Politike
BEGAJ E RAMA UROJNE PRESIDENTEN E RE TE KOSOVES
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës.
Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Begaj i ka përcjellë urimet e tij presidentes së re të Kosovës, duke theksuar bashkëpunimin mes dy vendeve përballë sfidave dhe në rrugën drejt integrimit evropian.
“Urime të përzemërta, znj. Justina Shiroka-Pula, për zgjedhjen si Presidente e Republikës së Kosovës! Në çdo sfidë dhe në çdo hap drejt së ardhmes evropiane, Shqipëria dhe Kosova do të jenë bashkë”, shkruan Begaj.
Në përmbyllje të mesazhit, kreu i shtetit shqiptar i ka uruar suksese presidentes së re të Kosovës, duke e shoqëruar urimin me një mesazh për Kosovën dhe shqiptarët.
“Urime Presidente! Zoti e bekoftë Kosovën dhe shqiptarët kudo ku janë!”, përfundon mesazhi i Presidentit Begaj.
Edhe Kryeministri Rama, ka uruar Justina Shiroka-Pulën pas zgjedhjes së saj në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës.
Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Rama e cilësoi Shiroka-Pulën si një akademike të mirënjohur, ndërsa vuri në dukje se ajo merr drejtimin e Presidencës në një periudhë sfiduese jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin dhe Evropën.
Kryeministri e përmbylli mesazhin duke i uruar presidentes së zgjedhur mbarësi dhe sukses gjatë mandatit të saj.
“Urime të përzemërta akademikes së mirënjohur, zonjës Justina Shiroka – Pula, për zgjedhjen Presidente e Republikës së Kosovës, në një fazë sfiduese për Kosovën dhe në një kohë sfiduese për krejt rajonin tonë e për vetë Europën. Mbarësi e sukses për ju dhe Kosovën zonja Presidente”, shkruan Rama.