinda Ballukut në një pasuri strategjike publike. Në këtë rast kemi të bëjmë me një skemë të mirëfilltë të kapjes së një pasurie publike përmes vendimmarrjes politike dhe interesave private.

Dëshmia publike e Behgjet Pacollit përbën një element me rëndësi të veçantë për hetimin e SPAK. Ajo është bërë publike dhe, sipas informacionit të disponueshëm, është administruar edhe zyrtarisht nga organi i akuzës. Megjithatë, mungesa e transparencës mbi ecurinë e hetimit dhe zvarritja e tij kërkojnë një përgjigje institucionale.

SPAK duhet t’u japë përgjigje shqiptarëve:

Në çfarë faze ndodhet hetimi për koncesionin e Aeroportit të Vlorës?

A janë verifikuar plotësisht deklarimet e Behgjet Pacollit dhe dokumentacioni që lidhet me to?

A po hetohet roli i të gjithë personave që kanë marrë pjesë në vendimmarrjen për këtë koncesion, përfshirë Belinda Ballukun dhe Edi Ramëm?

Kur do të dalin përgjegjësit përpara drejtësisë?

Pasuritë publike nuk janë pronë e kryeministrit, e ministrave apo e klientelës së tyre politike dhe ekonomike. Ato janë pasuri e qytetarëve shqiptarë. Nuk mund të ketë integrim europian me standarde europiane në letër dhe me praktika klienteliste në administrimin e pasurisë publike. Nuk mund të ketë barazi para ligjit nëse pushteti politik mbetet i pandëshkuar.

Advertisement