Kronike
ME MAKINE TE BLINDUAR DHE ARME, KATER NE PRANGA, MES TYRE DY USHTARAKE DHE NJE GARDIST
2 ushtarakë dhe një gardist janë vënë në pranga në Tiranë, bashkë me një person tjetër, pasi qarkullonin me makinë të blinduar dhe armë.
Gjatë kontrollit të ‘Audit’ pranë stadiumit “Arena Kombëtare”, policia ka gjetur një çantë të zezë në pjesën e pasme, brenda së cilës ndodhej një pistoletë. Arma u sekuestrua bashkë me një fenelinë policie që mendohet t’i përkiste Ilir Shytit, djalit të Roland Shytit, i njohur si ‘Mustaqekuqi’.
Në pranga kanë rënë edhe dy ushtarakët, Leonard Murataj, 42 vjeç dhe Ernest Selmani, 46 vjeç. Gardistit 40-vjeçar Erion Rama iu gjet edhe arma e shërbimit, e cila i është nënshtruar verifikimeve nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
Rama dhe dy ushtarakët që shoqëronin Shytin, kanë mohuar se kishin dijeni për pistoletën brenda çantës.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Qarkullonin me armë zjarri në automjet, vihen në pranga 4 shtetas, mes tyre 2 ushtarakë dhe një punonjës i Gardës së Republikës.
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, gjatë kontrolleve të ushtruara pranë stadiumit “Arena Kombëtare”, kanë konstatuar një automjet të markës “Audi”, me të cilin qarkullonin 4 shtetas.
Gjatë kontrollit të automjetit të blinduar, në një çantë të zezë, të vendosur në pjesën e pasme të tij, u gjet një armë zjarri pistoletë.
Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik të drejtuesit të automjetit, shtetasit E. R., 40 vjeç, punonjës i Gardës së Republikës, iu gjet një armë zjarri pistoletë.
Në përfundim të veprimeve të para procedurale, u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, i shtetasve E. R., 40 vjeç, punonjës i Gardës së Republikës, I. Sh., 28 vjeç, L. M., 42 vjeç, ushtarak, dhe E. S., 46 vjeç, ushtarak.
Arma e zjarrit e gjetur në automjet u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me një fenelinë, si ato të policisë, që dyshohet se e mbante shtetasi I. Sh. Ndërsa, për armën e zjarrit që iu gjet gjatë kontrollit fizik punonjësit të Gardës së Republikës, po kryhen verifikime nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore të secilit shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.