✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Berisha ngre akuza për SHISH dhe AKSHI-n: U survejuan kundërshtarë të Ramës në PS

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ngritur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni. Berisha pretendon se Hyseni është përdorur për survejimin e kundërshtarëve politikë në opozitë, si edhe të kundërshtarëve të Ramës brenda Partisë Socialiste.

Ai ka ngritur gjithashtu pretendime për përdorimin e SHISH-it dhe Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) në regjistrime të paligjshme dhe në sigurimin e të dhënave shtetërore, përfshirë të dhëna nga sistemi TIMS. Sipas Berishës, këto të dhëna u janë përcjellë organizatave kriminale dhe personave që ai i cilësoi si “armiq të Shqipërisë”.

Berisha e lidhi Hysenin me grupin e Ergys Agasit dhe pretendoi se emërimi i saj në krye të SHISH-it lidhej me arsyet e largimit të saj nga drejtimi i shërbimit informativ të Kosovës. Këto akuza u paraqitën nga Berisha në deklaratën e mëposhtme:

“Edi Rama ka përdorur Vlora Hysenin dhe institucionin që ajo ka drejtuar në funksion të karteleve të drogës, organizatave kriminale dhe kundër interesave të vendit. Ka përdorur Vlora Hysenin për survejimin e opozitës shqiptare.

Ka përdorur Vlora Hysenin për survejimin e kundërshtarëve të tij brenda Partisë Socialiste. Janë bërë me qindra e qindra regjistrime të paligjshme ndaj opozitarëve.

Vlora Hyseni rezulton anëtare e grupit të strukturuar kriminal më të rrezikshëm të Evropës, grupit të Ergys Agasit, i cili ka përdorur AKSHI-n dhe Vlora Hysenin për të regjistruar opozitarët në kundërshtim me Kushtetutën, si dhe për të regjistruar shërbimet dhe misionet diplomatike në shkelje flagrante të Konventës së Vjenës, me qëllim që t’ua transmetonte të dhënat armiqve të Shqipërisë”, u shpreh Sali Berisha.

Advertisement