Politike
PS nis mobilizimin për 9 majin/ Koçiu: Duam të kthejmë edhe ata që janë zhgënjyer
Albana Koçiu ka nisur mobilizimin e strukturave socialiste në Tiranë për zgjedhjet vendore të 9 majit, duke kërkuar bashkim dhe afrimin e figurave të reja në parti. Gjatë Asamblesë së PS-së për Tiranën, drejtuesja politike dhe njëherësh zv.kryeministrja u bëri thirrje socialistëve të angazhohen në një organizim të përbashkët, duke deklaruar se dera e partisë do të jetë e hapur edhe për ata që janë larguar apo janë zhgënjyer nga drejtimi i saj.
Koçiu tha se përgjegjësinë për drejtimin politik të Tiranës do ta ndajë me Ervinin, ndërsa paralajmëroi takime me strukturat socialiste dhe qytetarët në çdo njësi administrative. Sipas saj, objektivi është rikthimi i komunikimit me bazën dhe dëgjimi i shqetësimeve të atyre që kanë pasur pakënaqësi me partinë.
Një vëmendje të veçantë në fjalën e saj Koçiu i kushtoi afrimit të grave në strukturat socialiste dhe fuqizimit të rolit të tyre në vendimmarrje. Ajo kërkoi përfshirjen e grave intelektuale, amvisave dhe të rejave, duke theksuar se zëri i tyre duhet të ketë më shumë peshë në organizimin e partisë.
“Të dashur miq, kjo është përshëndetja ime e parë në fakt në cilësinë e bashkëkryetares së Tiranës dhe për hir të së vërtetës do dua që me të gjithë ju të ndaj peshën e përgjegjësisë për besimin e dhënë dhe për angazhimin që do duhet të kemi së bashku të gjithë kështu si një skuadër e madhe për fitoren e majtë për zgjedhjet e pushtetit vendor për bashkinë e Tiranës. Përgjegjësinë e ndaj në fakt së bashku me Ervinin dhe të dy së bashku do të japim besën për të qenë në çdo organizatë socialiste, me çdo socialist të vërtetë, por dhe me ata që janë mërzitur nga ne për t’i dëgjuar në çdo hall, në çdo shqetësim dhe për të lidhur sërish besën për të qenë të pranishëm, për të dëgjuar jo vetëm shqetësimet, por dhe sugjerimet e tyre.
Ashtu siç edhe kryetari, kryeministri Rama e tha, ne duhet të ndryshojmë mënyrën e organizimit të Partisë Socialiste në territor. Do ta bëjmë këtë bashkë duke qenë prezent derë më derë, duke përfshirë çdo komunitet, çdo shtresë, sepse Partia Socialiste është një derë e hapur për të gjithë. Nisma që do të prezantojmë pak më vonë në fakt edhe e dëshmon këtë. Dera e hapur është për këdo që mendon që ka një zë në komunitet, që mendon se përfaqëson më së miri komunitetin e tij, ka dëshirë të jetë aktiv në politikat publike. E për këtë qëllim ne me organizatat tona socialiste do bëjmë të mundur që të mos lëmë askënd i cili ka një mendim, një sugjerim të vlefshëm për të përmirësuar qytetin tonë. Ndërkohë nga ana tjetër nuk do të lija pa përmendur këtu dhe forcën e jashtëzakonshme të grave socialiste. Kudo ku unë kam patur eksperiencën time si drejtuese politike në njësinë 11 në Laprakë, në njësinë 6 në Kombinat, kam vënë re një energji të jashtëzakonshme të grave. Gratë në Partinë Socialiste kanë qenë gjithmonë të mirëpritura. Kjo falë edhe vizionit të kryetarit Edi Rama për t’i hapur dyert jo vetëm në organizimet e partisë, por në qeverisje, në vendimmarrje, në politika publike. Do vazhdojmë ta bëjmë këtë së bashku. Do vazhdojmë t’i fuqizojmë gratë, të dëgjojmë zërin e tyre. Gratë janë të domosdoshme për të vendosur atë ekuilibrin në organizatat tona. Për këtë qëllim ne do duhet që bashkarisht të vijojmë dhe të afrojmë sa më shumë gra intelektualesh, shtëpiake, ato të cilat përkujdesen çdo ditë për familjen e tyre, sepse me zërin e tyre, me përgjegjësinë dhe me vetëmohimin dhe sakrificën, jam e sigurt që do të na japin një vlerë të shtuar akoma më shumë. Ne sot kemi një organizim në fakt partiak me bashkëkryetarë, një grua, një burrë. Do të vijojmë ta bëjmë këtë.
Por ndërkohë nga ana tjetër do të doja që edhe brenda qelizave të Partisë Socialiste të vijonim të afronim gratë, të afronim të rinjtë, të dëgjojmë zërat e tyre, sepse mendoj kështu ne do të fuqizojmë akoma më shumë atë dimensionin e organizatave tona për t’i bërë të mundura që t’i kemi më pranë nevojave, halleve, shqetësimeve të qytetarëve të Tiranës. Nga java që vjen do të nisim në fakt një kalendar intensiv takimesh. Nuk do të jemi në zyra, do të jemi në terren, ashtu siç e thashë, derë më derë. Do na duheni ju të gjithë bashkë, do na duhen drejtuesit politikë, do na duhen deputetët. Tirana për hir të së vërtetës ka ekipin më të mirë të organizimit edhe për faktin që është Tirana e 1 milion banorëve, e shumë komuniteteve. Kështu që jam e bindur që të gjithë së bashku do bëjmë më të mirën maksimumin së bashku me Ogertën, së bashku me Ervinin për Tiranën 2030. Shumë faleminderit. Suksese të gjithëve!”, tha Koçiu.