Politike
Debate në Kuvend/ Balla: Flamingot fluturuan kur hynë Saliu, Gonia e Qorri
Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur sot në seancë plenare u në rendin e ditës janë parashikuar një seri projektrezolutash për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura gjatë vitit 2025, si dhe diskutime për çështje të ngritura nga zgjedhësit.
Seanca ka nisur me debate mbi zhvillimet e fundit në Kuvend, referuar protestave në kryeqytet ndërsa Partia Demokratike vijon me bojkotin. Deputeti Erald Kapri akuzoi qeverinë për censurë pasi iu refuzua kërkesa për zhvillimin e një interpelance për çështjen e Rrjollit dhe të Zvërnecit me ministrin e Brendshëm Besfort Lamallari. Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi tha se kjo çështje ka qenë e përfshirë në rend dite në seancat e kaluara dhe nuk përbën çështje diskutimi sot.
“Nuk është parlament ky. S’mund të pyesim ne ministrin e Brendshëm, pse, se e paskemi pyetur në seancë të kaluar. Ajo që donim të ngrinim në këtë interpelancë me ministrin e Brendshëm që e kalon kohën duke sulmuar njerëz që merren me protestën, e nuk merret me policinë e shtetit që ka dalë nga shinat”, tha Kapri.
Në një moment Kapri iu drejtua dhe kreut të grupit parlamentar të PS Taulant Balla, duke i thënë se portreti i tij gjendet në çdo kosh të Tiranës.
“Kryeministri ka lëshuar gojën që i quan rininë shqiptare si nazistë, është policia që po sillet si gestapo. Balla janë mbushur koshat e plehrave me portretin tënd”, tha Kapri.
Për protestën, Ballës iu drejtua dhe deputeti i ‘Lëvizja Bashkë’, Redi Muçi i cili tha “çdo ditë merr fotot e orës 7 nga protesta dhe tallet me protestuesit. Kujdes se përballë nuk ke Saliun, por rininë shqiptare. Vazhdo me syleshtësinë tënde.”
Në replikë, Balla tha se përfshirja me zor në protestë e Sali Berishës, Agron Shehajt e Arlind Qorit, solli përçarje.
“Meqë i ndiqni statuset e mia të orës 7, transparencë është ajo, tregon sesi kur hyri Saliu, Gonia, Qorri apo ndonjë tjetër, flamingot fluturuan dhe ngelën sorra si puna jote, e këtij tjetrit dhe Gones”, tha ndër të tjera Balla.