Connect with us

Aktualitet

BE miraton paketën e tretë ushtarake për Shqipërinë

Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar paketën e tretë dypalëshe të mbështetjes për Forcat e Armatosura Shqiptare në kuadër të Instrumentit Evropian për Paqen (EPF), me një vlerë prej 21 milionë eurosh.

Me këtë vendim, mbështetja totale e Bashkimit Evropian për Shqipërinë në fushën e mbrojtjes arrin në 49 milionë euro, duke synuar forcimin e kapaciteteve dhe aftësive operacionale të FA-ve.

Sipas Këshillit të BE-së, paketa e re plotëson mbështetjen e mëparshme dhe synon të rrisë aftësinë e ushtrisë shqiptare për t’u dislokuar në mënyrë të shpejtë dhe efektive, si dhe për të kontribuar më shumë në operacionet dhe misionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të Bashkimit Evropian (CSDP), si edhe në koalicionet ndërkombëtare.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, e cilësoi Shqipërinë një partner të afërt dhe të besueshëm në fushën e sigurisë.

“Shqipëria është një partner i afërt dhe i besueshëm në politikën e jashtme dhe të sigurisë, kontribuues aktiv në operacionet e Bashkimit Evropian dhe aleat i përkushtuar në NATO. Forcimi i bashkëpunimit tonë për sigurinë dhe mbrojtjen me Shqipërinë forcon drejtpërdrejt stabilitetin, sigurinë dhe paqen evropiane”, deklaroi Kallas.

Sipas vendimit të miratuar, Bashkimi Evropian do të furnizojë Forcat e Armatosura Shqiptare me automjete të lehta shumëfunksionale të blinduara, mjete taktike dhe inxhinierike, si dhe pajisje dhe shërbime mbështetëse, përfshirë trajnim operacional dhe mirëmbajtjeje.

Masa e parë dypalëshe për Shqipërinë u miratua në korrik 2024 me vlerë 13 milionë euro, ndërsa e dyta në korrik 2025 me vlerë 15 milionë euro.

Advertisement