Politike
BE-ja riafirmon mbështetjen për energjinë dhe transportin në Shqipëri
Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka riafirmuar mbështetjen e BE-së për zhvillimin e sektorëve të energjisë dhe transportit. Deklarata u bë gjatë një takimi me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.
Në fokus të takimit ishte bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian në këta dy sektorë, të cilët konsiderohen të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe afrimin e vendit me tregun evropian.
“Lidhjet energjetike dhe ato të transportit janë dy elemente kyçe që nxisin rritjen ekonomike dhe e afrojnë Shqipërinë me tregun e BE-së”, deklaroi Moreira de Sousa.
Ambasadorja tha se takimi me ministrin Karakaçi shërbeu edhe për të konfirmuar vijimësinë e angazhimit të Bashkimit Evropian në këto fusha.
“Takimi i sotëm me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ishte një mundësi për të riafirmuar se BE-ja mbetet një partner i fortë dhe i qëndrueshëm në të dy këta sektorë”, u shpreh ajo.
Deklarata e ambasadores thekson rëndësinë që Bashkimi Evropian i kushton ndërlidhjes në fushën e energjisë dhe transportit, në kuadër të afrimit ekonomik të Shqipërisë me tregun e përbashkët evropian.