Politike
Brukseli shqyrton planin e ri/ Shqipëria mund të ulet në tryezën e BE-së para anëtarësimit
Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, do të paraqesë të mërkurën në Parlamentin Evropian strategjinë e re për përgatitjen e Bashkimit Evropian për zgjerimin, një ditë pasi dokumenti mori mbështetjen e Kolegjit të Komisionerëve.
Kos do të dalë përpara Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET) në Strasburg, ku strategjia pritet të diskutohet me eurodeputetët.
Dokumenti përcakton pesë drejtimet mbi të cilat Komisioni kërkon të përgatitë BE-në për anëtarët e ardhshëm: ndryshime në vendimmarrje, integrim më të shpejtë të kandidatëve, masa mbrojtëse pas anëtarësimit, përshtatjen e politikave evropiane dhe roadmap-e të posaçme për kandidatët më të avancuar.
Për Shqipërinë, pika kryesore e strategjisë është vendimi i Komisionit për ta përfshirë atë mes katër kandidatëve në krye të procesit, së bashku me Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën.
“Ne kemi identifikuar katër vende në krye: Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën”, tha Kos gjatë prezantimit të strategjisë të martën.
Ato do të përmbajnë hapat e ardhshëm, afate orientuese dhe objektiva konkrete, duke synuar ta bëjnë rrugën e anëtarësimit më të parashikueshme.
Kos ka paralajmëruar megjithatë se procesi do të mbetet i bazuar në performancën individuale të secilit kandidat.
“Nuk do të ketë rrugë të shkurtra”, tha ajo.
Nga vetoja te integrimi përpara anëtarësimit
Debati në Parlamentin Evropian vjen pasi Komisioni propozoi përdorim më të gjerë të shumicës së cilësuar në ato fusha ku traktatet e lejojnë, me synimin për të reduktuar rastet kur një shtet i vetëm mund të bllokojë vendimet e mbështetura nga vendet e tjera.
Një element tjetër është integrimi gradual. Kandidatët që avancojnë me reformat mund të përfshihen në sektorë të BE-së si energjia, transporti, inteligjenca artificiale, siguria dhe mbrojtja përpara anëtarësimit të plotë.
“Integrimi gradual nuk është zëvendësim për anëtarësimin e plotë. Është përshpejtuesi i zgjerimit”, tha Kos.
Komisioni kërkon njëkohësisht masa më të forta në rast se anëtarët e rinj shënojnë regres serioz në sundimin e ligjit, demokraci apo të drejtat themelore. Këto mund të shkojnë nga kufizimi i financimeve deri te kufizimi i të drejtave të votës.
Kos ka këmbëngulur se këto mekanizma nuk nënkuptojnë krijimin e një kategorie të dytë anëtarësh.
“Të gjitha shtetet anëtare do të gëzojnë të drejta të barabarta. Edhe të sapoardhurit. Ne nuk duam një anëtarësim me dy nivele”, tha ajo.
Prezantimi në AFET zhvendos tashmë strategjinë nga Kolegji i Komisionerëve në debatin politik me Parlamentin Evropian, ndërsa etapa tjetër do të jetë diskutimi mes udhëheqësve të BE-së.
Për Shqipërinë, testi i ardhshëm konkret mbetet 28 tetori, kur Komisioni pritet të vendosë në letër objektivat dhe afatet orientuese të roadmap-it të saj drejt anëtarësimit.