Connect with us

Aktualitet

‘Diti të bën me pronë’: Skema e zhvatjes së 448 mijë m2 tokë shtetërore në Durrës

Ish-drejtuesi i FRESSH në Durrës, Ardit Kërtusha akuzohet nga Prokuroria e Durrësit si strumbullari i një skeme masive të tjerësimit të pronave publike me vlerë qindramijë euro, me ndihmën e zyrtarëve të Kadastrës dhe personave të tjerë.

Në vitin 2018, një ish-punëtor ferme i quajtur Lirim Xhameta u kontaktua nga një person me emrin Diti, i cili i premtoi se do t’ia bënte ai dokumentat për të përfituar 3 mijë metra katrorë tokë në Spitallë në periferi të Durrësit.

Muaj më vonë, personi që identifikohet si Diti në një vendim për caktim mase sigurie të Gjykatës së Durrësit, e adresoi Xhametën në një zyrë noterie, pasi më parë i dha të firmoste një akt të bardhë për marrje toke në pronësi.

E vënë në lëvizje në vitin 2023 nga një denoncues, Prokuroria e Durrësit gjeti se përmes falsifikimit të akteve të Kadastrës, Xhametës i ishin kaluar në fakt 75 mijë metra katrorë tokë, të cilat edhe pse ai nuk e dinte se ku ndodheshin, ishin tjetërsuar dhe shitur për 17 milionë lekë.

“Deri në këtë fazë të hetimit, nga kryerja e veprimeve hetimore në dinamikë, ndër të tjera ka rezultuar se pasuria e regjistruar në ASHK fillimisht në emër të shtetasit Lirim Xhameta me një sipërfaqe prej 75,000 m2 dhe më pas e ndarë dhe tjetërsuar është përfituar në mënyrë tërësisht joligjore”, thuhet në kërkesën për masë sigurimi e cila disponohet nga BIRN.

E njëjta skemë është përsëritur edhe për një sipërfaqe të dytë prej 76 mijë metrash katrorë, e regjistruar fillimisht në emër të të ndjerit Dilaver Taulla. Edhe pse Taulla kishte vdekur në vitin 2003, toka kaloi në pronësinë e tij në vitin 2010 dhe trashëgimtarët e tij u vunë në dijeni në vitin 2010.

Skema e tjetërsimit të pronave shtetërore në Spitallë të Durrësit është edhe më e gjerë. Sipas njoftimit të Prokurorisë, 448.000 m2 tokë u zhvatën dhe u tjetërsuan përmes mashtrimit, falsifikimit dhe shpërdorimit të detyrës nga zyrtarët shtetërorë.

Prokuroria e Durrësit akuzon për këtë skemë masive të fasifikimit me tokat Ardit Kërtushën, një ish-drejtues i Forumit Rinor të Partisë Socialiste dhe ish-punonjës i OSHEE në atë kohë, Leonard Kadrimin, ish- zv.drejtor i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Durrës dhe 14 persona të tjerë.

Kërtusha u arrestua të premten me akuzat e “Mashtrimit” dhe “Pastrimit të parave”, sëbashku me Leonard Kadrimin që akuzohet për “Shpërdorim detyre”.

Lirim Xhameta, 58 vjeç, Dashnor Taulla, 61 vjeç dhe Gjovalin Ndocin, 44 vjeç akuzohen gjithashtu për pastrim të parave. Dy persona të tjerë, juristi i ASHK-së Durrës, Mikel Zaho, 46 vjeç, i akuzuar për “Shpërdorim detyre” dhe Krenar Karati, 65 vjeç janë shpallur në kërkim. Ndaj 9 personave të tjerë, përfshi familjarë të përfituesve të arrestuar dhe zyrtarë të ASHK-së është marrë masa detyrim paraqitjeje.

Skema e tjetërsimit

Në shkurt 2023, një denoncues u paraqit para prokurorit Pali Deçolli në Durrës dhe kallëzoi se një sipërfaqe toke, për të cilën ai dhe të afërm të tij pretendojnë pronësinë dhe për të cilën ndodhen në proces gjyqësor në Gjykatën e Lartë, ishte rrethuar me mure betoni nga persona të panjohur.

Prona sipas denoncuesit ndodhej në Spitallë, por ai nuk e dinte se kush ishte zaptuesi. E vënë në lëvizje pas këtij denoncimi prokuroria gjeti se prona ishte shitur dy herë dhe i kishte kaluar një kompanie që kishte bërë rrethimin dhe shtrimin e saj me çakull.

Por hetimet gjetën se procedurat e regjistrimit të kësaj prone në emër të Lirim Xhametës ishin të paligjshme, ashtu si dhe pasuria në emër të të ndjerit Dilaver Taulla.

Prokuroria zbuloi nga shqyrtimi i dokumentacionit dhe marrja në pyetje e personave të përfshirë se fillimisht pronat ishin regjistruar në emër të Xhametës dhe Taullës dhe përmes falsifikimit të dokumentave ishin përfshirë në regjistrat kadastralë në vitin 2010. Drejtuesi i kadastrës në atë kohë dhe një punonjëse, emri i të cilës përdoret ne praktika, mohuan që t’i kishin nënshkruar aktet.

Vetë prokuroria gjeti se në fakt këto akte ishin futur në regjistra përmes shënimeve me dorë vetëm në vitin 2019.

Prokuroria nuk diferencon rolet që personat e arrestuar dhe akuzuar kanë luajtur, por Kërtusha duket se është nyja lidhëse. Emri i tij përmendet nga Xhameta si “Diti” dhe po ashtu edhe nga Dashnor Taulla, trashëgimtar i Dilaver Taullës, si personi që premtonte të rregullonte dokumentet për tokë.

“Më pas janë takuar Dashnori dhe Krenari me shtetasin Ardit Kërtusha dhe ky i fundit i ka marrë përsipër që t’i rregullonte tokë, pasi sipas Arditit, i takonte sipas ligjit. Arditi i ka kërkuar kartat e identitetit të tij dhe të vëllezërve dhe motrave duke i thënë se ‘ju takonin të gjithëve”, citohet në dosje Dashnor Taulla, i cili thotë se u përfshi në këtë histori në vitin 2019 sëbashku me Krenar Karatin, që i kishte premtuar se njihte dikë që mund t’i rregullonte tokën.

Në këtë kohë, Kërtusha ishte drejtues i FRESSH-it të Partisë Socialiste të Durrësit, mbante një post drejtues në OSHEE-në lokale dhe po ashtu kishte kandiduar për t’u punësuar si regjistrues në kadastër, por ishte skualifikuar për shkak të mungesës së eksperiencës. Në vitin 2020, ai garoi për t’u zgjedhur si kryetar i Partisë Socialiste në Durrës, por më pas u tërhoq nga gara.

Në profilin e tij në Facebook, Kërtusha akuzoi ish-kryebashkiakun Vangjush Dako për ndërhyrje në garë dhe akuzon se rivali i tij që fitoi zgjedhjet ishte marionetë e Dakos. Pas tërheqjes nga gara, Kërtusha mbështeti opozitën në zgjedhjet e vitit 2021, ndërsa në vitin 2022 mbeti i plagosur në një atentat.

I pyetur nga prokuroria për tjetërsimin e pronës, Kërtusha që njihet publikisht edhe si lektor në Universitetin e Durrësit, ka mohuar çdo dijeni.

“Është pyetur në lidhje me këto fakte, shtetasi Ardit Kërtusha, i cili ka deklaruar se nuk i njeh pjesëtarët e familjes Taulla dhe nuk ka asnjë lloj dijenie në lidhje me përfitimin prej tyre të sipërfaqes prej 76,000 m2,” citohet ai nga prokuroria.

Nga ana e tyre, Xhameta dhe Dashnor Taulla kanë mohuar të kenë përfituar nga transaksionet e kryera. Xhameta thotë se mori vetëm 200 mijë lekë, por nuk e pa asnjëherë pronën që iu kalua dhe që ai mendonte se ishte 3 mijë metra. Taulla nga ana e tij mohon të ketë dijeni që iu kalua në pronësi tokë dhe shtoi se në një përballje me Kërtushën, ky i fundit e kishte mohuar të kishin një marrëveshje.

Megjithatë, sipas prokurorisë ata kanë përfituar nga transaksionet e mëpasshme. Hetimet gjetën se si Xhameta ashtu edhe Taulla nënshkruan akte noteriale dhe i dhanë tagra përfaqësimi personave të tretë. Xhameta ia kaloi tagrat Gjovalin Ndocit, të cilit thotë se nuk e ka takuar kurrë. Ky i fundit sipas prokurorisë e shiti tokën në parcela te palë të treta për 17 milionë lekë. Po ashtu ai është një nga personat që aplikoi për ndryshimet në zërat kadastralë.

Ndoci ka dëshmuar se ai u përfshi në këtë histori me premtimin që të bënte para nga shit-blerja e pronave, prej një punonjësi të OSHEE-së, i identifikuar si i ndjeri Henkel Q. Ai tha se Henkel Q., e kishte njohur kur ai “punonte pranë OSHEE dhe në disa takime partiake”.

Prokuroria thotë se toka e tjetërsuar në këtë mënyrë u rivlerësua me ndihmë të akteve të falsifikuara për të shmangur taksat me vlerë disa herë më të lartë. Prokuroria gjeti se parcelat që i kaluan Xhametës u vlerësuan 279 milionë lekë. Veprimet kadastrale dhe aktet e rivlerësimit u kryen për dy ditë nga zëvendës drejtori i Kadastrës së Durrësit Leo Kadrimi, juristi Mikel Zaho dhe vartës të Kadrimit. Sipas prokurorisë, punonjës të kadastrës përfshi edhe drejtuesin e kohës, u shmangën nga procesi i kontrollit të regjistrimit.

Ndryshe nga rasti i Xhametës, Dashnor Taulla dhe të afërmit e tij që pretendohet se e trashëguan pronën nga i ndjeri Dilaver Taulla, ia kaluan tagrat e përfaqësimit Oliver Xhamuçës dhe toka u kaloi të tretëve përmes akteve të dhurimit.

Prokuroria thotë se edhe pse u bë dhurim, toka iu nënshtrua një rivlerësimi të falsifikuar që mundësonte shmangien e detyrimeve tatimore. “Në vijim të veprimeve krejtësisht joligjore e me qëllim përforcimin e titullit të pronësisë, tjetërsimin e saj dhe përfitimin e vlerave monetare që do të vinin pas tjetërsimit së saj në vijim (si dhe ka ndodhur, pavarësisht se është bërë me dhurim), autorët e veprave penale kanë vijuar në plotësimin e 4 referencave rivlerësimi tërësisht të falsifikuara”, thuhet në kërkesën për masë sigurimi. Toka në këtë rast u rivlerësua 273 milionë lekë.

Prokuroria thotë se aktet e ndërmarra dhe personat e përfshirë tregojnë për një skemë identike.

“Pra, i gjithë mekanizmi i kryerjes së veprave penale si në rastin e parë të përfitimit të sipërfaqes prej 75,000 m2 shtetasit Lirim Xhameta, ashtu dhe në rastin e dytë të përfitimit të sipërfaqes prej 76,000 m2 të shtetasit të ndjerë Dilaver Taulla është identik dhe ka dyshime të arsyeshme që të jenë të njëjtët autorë”, thuhet në kërkesë për masë sigurimi.

Si në skemën e parë edhe në të dytën, përfituesit e pronës dhe personi që mori tagrat për t’i përfaqësuar thonë se nuk e njohin njëri tjetrin, por të dy palët pretendojnë se u përfshinë në skemë nga Kërtusha.

“Shtetasi Oliver ka deklaruar se nuk njeh asnjë nga pjesëtarët e familjes Taulla, por kujton se në vitin 2019 shtetasi me emrin Ardit Kërtusha me të cilin kishte njohje i ka thënë që të shkonte tek Zyra Noteriale e J.B që të firmoste disa dokumente, pasi Arditi do të përfitonte një sasi toke duke i premtuar se pasi t’i shiste do t’i jepte një sasi parash,” thuhet në dosje.

Xhamuça madje ka këmbëngulur të takojë Ardit Kërtushën pas marrjes në pyetje në prokurori dhe pretendon se pasi e takoi, Kërtusha i kishte premtuar që gjithçka do të sqarohej prej tij.

Në këtë rast të dytë, toka është tjetërsuar përmes akteve të dhurimit nga Dashnor Taulla dhe të tjerë, te persona të tretë. Por prokuroria thotë se Taulla ka marrë sipas dëshmive 60 mijë euro dhe aktet e dhurimit ishin vetëm një formë e zgjedhur për të shmangur detyrimet. “Ai më ka thënë që të rrija pa merak pasi do ta zgjidhte ai këtë punë dhe pas kësaj nuk e kam takuar më”, citohet Xhamuça nga prokuroria.

Veprimet e regjistrimit në kadastër u kryen po nga të njëjtët zyrtarë sipas prokurorisë. Nga këta, ish- zv. drejtori Kadrimi, i cili u arrestua, ka dëshmuar se nuk kishte dijeni për skemën. Ai ia ka kaluar përgjegjësinë vartësve, duke pretenduar se ai vetë nuk verifikonte origjinën e pronës apo të dokumenteve.

Akuzat

Prokuroria thotë në kërkesën për masë sigurie se Lirim Xhameta, bashkëshortja e tij dhe i biri, kanë qenë me dijeni pjesë e kësaj skeme dhe se ndryshe nga sa pretendojnë, kanë përfituar më shumë se 200 mijë lekë. Sipas prokurorisë, ata ishin në dijeni të plotë se nuk kishin pronë, por bashkëpunuan për të kryer tjetërsimin e tokës shtetërore.

Të njëjtën gjë vë në dukje prokuroria edhe për përfaqësuesit në këto transaksione, Gjovalin Ndoci dhe Oliver Xhamuça.

Madje Ndoci sipas prokurorisë, në përpjekje për t’ia ngecur fajin një personi të vdekur, ka cënuar edhe normat morale të shoqërisë.

“Vetë fakti që ky shtetas më vonë, të paktën për njërën nga këto pasuri ka kryer veprime blerje e shitje tregon se është ai vetë në bashkëpunim me persona të tjerë të fshehur nga vetë ai, autorë në tjetërsimin e pronave për të cilat ai jo vetëm nuk kishte asnjë tagër të qartë dhe ligjor, por veprimi I tij ka qenë për të fshehja dhe mbulimi I origjinës së kësaj pasurie”, shprehet prokuroria në dosje.

Xhamuça “lehtësohet”, pasi prokuroria duket e ka besuar pretendimin e tij se ai nuk kishte lexuar aktet noteriale. Megjithatë, prokuroria pretendon se ai dhe Ndoci kanë ndihmuar me dashje shtetasin Ardit Kërtusha dhe bashkëpunëtorët e tij që të përfitojnë vlera monetare.

Ndërkohë, punonjësit e ASHK Durrës, Leonard Kadrimi si zv/drejtor dhe juristët Aida Kila dhe Mikel Zaho me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë sjellë, sipas prokurorisë, si pasojë “fillimisht krijimin e lehtësirave e më pas tjetërsimin e plotë të këtyre pasurive”.

Prokuroria thotë se nga hetimi rezultoi se ata nuk kanë respektuar hallkat e përcaktuara administrative, duke përjashtuar të paktën përgjegjësen e zonës dhe drejtuesin e ASHK-së nga kontrolli i praktikave të paligjshme.

“Me veprimet e tyre këta punonjës të shtetit duke shpërdoruar detyrën kanë sjellë si pasojë zhveshjen nga pronësia e këtyre sipërfaqeve toke që i përkisnin shtetit shqiptar dhe kalimin e tyre personave pa të drejtë”, thuhet në dosje./ BIRN

Aktualitet

Bllokohet qarkullimi në autostradën “Tiranë-Elbasan”? Reagon policia: Ka ngadalësim të lëvizjes për shkak të

Drejtoria e Policisë në Elbasan ka reaguar pas lajmeve se në dalje të autostradës “Tiranë-Elbasan”, është bllokuar lëvizja. Policia sqaron se nuk ka asnjë bllokim të automjeteve por ka ngadalësim të lëvizjes, për shkak të fluksit të automjeteve që vijnë nga Tirana në drejtim të Elbasanit.

Gjithashtu iu bëhet thirrje drejtuesve të automjeteve të tregojnë durim, të qëndrojnë në radhë dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara, duke u kthyer në burim për përfshirje në ngjarje rrugore apo për bllokim të lëvizjes në të dy kahet e rrugës.

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan

Në lidhje me një lajm të publikuar në media, sipas të cili në dalje të autostradës “Tiranë-Elbasan”, është bllokuar lëvizja, ju informojmë se:

Nuk ka bllokim të qarkullimit të automjeteve, por ka ngadalësim të lëvizjes, për shkak të fluksit të automjeteve që vijnë nga Tirana në drejtim të Elbasanit.

Shërbimet e Qarkullimit Rrugor ndodhen në terren dhe vijojnë intensivisht punën për menaxhimin e qarkullimit të automjeteve.

Drejtuesit e automjeteve të tregojnë durim, të qëndrojnë në radhë dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara, duke u kthyer në burim për përfshirje në ngjarje rrugore apo për bllokim të lëvizjes në të dy kahet e rrugës.

Continue Reading

Aktualitet

‘Mbreti’ i lojrave të fatit/ Dy vjet i zhdukur, SPAK veçon dosjen e Ervis Martinajt

SPAK përfundoi këtë të premte hetimet dhe dërgoi për gjykim dosjen “Metamorfoza”  ndaj biznesmenit Pëllumb Gjoka, i akuzuar për vrasje dhe grup të strukturuar, si dhe të bashkëpunëtorëve të tij, mes tyre një prokuror dhe dy funksionarë policie.

Veç Gjokës, për gjykim janë dërguar edhe të pandehurit Behar Brajoviq; Edmond Preka; Astmer Bilali; dy zyrtarët e policies, Ardit Hasanbegaj dhe Oltian Bistri, si dhe prokurori Xhevahir Lita.

Por në fund të njoftimit, SPAK, thotë se ka veçuar dosjen për personat e tjerë që dyshohen si të implikuar, për të cilët nuk është ekzekutuar ende masa e sigurisë. Një prej tyre është edhe i shumëkërkuari Ervis Martinaj, i cili vazhdon të jetë i zhdukur prej rreth dy vitesh.

“Ndërkohë, për personat e tjerë nën hetim, bashkëpunëtorë në kryerjen e veprave penale të mësipërme, për të cilët nuk janë ekzekutuar akoma masat e sigurimit të miratuara nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për fakte të tjera kriminale, si dhe për persona të tjerë të përfshirë në aktivitete kriminale, që kanë rezultuar gjatë veprimeve hetimore të kryera në këtë procedim penal, është vendosur ndarja e çështjes penale dhe vazhdojnë të jenë ende në fazën e hetimeve paraprake.”, thuhej në njoftimin e SPAK.

Ervis Martinaj shfaqet në bisedat me Behar Bajrin, të cilit i kërkon vrasjen e Gjin Ndojit. Dhjetëra operacione janë bërë për gjetjen e Martinaj,  por deri tani nuk kanë arritur në asnjë konkluzion zyrtar në lidhje me fatin e tij.

Misteri i zhdukjes

Ervis Martinaj njihej si njeriu që jetonte mes biznesit të lojrave të fatit dhe botës të krimit të organizuar.

Më 9 gusht 2022, 41-vjeçari humbi kontaktet me rrethin e tij shoqëror dhe  familjar, çka solli që një ditë më pas në 10 Gusht xhaxhai i tij Rakip Martinaj të kallëzonte në policinë e Laçit, rastin e humbjes së kontaktit me nipin.

Shijaku ishte pika e fundit e ndalesës së tij, duke hyrë në banesën e një të njohuri A.A. Shijaku mban të fshehur misterin nëse Ervis Martinaj është gjallë apo e kanë vrarë.

Për një periudhë gati 2-vjeçare emri i Ervis Martinajt, ka ngjallur kureshtje, duke e ndarë opinionin publik, median dhe policinë, mes misterit nëse është i gjallë apo është i vdekur.

Prokuroria e Laçit dhe më pas ajo e Lezhës po kryejnë hetime për akuzën e “Rrëmbimit dhe zhdukjes së personit”. Por deri në këtë fazë nuk është bërë e mundur të gjendet asnjë provë apo sinjalizim.

Njerëzit e fundit që shoqëronin Ervis Martinaj nga Tirana në Durrës dhe anasjelltas, ishin e dashura e tij Sadete Kokomani dhe punonjësi i policisë, Jeton Lami.

Ky i fundit u arrestua për “Shpërdorim detyre” dhe më pas u dënua nga gjykata e Lezhës me dy vjet e 10 ditë burgim.

E megjithëse Prokuroria e Lezhës, për rastin Martinaj po kryen hetime në pistën e rrëmbimit dhe zhdukjes së personit, nga ana tjetër SPAK, brenda 1 viti ka iniciuar 4 procedime penale kundër tij, duke i vendosur 2 masa sigurimi “Arrest në burg”.

Dy herë në kërkim brenda vitit

Nga maji 2022 deri në korrik 2023, Ervis Martinaj është shpallur dy herë në kërkim nga SPAK, si person i implikuar në sigurimin e kushteve për të vrarë Endrit Doklen, Kleant Musabelliut dhe vrasjen e Gjin Boriçit në Shkodër.

Një masë tjetër është dhe inicimi i një hetimi pasuror, duke vendosur sekuestrimin e pasurive të biznesmenit dhe familjarëve të tij. Ndërkohë një proces tjetër është iniciuar në SPAK pas dyshimeve të përfshirjes së tij në trafikun e kokainës nga Amerika Latine në Europë.

Njëherësh në prokurorinë e Lezhës, në shtator 2022 Martinaj rezulton të jetë marë i pandehur së bashku me Nikolin Nikën, për “Heqjen e paligjshme të lirisë” ndaj 64-vjeçarit Nikoll Buna. Por pas të gjitha këtyre dosjeve penale të lindura brenda 1 viti, Ervis Martinaj, nuk ka dhënë asnjë sinjal që ekziston.

Continue Reading

Aktualitet

E papritur/ Burri denoncon në polici largimin e gruas nga shtëpia me tre fëmijët e mitur

Ditën e djeshme, një burrë ka denoncuar në Komisariatin e Shkodrës, gruan e tij, e cila ka marrë tre fëmijët e mitur dhe është larguar nga shtëpia. Policia ka nisur kërkimet për gjetjen e një gruaje së bashku me 3 fëmijët e saj ë mitur, e cila është larguar nga banesa.

Bashkëshorti i 39-vjeçares me iniciale A. A. ka kallëzuar se e shoqja është larguar nga banesa, ndërsa policia po punon për gjetjen e gruas dhe fëmijëve të tyre të mitur.

“Më datë 03.05.2024, shtetasi E. A., 31-vjeç, banues në Shkodër, ka kallëzuar se është larguar nga banesa, bashkëshortja e tij, shtetasja A. A., 39-vjeçe, së bashku më 3 fëmijët e tyre të mitur. Po punohet për gjetjen e tyre”, raporton policia.

Continue Reading

Aktualitet

Kryepiskopi Anastas uron Pashkët: Të mposhtim hidhërimet me fuqinë e Ngjalljes

Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij Anastas Janullatos ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë në prag të Pashkëve.

Ngjallja e Krishtit kulmon këtë vit në mesnatën mes 4 dhe 5 majit për besimtarët ortodoksë që gjenden në javën e Madhe dhe të Shenjtë. Në përkujtimin e vuajtjeve të Jisu Krishtit dhe kryqëzimin e më pas Ngjalljen, Kryepiskopi Anastas vë theksin te konfliktet në Ukrainë, Gaza apo edhe në Sudan e Haiti.

Kryepiskopi flet edhe për më shumë dashuri në vendin tonë, ‘të cilin shpeshherë e mundojnë mërzitë, përçarjet, armiqësitë, sëmundjet e rënda, krizat e shumëllojshme. Besimi i krishterë na fuqizon me një siguri të plotë’, thekson Fortlumturia e tij në mesazhin e Pashkëve.

Mesazhi i plotë:

Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

Mposhtja E Hidhërimeve Me Fuqinë E Ngjalljes

“Të njoh atë me fuqinë e Ngjalljes së tij” (Fil. 3:10)

Ηimni ngjallësor: “Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli…”, ende kumbon ngadhënjyes dhe ngushëllues në mes të errësirës së melankolisë, të shkaktuar nga ngjarjet e dhimbshme në Ukrainë, Gazë, Sudan, Haiti dhe në vende të tjera të botës, madje edhe këtu, në mjedisin tonë, të cilin shpeshherë e mundojnë mërzitë, përçarjet, armiqësitë, sëmundjet e rënda, krizat e shumëllojshme. Besimi i krishterë na fuqizon me një siguri të plotë. Ne e dimë se jemi të brishtë, që e mbajmë “këtë thesar (të besimit) në enë prej balte” (2 Kor. 4:7-8), por kjo ndodh “që të dalë në pah se kjo fuqi tejet e madhe vjen nga Perëndia, jo nga ne”.

Periudha e Pashkës, me një mënyrë të veçantë dhe përmes një përjetimi personal, na fton t’i afrohemi Krishtit, që pëson dhe ngjallet: “Që ta njoh atë dhe fuqinë e Ngjalljes së tij, të marr pjesë në pësimet e tij dhe të bëhem i ngjashëm me të në vdekjen e tij” (Fil. 3:10). Dy të vërteta na e ndriçojnë udhën drejt një marrëdhënieje më të ngushtë me atë që pësoi dhe u ngjall: Pranimi për të marrë pjesë në pësimet e Tij dhe të qenit i ngjashëm me të në vdekjen e Tij. E kemi theksuar edhe herë tjetër se Ngjallja nuk është diçka që vjen më vete, që vjen pas Kryqit, por gjendet brenda Kryqit, brenda pësimit, kur e pranojmë atë ashtu siç e pranoi edhe Krishti. Dhe anasjelltas, përjetimi i Ngjalljes kërkon gjithnjë si kusht paraprak të bëhemi të ngjashëm me Krishtin e kryqëzuar dhe të ngjallur.

Kjo pjesëmarrje në Pësimet dhe Ngjalljen e Tij forcon qëndresën tonë, në mënyrë që të mos na përpijë depresioni dhe dëshpërimi. Himni triumfal themelor, që kumbon fort brenda nesh – “Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli…” – është shpallja kryesore e besimit të krishterë orthodhoks dhe përmbledh domethënien më të thellë të Mishërimit të Birit dhe Fjalës së Perëndisë. Këtë përvojë të dyfishtë, të Kryqit dhe të Ngjalljes, e përjetojnë dëshmorët e Kishës sonë ndër shekuj. Edhe ne “le të ecim me durim në betejën që na pret, duke soditur Jisuin, që është kreu i besimit tonë dhe ai që e bën atë të përsosur” (Heb. 12: 1-2).

Duke lavdëruar me mirënjohje Perëndinë Triadik gjatë periudhës paskale, le ta shtojmë përpjekjen tonë, në mënyrë që ta përjetojmë këtë bindje dhe le të përçojmë ngushëllim në mjedisin tonë me dhembshuri.

Krishti u Ngjall, vëllezërit e mi!

Pashkë të bekuara, me shëndet, durim dhe mendësi kryqngjallësore!

Continue Reading

Aktualitet

Ermal Hasimja: Dyshimi i madh, skenari kush mund të marrë në dorë drejtimin e Shqipërisë

Analisti Ermal Hasimja ka komentuar situatën politike në Shqipëri dhe rolin e SPAK.

Sipas tij  sistemi politik në Shqipëri ka një logjikë shumë të brishtë. Mes tjerash ai tregoi dyshimin që ka për të ardhmen e Shqipërisë.

“Mentaliteti i popullit shqiptar është i tillë. Në momentin që të sheh se bie nga fiku aty të shkel më këmbë. Ky është një sistem që funksionon brenda kësaj logjike që është shumë e brishtë.

Mund të ndodh që të ketë diçka të fortë ndaj sistemit të drejtësisë dhe mund të ketë një bërthamë që ndoshta në të ardhmen funksionojnë realisht. Në këtë  vend që është Shqipëria terreni për dyshime është jashtëzakonisht pjellor”-tha Hasimja.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING