Connect with us

Bota

Analiza/ A ka Donald Trumpi imunitet presidencial?

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara do të dëgjojë në 25 prill argumentet rreth imunitetit presidencial dhe nëse ish Presidenti Donald Trump mund të dalë në gjyq lidhur me akuzat se ka kryer komplot për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.

Vendimi i organit më të lartë gjyqësor të vendit do të përcaktojë se çfarë rrjedhe do të marrin në një vit zgjedhor disa prej çështjeve në ngarkim të kandidatit të pritshëm republikan për zgjedhjet presidencile të 5 nëntorit. Ish Presidenti Trump përballet me 91 akuza penale në 4 çështje të ndryshme. Mes akuzave është mbajtja me paramendim e dokumenteve tepër sekrete të mbrojtjes kombëtare, në shkelje të Aktit të Spiunazhit.

“Donald Trumpi po përpiqet të tregojë se Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka imunitet nga ndjekja penale për veprime zyrtare gjatë kohës që ka qënë në detyrë”, thotë për Zërin e Amerikës Charles Bullock nga Universiteti i Xhorxhias.

“Megjithatë, besoj se në thelb të kësaj çështjeje ështe se sa gjerësisht i përkufizojnë zoti Trump dhe avokatët e tij aktet zyrtare”, shpjegon ai.

 

 

“Aktualisht, ata japin një përkufizim shumë të gjerë. Trumpi thotë se Presidenti duhet të ketë mbrojtje të plotë për sa kohë është në ushtrim të funksionit zyrtar, por paneli prej tre gjykatësish që vendosi kundër tij shtroi pyetjen, “Po në rast se një President paguan një vrasës për të eleminuar një nga kundërshtarët e tij? A përbën kjo një akt zyrtar dhe a mund të jetë Presidenti imun në këtë rast? Mendoj se të gjithë do të thoshim se “sigurisht që jo”!.

Shumë republikanë vazhdojnë të mbështesin Trumpin

Çështja që do të marrë në shqyrtim këtë muaj Gjykata e Lartë, ku 3 prej 9 anëtarëve saj janë emëruar nga zoti Trump, përfshin akuzat federale se zoti Trump u përpoq të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 duke shpërndarë informacin të rremë dhe duke ushtruar trysni ndaj Nën Presidentit të atëhershëm Mike Pense që të refuzonte rezultatet e ligjshme të zgjedhjeve kur iu paraqitën Kongresit për certifikim.

Certifikimi nga Kongresi i votave të delegatëve zgjedhorë në 6 janar 2021, u ndërpre nga mbështetës të zotit Trump që sulmuan Kapitolin. Për atë sulm, zoti Trump përballet me një tjetër akuzë, atë për përpjekje për të penguar një procedure zyrtare të Kongresit.

Ish-Presidenti Donald Trump argumenton se në kohën kur i ndërmori këto veprime ishte president dhe për këtë arsye nuk mund të ndiqet penalisht.

Në argumentet e depozituara në Gjykatën e Lartë avokatët e tij shkruanin se “Presidenti nuk mund të ushtrojë detyrat e tij dhe institucioni i Presidencës nuk mund të ruajë pavarësinë jetike, në rast se Presidenti përballet me ndjekje penale për aktet zyrtare pas mbarimit të mandatit”.

Një sondazh i revistës “Politico” dhe kompanisë së anketimeve Ipsos tregonte se 70 për qind e votuesve, përfshirë thuajse gjysmën e republikanëve, refuzojnë argumentin e zotit Trump se presidentët duhet të kenë imunitet nga ndjekja penale për krime që i kanë bërë ndërsa mbanin detyrën zyrtare.

Votuesi republikan Jeff Williams nga qyteti Valparaiso në shtetin e Indianës beson se akuzat ndaj zotit Trump tregojnë se ai po vihet në shënjestër në mënyrë të padrejtë nga demokratët.

“Mua më krijohet përshtypja se këto të gjitha janë çështje që i kanë ngritur prokurorë të lidhur me demokratët, në qarqe që anojnë nga demokratët, me shpresën se juritë që anojnë po nga demokratët, do të votojnë kundër Trumpit thjesht dhe vetëm sepse nuk e pëlqejnë”, i tha ai Zërit të Amerikës.

“A mendoj unë se një President duhet të ketë imunitet të plotë përballë ligjit? Në asnjë mënyrë. Por a kam parë ndonjë provë që sugjeron se Presidenti Trump është fajtor përtej një dyshimi të arsyeshëm? Abolutisht jo. Kjo më duket një gjueti shtrigash”, thotë ai.

Votuesja demokrate Deborah Theobald në qytetin Woodstock në shtetin e Xhorxhias thotë se “gjysma e vendit do të duhet të justifikojë votën për një kriminel këtë vit”. Ajo thotë se “nuk e beson dot që po e gjejmë veten në një situate të tillë”.

55 për qind e amerikanëve u përgjigjën në një sondazh të agjencisë së lajmeve Reuters dhe kompanisë së anketimeve Ipsos se nuk do të votonin për Donald Trumpin nëse ai shpallej fajtor për një vepër penale nga një juri, ndërsa 58 për qind thanë se nuk do të votonin për ish-Presidentin nëse ai do të gjendej në burg.

“Nëse një person ka kryer krim ndërsa mbante detyrën, apo ka bërë një krim të rëndë para se të merrte detyrën, atëherë mendoj se duhet të gjykohet si çdo amerikan tjetër”, thotë Rebecca Urrutia, një nënë nga shteti Konektikat, e cila votoi për zotin Trump si në 2016 edhe në 2020.

“Kushdo që thotë se Presidenti duhet të ketë imunitet nga gjykimi për një krim nuk mbron Kushtetutën dhe vendin tonë. Presidenti është një qytetar dhe shërbëtor i vendit tonë, nuk është as mbret, as perandor, dhe nëse shkel ai ligjin, nuk mund të votoj për të”, thotë ajo.

Ndikimi në zgjedhjet e pritshme presidenciale

Është një pike kthese për sistemin e drejtësisë amerikane dhe një moment politik vendimtar për zotin Trump, thotë Robert Collins, profesor mbi politikat publike dhe studimet urbane pranë universitetit “Dillard”.

“Sondazhet kanë treguar se nëse ai shpallet fajtor ose jo ka ndikim të madh për zgjedhjet presidenciale. Por, përtej vendimit që do ketë për këto raste, sa më shumë të zgjasin ato, aq më shumë ka të ngjarë që zoti Trump të shmangë një vendim që e shpall atë fajtor përpara ditës së zgjedhjeve”, thotë zoti Collins.

Votuesit e pavarur kanë rol kritik në ato që njihen si shtete kyçe, shtete ku kandidatët republikanë dhe demokratë gëzojnë thuajse të njëjtin nivel mbështetjeje, dhe më shumë se 1/3 e tyre thanë në anketimin e revistës “Politico” dhe kompanisë Ipsos, se ka më pak të ngjarë të votonin për Trumpin nëse ai do të dënohej.

“Por nëse deri para zgjedhjeve nuk ka vendim gjyqi për dënimin e tij, që mund të ndikonte në votën e zgjedhësve, atëherë votuesit republikanë mund të vazhdojnë ta përkrahin atë (Donald Trumpin). Dhe nëse ai fiton zgjedhjet dhe dënohet pas tyre, atëherë ai mund të thotë se si President në detyrë, ka të drejtën të fali veten. Eshtë një situatë. Rrezikshme”, thotë zoti Collins.

Votuesja nga Melburn në Florida, Jillian Dani, që e mbështeti zotin Trump në vitin 2016 dhe 2020, thotë se rrjedha e çështjeve të tij ligjore do të kenë ndikim të madh për votën e saj në nëntor.

“Nga njëra anë nuk do të votoja për dikë që është dënuar se ka kryer një krim”, i tha zonja Dani Zërit të Amerikës. “Por nga ana tjetër, druaj se kjo është një gjueti shtrigash ndaj dikujt që demokratët ia kanë frikën. Besoj se Clintoni dhe Bideni ishin gjithashtu kriminelë, por nuk u dënuan. Nëse as Trumpi nuk dënohet, atëherë përse duhet të trajtohet ndryshe”, pyet ajo./Voa/

Bota

Rifillon gjyqi penal ndaj ish-presidentit Trump, çfarë pritet të ndodhë

Të martën rifillon gjyqi penal në Nju Jork ndaj ish-presidentit Donald Trump. Rikthehet në bankën e dëshmitarëve bankieri Gary Farro, i cili luajti rol për pagesën prej 130 mijë dollarësh ndaj një aktoreje të filmave pornografikë që pretendonte se kishte patur një natë romantike me ish-presidentin.

Zoti Farro, ish-drejtor në bankën ‘First Republic Bank’ në Nju Jork, përshkroi në përfundim të dëshmisë së tij javën e kaluar se si pati krijuar një llogari në tetor 2016 për Michael Cohen-in, ish-avokat dhe ndërmjetës politik për zotin Trump.

Zoti Cohen ka thënë se e ka përdorur atë llogari për të bërë pagesat për të fituar heshtjen e aktores Stormy Daniels, dy javë përpara zgjedhjeve të vitit 2016, dhe për t’u siguruar që ky informacion nuk do t’i bëhej i ditur votuesve.

Zoti Farro tha se zoti Cohen pati vënë si kolateral vlerën e shtëpisë së tij për të marrë fondet për llogarinë e re. Zoti Cohen ka thënë se e bëri këtë veprim pa ia bërë të ditur bashkëshortes së tij. Ai është dënuar tashmë për shkelje të ligjeve për financimin e fushatave zgjedhore me pagesat për zonjën Daniels dhe pritet të shërbejë si dëshmitari kryesor kundër ish-shefit të tij.

 

 

Pagesa për heshtjen është në epiqendër të akuzave në gjyqin e parë penal ndaj një ish-presidenti amerikan. Prokurorët e akuzojnë zotin Trump për falsifikimin e 34 dokumenteve të biznesit në kompaninë e tij të pronave të patundshme, ‘Trump Organization’, për të fshehur rimbursimin e fondeve që zoti Cohen i pagoi zonjës Daniels që ajo të mos fliste. Ish-presidenti Trump thotë se pagesat ishin për shërbime ligjore të kryera nga zoti Cohen.

Zoti Trump i mohon pretendimet e zonjës Daniels se ata patën marrëdhënie seksuale gjatë një turneu golfi rreth një dekadë përpara zgjedhjeve të vitit 2016.

Donald Trump është tashmë kandidati i pritshëm për president i Partisë Republikane për zgjedhjet e këtij viti. Ai përballet gjithashtu me tre padi të tjera gjyqësore. Në dy prej tyre ai akuzohet se u përpoq të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve që i humbi ndaj rivalit Joe Biden katër vjet më parë. Zoti Trump i ka mohuar të gjitha akuzat.

Për shkak të sfidave ligjore të ngritura nga avokatët e tij ndaj tre padive të tjera, gjyqi në Nju Jork mund të jetë ndoshta i vetmi që zhvillohet përpara zgjedhjeve që mbahen në nëntor.

Dëshmitë në gjyq filluan javën e kaluar. Ndër dëshmitarët ishte David Pecker, ish-botues i revistës tabloid “National Enquirer” dhe mik i hershëm i zotit Trump. Ai i tha jurisë prej 12 anëtarësh gjatë katër ditëve të dëshmisë së tij se pati rënë dakort gjatë një takimi në gusht 2015 në Kullën Trump në Nju Jork me zotin Trump dhe zotin Cohen, se do të bënte çfarë të mundej për ta ndihmuar zotin Trump të fitonte presidencën. Prokurorët i referohen takimit si “konspiracioni i Kullës Trump”.

Zoti Pecker tha se publikoi artikuj në mbështetje të zotit Trump dhe nxiti artikujt negativë për kundërshtarët e tij.

Zoti Pecker tha se i pagoi 150 mijë dollarë modeles së revistës Playboy, Karen McDougal, për të siguruar mospublikimin e pretendimit të saj për një marrëdhënie njëmujore me zotin Trump në vitin 2006. Zoti Trump e ka mohuar marrëdhënien, por zoti Pecker dëshmoi se zoti Trump e quajti në një moment zonjën McDougal “një vajzë të mirë”. Pasi u bë president, zoti Pecker tha se zoti Trump e pyeti për gjendjen e saj, gjatë një vizite në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2017.

Gjithashtu, zoti Pecker tha se i pagoi 30 mijë dollarë një roje në hyrjen e Kullës Trump për të siguruar heshtjen e tij për pretendimin fals se zoti Trump kishte një fëmijë jashtë martese.

Prokurorët nuk kanë bërë të ditur se kush do të jetë dëshmitari i tyre pas zotit Farro. Gjyqi mund të zgjasë edhe pesë javë të tjera përpara se juria të mund të fillojë shqyrtimin e çështjes. Dëshmitë janë planifikuar të bëhen katër ditë në javë, me përjashtim të të mërkurave, por u anuluan për këtë të hënë.

Ndërkohë, gjykatësi që mbikëqyr çështjen, Juan Merchan, vendosi gjithashtu të enjten se zoti Trump ka shkelur urdhrin e gjykatës që e ndalon të sulmojë dëshmitarët e mundshëm. Gjykatësi vendosi gjobën 9 mijë dollarë ndaj ish-presidentit për shkelje nëntë herë të urdhërit të gjykatës, si dhe urdhëroi heqjen e mesazheve në rrjetin social Truth Social, si dhe nga faqja në internet e fushatës elektorale të zotit Trump, deri në orën 2:15 të pasdites.

Ish-presidenti Trump mohon të ketë bërë ndonjë shkelje dhe pretendon se urdhri shkel të drejtën e tij të shprehjes dhe aftësinë për t’u mbrojtur, ndërsa po kandidon sërish për president./Voa

Continue Reading

Bota

Zelensky: Ukraina do të anëtarësohet në NATO vetëm pasi të fitojë luftën kundër Rusisë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se beson se vendi i tij do të anëtarësohet në NATO vetëm pasi të fitojë luftën kundër Rusisë.

Ndërsa vizitoi Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare në kryeqytetin Kiev së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Zelenskyy tha “Për mendimin tim personal, ne do të jemi në NATO vetëm kur të fitojmë. Nuk besoj se do të pranohemi në NATO gjatë luftës. Për disa, ky është një rrezik, për disa, është thjesht skepticizëm,” tha Zelenskyy gjatë një takimi me oficerët në universitet të hënën.

Duke treguar se çështja e pranimit të Ukrainës në NATO është një çështje politike dhe jo një vendim i bazuar në përputhshmërinë e Kievit me standardet e aleancës, Zelenskyy tha se nevojitet një fitore që Kievi të përfshihet politikisht.

“Unë besoj se një nga arsyet pse ka një luftë është sepse ne nuk ishim në aleancë më parë,” tha më tej Zelenskyy, duke shtuar se Rusia ka punuar shumë me partnerët e Ukrainës shumë vite më parë në mënyrë që Kievi të mos pranohet në NATO dhe BE-së.

Nga ana e tij, Stoltenberg tha se është e nevojshme që të 32 anëtarët e NATO-s të bien dakord për të ftuar një vend të ri për tu bërë anëtar i aleancës, por se ata aktualisht nuk kanë një konsensus të tillë. Më herët të hënën, Stoltenberg mbërriti në Kiev për një vizitë të paparalajmëruar, gjatë së cilës ai zhvilloi bisedime me Zelenskyy dhe iu drejtua Verkhovna Rada, parlamenti i Ukrainës.

Continue Reading

Bota

“Përbën kërcënim!”/ Pas SHBA, TikTok mund të ndalohet edhe në Europë

    

BE nuk e ka përjashtuar mundësinë e ndalimit të TikTok, aplikacioni i cili është në pronësi kineze, ka deklaruar presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. Zyrtarja, e cila po kërkon një mandat tjetër në qershor, pohoi se platforma e videove përbën “një kërcënim”.

Të mërkurën e kaluar, presidenti amerikan Joe Biden nënshkroi një ligj që kërkon që pronari i TikTok me bazë në Kinë, ByteDance, të shesë platformën ose të ndalohet nga SHBA. Gjatë viteve të fundit, udhëheqësit si në SHBA ashtu edhe në BE kanë bërë pretendime të shumta në lidhje me shkeljet dhe shkeljet e supozuara të sigurisë nga ana e TikTok, e cila i ka mohuar akuzat.

E pyetur gjatë debatit të Mastrihtit të hënën nëse BE do të ndalonte TikTok nëse SHBA vazhdon me masën, von der Leyen tha: “Nuk përjashtohet sepse komisioni ishte institucioni i parë në mbarë botën që ndaloi Tik Tok në telefonat tanë të korporatave. ”

“Ne e dimë saktësisht rrezikun e Tik Tok,” shtoi ajo, duke vënë në dukje se komisioni “ka bërë shumë për të rregulluar … për t’u siguruar që platformat të marrin përgjegjësinë për përmbajtjen që ofrojnë”.

Continue Reading

Bota

Tragjike/ Sulm me shpatë në një stacion metroje, humb jetën një 14 vjeçar

Një djalë 14-vjeçar ka humbur jetën pasi u sulmua për vdekje nga një burrë 36-vjeçar në një stacion metroje në veri-lindje të Londrës të martën në mëngjes.

Autori 36-vjeçar dyshohet se ka sulmuar një turmë me shpatë, duke plagosur pesë persona. 

Mes tyre ishte edhe një djalë 14-vjeçar, i cili u dërgua në spital, por nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të marra. Gjithashtu, dy punonjës policie janë shtruar në spital me lëndime të rënda, të cilët kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale, por jeta e tyre është jashtë rrezikut. 

Autori 36-vjeçar u arrestua pas sulmit, pasi ai u pa duke ecur në rrugë me shpatë, sipas njoftimeve të policisë. 

Rrethanat rreth sulmit janë duke u hetuar, por nuk besohet të ketë lidhje me “ndonjë akt terrorist”, shkruan BBC.

Continue Reading

Bota

Ushtria ruse hedh në erë “Kështjellën e Harry Potter” në Odesa, katër të vrarë e 32 të plagosur

Katër persona u vranë dhe 32 janë plagosur në një sulm me raketa ruse në atë që vendasit e quajnë “Kështjella e Harry Potter” në portin jugor të Ukrainës, Odesa.

Ndërtesa është rezidenca e ish-deputetit të shquar Serhiy Kivalov, i cili u plagos në grevë, sipas mediave ukrainase. Sipas BBC ndërtesa strehonte Akademinë Juridike Odesa, e cila drejtohet nga z. Kivalov.

Në një postim në aplikacionin e mesazheve Telegram, zoti Kiper tha se një nga fëmijët e plagosur është një djalë 12-vjeçar dhe se goditja dëmtoi disa shtëpi dhe i vuri flakën një ndërtese të madhe që ai tha se ishte një akademi.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING