Politike
Braçe i del kundër Ramës: Ti e ke të vështirë të lëshosh pushtet, je i dashuruar me fuqinë
Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shpjegon votën e tij pro hartës së re të bashkive, megjithëse kundërshtoi shkrirjen e 15 bashkive. Në postim, ai ndalet edhe te diskutimet në mbledhjen e grupit parlamentar dhe te përplasja me kryeministrin Edi Rama.
Braçe thotë se Rama duhet të mbajë përgjegjësi për vendimet dhe gabimet e tij, përfshirë zgjedhjen e personave të cilëve u ka besuar poste dhe kompetenca.
“Edi Rama e ka të lehtë të njoftojë rrugën time, ose, siç thonë disa rreth tij, çfarë më pret mua. Por unë mendoj se e ka të vështirë të lëshojë pushtetin. Ai është i dashuruar me pushtetin, fuqinë dhe autoritetin që ai jep. E ka përdorur shpesh për mirë, duke sjellë ndryshime të mëdha në këtë vend; ua ka deleguar edhe të tjerëve për mirë, por pushteti është shpërdoruar në mënyrë të përsëritur nga ministra e drejtorë të padenjë. Ka bërë gabime, disa të rënda, që duhet t’i pranojë si të tijat dhe jo vetëm si gabime të atyre që nuk kanë qenë të denjë përkrah tij”, shkruan Braçe.
Deputeti kërkon që Rama të marrë përgjegjësi për personat të cilëve u ka besuar pushtet, duke vënë në dukje se disa prej tyre tani janë në telashe me drejtësinë.
“Të marrë e të mbajë përgjegjësi. Të japë një shenjë se pushtetin nuk e ka personal dhe nuk e ushtron si të tijin, por e ndan, siç e përcakton Kushtetuta, me pushtetet e tjera të ligjshme, sovrane e të pavarura, të cilat duhet të jenë funksionale dhe të pacenuara”, vijon ai.
Braçe shprehet gjithashtu se Rama duhet të shqyrtojë rolin e vet në vendimet që, sipas tij, kanë rezultuar të gabuara, përfshirë mënyrën se si ato janë menduar, imponuar dhe paraqitur si zgjidhjet më të mira.
Duke iu referuar votës për hartën e re të bashkive, Braçe shkruan:
“Së pari, nuk ia lejoj Edi Ramës të flasë për votën time dhe ta përdorë atë për të lëshuar mesazhe kundër kujtdo që ka në mendje. Nuk mund ta bëjë këtë në emrin tim, duke përmendur votën time. Siç e pohoi edhe ai në mbledhje, unë nuk kam votuar pro tij; ai e kishte numëruar këtë ‘shumë herë’. Ndaj, ta lërë këtu, me kaq”, shkruan deputeti socialist.