✦
Thinking ...
Connect with us

Kronike

EKZEKUTUAN DY PERSONA, KAMERAT E SIGURISE ZBULOJNE DY NJEREZ TE MASKUAR PRANE BANESES

Atentati i rëndë në Fier merr një tjetër jetë, ndërsa shkon në dy numri i viktimave. Jakup Hasani, 47-vjeçari që mbeti i plagosur rëndë gjatë sulmit me armë zjarri ku u vra xhaxhai i tij, Selami Hasani, ka ndërruar jetë në spital, pavarësisht ndërhyrjes kirurgjikale dhe përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë.

Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e së hënës, në lagjen “1 Maji” të qytetit të Fierit, në oborrin e banesës së Selami Hasanit, 60 vjeç, i njohur edhe me nofkën “Sel Çami”. Persona të armatosur hapën zjarr në drejtim të tij dhe nipit të tij, duke shkaktuar vdekjen e 60-vjeçarit në vendngjarje dhe plagosjen e rëndë të 47-vjeçarit.

Jakup Hasani kishte marrë tre plumba në trup dhe u transportua me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Pas operacionit, ai u vendos në repartin e reanimacionit, nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të bluzave të bardha, 47-vjeçari nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra.

Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e plotë të atentatit kanë nxjerrë në dritë edhe detaje të reja. Nga këqyrja paraprake e pamjeve të kamerave të sigurisë pranë banesës së viktimës, dyshohet se janë konstatuar dy persona të maskuar, të veshur me rroba të zeza dhe me kapuça.

Sipas informacioneve paraprake, dy personat janë parë në afërsi të banesës së Selami Hasanit dhe dyshohet se mund të kenë lidhje me ngjarjen e rëndë. Megjithatë, deri më tani identiteti i tyre dhe përfshirja konkrete në atentat nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.

Policia vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të dinamikës së atentatit dhe motiveve që çuan në ekzekutimin e 60-vjeçarit.

Me vdekjen e Jakup Hasanit, bilanci i sulmit me armë zjarri në Fier shkon në dy viktima. Hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe provat e mbledhura në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.

Advertisement