Sport
Botërori 2026/ Franca likuidon Suedinë, Mbappe rekord me dopietë
NEW JERSEY – Franca është kombëtarja e radhës që është kualifikuar në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës 2026, pasi mesnatën mes të martës dhe të mërkurës me kohën shqiptare mposhti 3-0 Suedinë në ‘MetLife Stadium’ të New Jerseyt. Kylian Mbappe shënoi dy gola duke u bërë futbollisti i vetëm në botë që ka shënuar dhjetë gola me kombëtaren e tij në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës në histori. Kjo ishte fitorja e katërt radhazi për ‘Gjelat’ këtë Botëror, teksa herën e fundit e bënin në edicionin 1998, kur fitonin trofeun në eventin e shtëpisë. Në fazën e radhës ‘Gjelat’ do të përballen me Paraguain më 4 korrik në orën 23:00 me kohën shqiptare.
NDESHJA – Skuadra e Didier Deschamps kontrolloi lojën që në fillim, madje shënoi pas 21 minutash me Mbappe, por goli u anulua nga VAR-i për pozicion jashtë loje. Sulmuesi francez nuk u dorëzua dhe në minutën e fundit të pjesës së parë shënoi golin që i dha avantazhin Francës, kjo me asist të Dembele.
Nisja e fraksionit të dytë solli edhe golin e dytë për Fancën, me autor Barcola, me asistin e Olise. ‘Gjelat’ dominuan lojën dhe Mbappe gjeti golin e dytë personal dhe të tretin e Francës në minutën e 74-t, pas pasimit final të Olise.
Me këtë fitore Franca do të përballet kundër Paraguait në fazën e 1/8-ave, teksa ndeshja do të luhet më 4 korrik në orën 23:00 me kohën shqiptare.
REKORDI I MBAPPE, ‘KËRCËNOHET’ MESSI
Mbappe shkon në kuotën e 18 golave të shënuar në historinë e Kupës së Botës, teksa ka vetëm një më pak se kryesuesi, Messi (19). Këtë edicion të Botërorit të dy futbollistët kanë shënuar nga gjashtë gola, duke lënë pas Haaland me pesë realizime. Mbappe është futbollisti me më shumë gola të shënuar (10) në historinë e ndeshjeve me eliminim direkt në Kupat e Botës, duke vendosur kështu një rekord.