Connect with us

Kosova

“Bosi është Demaçi”/ Çfarë kanë folur Thaçi, Veseli dhe Selimi me vizitorët (Përgjimet)

Bazuar në transkriptet nga përgjimet, të tre të akuzuarit kanë keqpërdorur vizitat që u janë lejuar në Qendrën e Paraburgimit në Hagë për të çuar mesazhe te dëshmitarët dhe familjarët e tyre, mes të cilave edhe për ta prezantuar Adem Demaçin si njeriun kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjykatës Speciale i është kërkuar që t’ua ndalojë tre të akuzuarve edhe vizitat e edhe komunikimet me jashtë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë ka publikuar të enjten kërkesën adresuar Gjykatës Speciale për t’ua kufizuar ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryekuvendarit Kadri Veseli dhe ish-deputetit Rexhep Selimi vizitat në Qendrën e Paraburgimit, si dhe komunikimet me jashtë, por edhe me njëri-tjetrin

Sipas organit të akuzës, ata kanë shkelur urdhrat e trupit gjykues, duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur apo duke e shpërndarë përmbajtjen e dëshmisë konfidenciale për personat që i vizitojnë. Nga ZPS-ja është pretenduar se ata deri më tash i kanë shfrytëzuar vizitat për të çuar mesazhe te dëshmitarët dhe familjarët e tyre.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi kanë shkelur urdhrat e Trupit Gjykues, duke zbuluar identitetet e dëshmitarëve të mbrojtur dhe kanë shpërndarë përmbajtjen e dëshmive konfidenciale te personat që i vizitojnë ata në Qendrën e Paraburgimit. Hetimet e Prokurorisë së Specializuar kanë zbuluar gjithashtu përpjekje të mëtejshme për të penguar procesin, duke përfshirë dhënien e udhëzimeve se si dëshmitarët duhet të dëshmojnë dhe planifikimi i qasjeve ndaj dëshmitarëve”, thuhet në kërkesë.

Bashkë me kërkesën për pezullimin e vizitave për ta, Prokuroria ka publikuar edhe transkripte që, sipas saj, janë nga bisedat me të tjerët që kanë realizuar Thaçi, Veseli e Selimi.

“Në bazë të autorizimit gjyqësor nga gjyqtari i vetëm, PSP-ja ka regjistruar në mënyrë të fshehtë vizitat e tre të akuzuarve në Qendrën e Paraburgimit”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Bazuar në të, bashkëbiseduesve u janë dhënë instruksione se çfarë duhet të thonë dëshmitarët para gjykatës, mes të cilave edhe të tilla për ta paraqitur Adem Demaçin si njeriun kryesor në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Ai duhet të përgjigjet shkurt… ‘Bosi ka qenë Demaçi’, këtë duhet ta thotë qartë. Thuaji: ‘Po vjen këtu, dil nga ky vend hero. Mos dil i turpëruar’”, thuhet në transkriptin e publikuar nga biseda e ish-presidentit Thaçi.

Gjatë seancave të kaluara, të paktën dy dëshmitarë kanë thënë që ata kanë pasur respekt të veçantë për Demaçin dhe se ai ka qenë një person me autoritet dhe të cilit i kanë besuar.

Prokuroria ka kërkuar që Thaçi, Veseli e Selimi të mund të komunikojnë vetëm me anëtarë të ngushtë të familjeve të tyre dhe të gjitha këto komunikime të monitorohen nga dikush që e flet gjuhën shqipe dhe që të mos kenë vizitorë të përbashkët.

“Masat e kërkuara janë të nevojshme për të adresuar rrezikun konkret për: (a) përpjekje të paligjshme për të ndërhyrë te dëshmitarët dhe për të penguar dëshminë e tyre; (b) shpërndarjen nga Qendra e Paraburgimit të informacionit të dëshmitarëve të mbrojtur, duke përfshirë dëshmitë konfidenciale të dhëna për këtë rast; dhe (c) kërcënime të mëtejshme ndaj integritetit të procedurës”, është thënë në kërkesën e Prokurorisë Speciale.

Prokuroria ka pretenduar se Thaçi dhe Veseli në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë udhëzuar një person që i pati vizituar ata në Hagë që ta caktojë dikë për t’ia përcjellë një mesazh familjes së një personi, emri i të cilit nuk është bërë publik.

“Njëri nga dëshmitarët në këtë çështje, identiteti i të cili i ishte zbuluar të akuzuarit më 30 janar 2023, raportoi se në mars 2023, kishte qenë i kontaktuar nga dikush, vetëm disa javë para se ai të nisë dëshminë. Kur ishte kontaktuar nga Individi 1, një personit (i redaktuar) i është thënë që Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli i kanë dhënë udhëzim të drejtpërdrejtë një personi, i cili i ka vizituar ata në Hagë, që të caktojë një person që të çojë një mesazh te familja e një personi (i redaktuar)”, thuhet në njërën nga pikat e kërkesës.

Sipas Prokurorisë, tre të akuzuarit, nëpërmjet vizitorëve kanë kërkuar që të mos dëshmohet ose të zbuten faktet ndaj tyre, nën justifikimin se kjo është “për të mirën e vendit”. Në kërkesë është theksuar po ashtu se një dëshmitari tjetër i është kërkuar që t’i tërheqë deklaratat e dhëna.

Në këtë dosje është theksuar se, gjatë vizitave, të arrestuarit veçse dyshonin që mund të ishin duke u përgjuar dhe shpesh kanë pëshpëritur, kanë lëshuar muzikë gjersa flisnin me vizitorët dhe janë përfshirë në biseda shumë palë njëkohësisht.

“Ishte praktikë që të ndaluarit, e paplanifikuar, të jenë prezent në vizita për të cilat nuk ishin të autorizuar. Veseli ka qenë prezent në disa vizita që u janë bërë Thaçit dhe Selimit gjatë korrikut dhe gushtit 2023”, thuhet tutje në dosje.

Në transkripet e publikuara është paraqitur një pjesë e bisedës së pretenduar të Selimit me një vizitor, gjatë së cilës tregohet se nga cili vend është një nga dëshmitarët.

Një komunikim që i përshkruhet Thaçit përmban instruksione se si të përgjigjet një dëshmitar në pyetje. Ai udhëzohet që t’i përdorë fjalët: “Nuk e di; nuk më kujtohet” ose “Çfarë shërbimi inteligjent mor burrë!”. Prokuroria ka pretenduar se Thaçi ka komunikuar edhe me një person, i cili i ka thënë se është takuar me së paku dy dëshmitarë para se ata të dalin para gjykatës.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka pretenduar që këto shqetësime janë të bazuara mirë, që tre të akuzuarit janë duke u përfshirë aktivisht në sjellje të jashtëligjshme dhe që, sipas saj, është përcaktuese për sigurinë dhe mirëqenien e dëshmitarëve.

ZPS-ja më 30 shtator të 2022-tës e ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Jakup Krasniqit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, të cilat i ngarkojnë ata për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Prokuroria pati dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, në të cilën pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetisht.

Më 9 nëntor të 2020-s, në paraqitjet e tyre të para para Dhomave të Specializuara, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor të vitit 2020./KOHA

Kosova

Zyrtare, anëtarësimi i Kosovës në KiE nuk përfshihet në agjendën e Komitetit të Ministrave

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk është përfshirë në agjendën e Komitetit të Ministrave të kësaj organizate, që do të mblidhet këtë javë.

Kështu ka thënë zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Kreshnik Ahmeti, përmes një postimi në Facebook.

Ahmeti ka thënë se pavarësisht mbështetjes që gëzon Kosova për anëtarësim në Këshillin e Evropës – organizatën lidere në fushën e të drejtave të njeriut – janë disa vende që kërkojnë prej Kosovës të pranojë “draft statutin e [të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi] Miroslav Lajçakut për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ta dërgojë atë në Gjykatë Kushtetuese, në një mënyrë që është e pranueshme për Gjykatën”.

Ka gjasë që ky votim të shtyhet. Shtyrja eventuale vjen si rezultat i ngatërrimit të dy proceseve të pavarura, me ç’rast Këshilli i Evropës po shfrytëzohet si levë presioni mbi Kosovën për ta pranuar draft statutin e Lajçakut dhe për ta dërguar atë në Kushtetuese, në shpërputhje gjithashtu edhe me procesin e dialogut në Bruksel”, ka thënë mes tjerash Ahmeti.

Sipas tij, kërkesa për Asociacionin nuk të bëjë aspak me vlerat dhe parimet e Këshillit të Evropës dhe me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale.

“Shtyrja eventuale do të kufizojë mundësitë e qytetarëve, përfshirë minoritetin serb, të përdorin mekanizmat e Këshillit të Evropës, përfshirë Gjykatën e Strasburgut për t’i adresuar të drejtat e tyre. Për më tepër, shtyrja do ta dërgojë një sinjal shumë shqetësues për vendet e rajonit”, ka vlerësuar Ahmeti.

Më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e ka mbështetur raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë me seli në Strasburg.

Autorja e raportit, Dora Bakoyannis, ka thënë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim dhe çështjen e formimit të Asociacionit e ka konsideruar si temë të brendshme të Kosovës.

Megjithatë, ka ditë që qarkullojnë informacione se disa vende të Perëndimit janë duke kërkuar që Kosova të shënojë përparim drejt formimit të Asociacionit, në mënyrë që të pranohet në këtë organizatë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë ditë më parë se Qeveria e tij nuk do ta pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacion. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ne bisedojmë në Bruksel, e jo në Strasburg”, ka thënë Kurti.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik./ REL

Continue Reading

Kosova

Kosovë/ Sekuestrohet tjetër arsenal arm*ësh në veri, Sveçla: Janë të grupeve krim*inale që sulmuan në Banjskë! Ndalohet dhe një ish zyrtar i policisë

PRISHTINE – Policia e Kosovës konfiskoi më 14 maj 2024 një sasi të konsiderueshme të armatimit në pjesën veriore, që dyshohet të ketë mbetur aty, pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se armatimi i gjet në rrethinën e Zveçanit, në afërsi të Urës së Hekurt

Në një konferencë për median, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla foli për bastisje të kryera në rrethinën e Zveçanit, kah pjesa e Rudares  pas informacioneve të kryera nga qytetarët dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Në mesin e pajisjeve të konfiskuara janë rreth 1.500 municione, 10 armë të gjata, 62 shok-bomba, eksplozivë, radio-lidhje, karikatorë të mbushur e të zbrazët, dhe një uniformë e ushtrisë serbe.

Aty është gjetur armatim, pajisje ushtarake, eksploziv, shok-bomba, të cilat dyshohet se janë lënë atje me qëllim të sulmit ndaj institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe krijimit të pasigurisë dhe krijimit të një situatë të pazakontë të sigurisë në këtë pjesë”, tha Hoxha.

Eshtë ndaluar një person, ish-zyrtar i Policisë së Kosovës, pasi dyshohet se ka lidhje me armmët, të cilat janë gjetur në afërsi të shtëpisë së tij.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla tha se mbetjet kriminale të Milan Radojçiçit po i ç’rrënjosim nga veriu i vendit

“Në çdo ditë të punës sonë po zbulojmë përmasat e krimit dhe kapacitetet e armatimit që kanë pasur grupet kriminale në veri, të cilat kanë sulmuar apo kanë planifikuar të sulmojnë zyrtarët tanë dhe institucionet tona. Mbetjet kriminale të Milan Radojçiçit po i ç’rrënjosim nga veriu i vendit tonë. Është e qartë kush qëndron prapa kësaj veprimtarie si edhe pas depove të tjera të armatimit, sulmeve ndaj zyrtarëve tanë, pjesëtarëve të KFOR, gazetarëve e qytetarëve. Të njejtit e sulmit të Banjskës, të cilët strehohen në Serbi e mbrohen dhe glorifikohen nga Aleksandër Vuçiç’ shkruan Ministri Sveçla, duke publikuar dhe foto nga armatimi.

Prej sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, autoritetet e Kosovës kanë sekuestruar disa herë arsenal armësh në pjesën veriore.

Në shtatorit të 2023-ës, një grup i armatosur serb e ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.Në shkëmbim e sipër të zjarrit u vranë tre sulmues. Kosova e konsideron shtetin e Serbisë përgjegjës për organizim dhe kryerje të sulmit, mirëpo Beogradi mohon diçka të tillë.Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç. Ai aktualisht besohet se është në Serbi, dhe ndaj tij është lëshuar një fletarrestim ndërkombëtar nga Interpol.

Continue Reading

Kosova

Tragjike/ Humb jetën policia në Kosovë, dyshohet se vrau veten në shtëpinë e saj

Një zyrtare e policisë në Gjilan është gjetur sot pa shenja jete dhe dyshohet se ka bërë vetëvrasje në shtëpinë e saj.

“Ju informojmë se sot më 14.05.2024 rreth orës 11:44 Policia e Kosovës në Gjilan ka pranuar një informata se një pjesëtare e PK-së rreth 46 vjeçare dyshohet se ka bërë vetëvrasje në shtëpinë e saj ne Gjilan. Patrulla është nisur menjëherë në atë drejtim, gjithashtu edhe njësitet tjera relevante. Për informata tjera ju njoftojmë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Dyshohet se 46-vjeçarja ishte e sëmurë rëndë.

Continue Reading

Kosova

Rrufeja ndodhi mbi Kosovë, profesori ‘godet’ ashpër Edi Ramën

“Gjithmonë kur është në pyetje Kosova dhe rrugëtimi i saj në organizatat ndërkombëtare kundërshtarët, armiq por edhe miq të Kosovës vendosin pengesa për te penguar anëtarësimin” – Kështu është shprehur profesori dhe analisti politik Binak Maxharraj, i cili tha se, edhe pse me marrëveshjet e arritura ekziston qëndrimi se Kosova nuk duhet të pengohet, Serbia po “luan me zjarr” për të penguar ne realizimin e gjithë kësaj, kurse ndërkombëtarët vetëm po shikojnë, dhe madje sipas tij, po e përgëdhelin edhe më shumë Serbinë.

“Por, karshi kësaj, fantazmat dhe shtrigat e Evropës nuk po rrijnë rehat, sepse Evropa historikisht nuk ka qene kurrë perkrahëse e sinqertë e shqiptarëve, por gjithmonë eshte vendosur kundër tyre duke i coptuar dhe ndjekur nga trojet e tyre. Pra, Evropa është po ajo siç e cilësonte edhe i madhi jonë Gjergj Fishta, si dhelpër e vjetër e cila edhe mund të lëmojë dhe ledhatoj, por zanatin e vjetër nuk e harron sa herë t’i vije rasti i godet shqiptarët” – ka theksuar Maxharraj.

Sipas tij, Evropa më së miri tani po e tregon fytyrën e saj te pafytyrë për ta penguar Kosovën që të anëtarësohet në KiE.

Profesori tha se kjo ishte si një rrufe në qielli të hapur pa re, por megjithatë ky skandal ndodhi.

“Po si erdhi deri te kjo rrufe kaq e tmershem që e goditi Kosovën. Kjo nuk është e rastësishme, sepse qëkurse ka aplikuar Kosova për t’u anëtarësuar në KiE dhe çdo kund, në çdo rast emisarët në dialog si Borell, Lajçak e në veçanti emisari i SHBA-së, emisari amerikan Gabriel Escobar nuk e ka hequr nga goja themelimin e asociacionit. Por në veçanti lidhur me këtë ndodhi diçka e veçantë, u gjet njeriu servil i cili lëpihet nëpër sahanat e kancelarive të Evropës, Edi Rama që në miqësi të ngushtë si me vëllaun, me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçic, gatuan vepra të ndyra në dëm të Kosovës” – ka potencuar profesor Binak Maxharraj.

 

Continue Reading

Kosova

Retorika e sanksioneve dhe Albin Kurti i shpërblyer, loja me dy porta e Perëndimit

Në Bruksel po përgatitet një raport për përmbushjen e kërkesave të parashtruara para Kosovës për të de-përshkallëzuar situatën në veri, nga e cila do të varet nëse Bashkimi Evropian do t’i heqë sanksionet ndaj Prishtinës të vendosura qershorin e kaluar. Lidhur me këtë, diplomati serb  Sreçko Gjukiç tha se masat ndëshkuese të BE-së as nuk e kanë prekur  qeverinë në Prishtinë dhe se ato janë më shumë retorike sesa sanksione reale politike dhe ekonomike.

“Ata bëjnë thirrje që Kurti të pranojë një dialog konstruktiv, megjithatë ai është kokëfortë dhe asnjë sanksion apo kërcënim me sanksione nuk i ndihmon ata ne Perendim. Duket se e vetmja gjë që ndihmon ne kete situate, është kur amerikanët ta largojnë nga pushteti apo dhe ta detyrojnë te shkojë në zgjedhje të reja” – deklaroi Gjukiç duke shtuar se tani Kurtit po i shkojnë njoftime se mund të hiqen sanksionet dhe kjo do të thotë se ai nuk duhet të ndryshojë qëndrim.

“Është më shumë një histori që është nisur për t’u folur dhe nuk ka asgjë të vërtetë pas saj. Së pari, këtu është problemi: çfarë duhet hequr prej tij dhe së dyti, nëse i heqin masat, atëherë ky është një shpërblim për të, sepse asgjë nuk është bërë, për shembull për asociacionin, dinarin, çështjet e sigurisë…” – theksoi diplomati serb.

I pyetur nëse njoftimi për heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës është një përpjekje për të rënë dakord Kurti për një lloj bashkëpunimi, pasi javën e ardhshme Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës pritet të votojë kërkesën e Kosovës për t’u pranuar në atë organizatë, ai u shpreh se

ka mundësi që dikush ka menduar se në këtë mënyrë do ta shtyjë Albin Kurtin të bëjë diçka që nuk e ka bërë më parë, por ky është një presion shumë i dobët apo dhe shantazh I tillë për diçka të madhe që duhet të bëjë, dhe për të krijimi i asociacionit është një gjë jashtëzakonisht e madhe.

“Është si një lojë macja me miun dhe nuk besoj se do të jetë vendimtare as për Këshillin e Evropës as per asociacionin dhe për të gjitha lëvizjet e tjera që presin ata diku, derisa Kurti të paralajmërohet realisht në mënyrë më të drejtpërdrejtë nga fuqitë e mëdha: Nuk ka Keshill Europe pa asociacion dhe paskesaj te shkohet në zgjedhje ne Kosovë” – potencoi Gjukiç.

 

Continue Reading
Advertisement

TRENDING