Aktualitet
AMBASADORI AMERIKAN ZBARKON PAPRITUR NE SPAK
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, ka zhvilluar të shtunën një tjetër vizitë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), këtë herë i shoqëruar nga një delegacion i zgjeruar amerikan, pjesë e të cilit ishin edhe senatorë të SHBA-ve.
Gjatë vizitës, diplomati amerikan u takua me drejtuesin e SPAK-ut, Klodian Braho, si dhe me kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Joni Keta.
Sipas pamjeve të publikuara në media, delegacioni amerikan mbërriti në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku u prit nga përfaqësuesit e institucionit.
Kjo është vizita e dytë e Wendt në SPAK brenda vetëm pesë ditësh, që prej marrjes së detyrës si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Tiranë.
Vizita e parë u zhvillua pesë ditë më parë, ndërsa në pritjen zyrtare të organizuar me rastin e nisjes së mandatit të tij diplomatik ishin ftuar rreth 20 përfaqësues të Strukturës së Posaçme, mes tyre kryeprokurori Braho dhe drejtuesi i BKH-së, Keta.
Një ditë më parë, senatorja demokrate Jeanne Shaheen, anëtarja më e lartë e demokratëve në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, mori pjesë në një aktivitet të Atlantic Council në Tiranë, së bashku me senatorin Dick Durbin.
Gjatë fjalës së saj, Shaheen theksoi rëndësinë e institucioneve demokratike, luftës kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit për të ardhmen e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor.
“Nëse u kërkojmë partnerëve tanë të luftojnë korrupsionin, të forcojnë sundimin e ligjit dhe të sigurojnë konkurrencë të ndershme, edhe sjellja jonë duhet t’i përforcojë këto parime”, deklaroi senatorja amerikane.
Ajo nënvizoi gjithashtu se marrëveshjet e lidhura përmes ndikimit politik nuk përbëjnë bazë për investime të qëndrueshme, duke vënë theksin te transparenca dhe funksionimi i institucioneve.
Megjithatë, deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar mbi përmbajtjen e diskutimeve të zhvilluara në SPAK mes ambasadorit amerikan, delegacionit që e shoqëronte dhe drejtuesve të institucioneve të posaçme.