Bota
Alarm në Europë! Rusia synon Moldavinë, agjentë, priftërinj dhe kampe sekrete në Serbi
Një operacion i gjerë rus për të ndikuar në politikën e Moldavisë. Kështu e përshkruan The New York Times një skemë që, sipas zyrtarëve të inteligjencës perëndimore dhe dokumenteve të siguruara nga gazeta, përfshinte para, propagandë, Telegram dhe trajnime të fshehta.
Në qendër të operacionit dyshohet se ishte oligarku moldav Ilan Shor, i cili ndodhet në Rusi. Sipas raportimit, rrjeti i tij përdori Telegramin dhe qindra chatbot-e për të rekrutuar dhjetëra mijëra moldavë dhe për të shpërndarë miliona dollarë para zgjedhjeve.
Një tjetër element i skemës ishte rekrutimi i priftërinjve ortodoksë. Sipas autoriteteve moldave të cituara nga gazeta, disa prej tyre morën pagesa për të përhapur mesazhe kundër integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Por raportimi përmend edhe një kamp trajnimi në Serbi, ku shtetas moldavë dyshohet se u trajnuan për përplasje me policinë, përdorimin e armëve dhe krijimin e kaosit gjatë protestave. Sipas burimeve të cituara, në operacion dyshohet se ishte përfshirë edhe inteligjenca ushtarake ruse, GRU.
Plani synonte të ndikonte në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 dhe të dobësonte qeverinë proeuropiane të Maia Sandut.
Megjithatë, autoritetet moldave ndërhynë me arrestime dhe kontrolle, ndërsa sulmet kibernetike u penguan me ndihmën e partnerëve perëndimorë.
Moldavia ruajti orientimin e saj proeuropian, por sipas “New York Times”, Moska nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për të destabilizuar vendin.
Nga paratë dhe Telegrami, te priftërinjtë dhe kampet e trajnimit në Serbi: raportimi ngre alarmin për një luftë hibride ruse në zemër të Europës. Dhe Moldavia duket se mbetet një nga objektivat kryesore të Moskës.