✦
Thinking ...
Connect with us

Kronike

RRITET BILANCI I VIKTIMAVE NGA ATENTATI NE FIER

Atentati i rëndë në Fier merr një tjetër jetë, shkon në dy numri i viktimave. Jakup Hasani, 47-vjeçari që mbeti i plagosur rëndë gjatë sulmit me armë zjarri ku u vra xhaxhai i tij, Selami Hasani, ka ndërruar jetë në spital, pavarësisht ndërhyrjes kirurgjikale dhe përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë.

Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e së hënës, në lagjen “1 Maji” të qytetit të Fierit, ku persona të armatosur qëlluan me armë zjarri në drejtim të Selami Hasanit, i njohur edhe me nofkën “Sel Çami”, dhe nipit të tij, Jakup Hasani.

Si pasojë e të shtënave, Selami Hasani humbi jetën në vendngjarje, ndërsa 47-vjeçari mbeti i plagosur rëndë dhe u transportua me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit.

Jakup Hasani kishte marrë tre plumba në trup dhe për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Pas operacionit, ai u vendos në repartin e reanimacionit, ku qëndroi nën kujdesin e vazhdueshëm të bluzave të bardha.

Megjithatë, pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, 47-vjeçari nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në spital.

Me këtë zhvillim, atentati i ndodhur në lagjen “1 Maji” në Fier regjistron dy viktima, xhaxhanë dhe nipin e tij.

Ngjarja e rëndë ka tronditur qytetin e Fierit, ndërsa rrethanat dhe motivet e atentatit mbeten për t’u zbardhur nga hetimet e autoriteteve.

Advertisement