Connect with us

DOSSIER

Dosja sekrete: Para se të vriste veten, Mehmeti thirri 2 persona, ju tha se tanket..

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat kanë qenë të panjohura për 40 vite me radhë dhe shohin për herë të parë dritën e botimit, ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale sekrete e dokumente që i përkasin muajt tetor të vitit 1982, ku është pasqyruar materiali i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së me titull “Mbi mungesën e theksuar të vigjilencës dhe gabimet e rënda të shokut Kadri Hazbiu në kohën që ishte ministër i Brendshëm”, autokritika me shkrim e Kadri Hazbiut, “Vendimi i Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së mbi përjashtimin nga Komiteti Qendror e nga Partia si dhe shkarkimi nga të gjitha funksionet shtetërore dhe shoqërore të Kadri Hazbit”, si dhe proces-verbali i Plenumit të Komitetit Qendror të mbajtur në datat 13 e 14 tetor të vitit 1982 në sallën kryesore të godinës së Komitetit Qendror, ku është diskutuar dhe është marrë në analizë puna dhe veprimtaria e ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, i cili akuzohet për “veprimtaria armiqësore” e tij për periudhën gati 30 vjeçare kur ai shërbente në funksionin e ministrit të Punëve të Brendshme.

Dosja e plotë e me të gjitha dokumentet që botohet për herë të parë nga Memorie.al, ku përveç materialit “Tepër sekret”, të Byrosë Politike me akuza ndaj ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, publikohet edhe proces-verbali i Plenumit, ku Enver Hoxha dhe pjesa më e madhe anëtarëve të Byrosë Politike si: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Foto Çami, Hekuran Isai, Manush Myftiu, Simon Stefani, Haki Toska, Pali Miska, Prokop Murra, Spiro Koleka, Rita Marko, Lenka Çuko, Muho Asllani, Llambi Gegprifti, Vangjel Çerava, dhe Komitetit Qendror të PPSh-së, si; Nexhmije Hoxha, Gafur Çuçi, Xhelil Gjoni, Pilo Peristeri, Sofo Lazri, Piro Kondi, Petro Dode, Behar Shtylla, Shefqet Peçi, Qemal Bregasi, Dritëro Agolli, Mine Guri, Themie Thomai, Mehmet Elezi, Lumturi Rexha, Tefta Cami, Vito Kapo, Harrilla Papajorgji, Anastas Kondo, Miti Nito, Sulejman Baholli, Halil Leli, Jashar Menzelxhiu, Enver Halili, Ali Vukatana, Tahir Minxhozi, Naunka Bozo, Luan Muhameti, Rexhep Kolli, Ndreçi Plasari, Sofie Çuadari, Nezir Gorica, etj., jo vetëm kanë akuzuar ish-ministrin Hazbiu, si bashkëpunëtorin me të ngushtë të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, por edhe kanë debatuar ashpër me të gjatë gjithë mbledhjes së plenumit që zgjati dy ditë, duke i kërkuar atij që të jepte shpjegime për punën dhe veprimtarinë e tij që nga dita që ishte ulur në zyrën e ministrit, duke filluar nga marrëdhëniet e raportet me këshilltarët rusë, Konferencën e Tiranës në 1956-ën, e deri tek “bashkëpunimi i tij me grupet armiqësore” të kryesuara nga Teme Sejko, Beqir Balluku, Abdyl Këllezi dhe “poliagjenti” Mehmet Shehu, si dhe vendimet shkarkimet nga detyrat dhe për përjashtimin nga Komiteti Qendror të Rexhep Kollit, Nazar Berberit, Veli Llakajt, Ndreçi Plasarit, etj.

Vijon nga numri i kaluar

Proçes-verbali ‘Tepër sekret’ i mbledhjes së Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 13 dhe 14 tetor të vitit 1982

PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË

KOMITETI QENDROR Tepër sekret

-Sektori i Përgjithshëm-

PROCESVERBAL I MBLEDHJES SË PLENUMIT TË 5-TË TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 13 DHE 14 TETOR 1982

Plenumi i 5-të i Komitetit Qendror të PPSH-së në mbledhjen e datës 13-14 tetor 1982, mori në shqyrtim:

Materialin e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së “Mbi mungesën e theksuar të vigjilencës dhe gabimet e rënda të Kadri Hazbiut në kohën kur ishte ministër i Punëve të Brendshme”, si dhe autokritikën me shkrim që Kadri Hazbiu i drejtoi plenumit të Komitetit Qendror të Partisë.

Raportin e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së “Mbi gjendjen e transportit dhe masat që duhen marrë për forcimin e organizimit dhe zhvillimit të tij në shërbim të ekonomisë dhe të popullatës”.

Mbledhjen e kryesoi shoku Enver Hoxha, Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë.

Në mbledhje merrnin pjesë të gjithë anëtarët dhe kandidatët e plenumit të Komitetit Qendror të PPSH-së. Mungonte me arsye shoqja Marie Gjoni (Temali), kandidate e Komitetit Qendror të PPSH-së.

Në pikën e parë të rendit të ditës nuk kishte të ftuar, ndërsa në shqyrtimin e pikës së dytë, në datën 14 tetor 1982, merrnin pjesë shokët: Kostaq Lazri, ndihmës i sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Miti Nito dhe Mihal Bisha, shefa sektorësh, Halil Hasko e Zenel Hysi, instruktorë të Komitetit Qendror dhe Vançi Deti, punonjës në aparatin e Këshillit të Ministrave, i ngarkuar me çështjen e transportit.

Materialet e mbledhjes së plenumit u lexuan nga shokët e plenumit në grupe, para se të fillonte mbledhja.

ZHVILLIMI I MBLEDHJES

MBI MUNGESËN E THEKSUAR TË VIGJILENCËS DHE GABIMET E RËNDA TË KADRI HAZBIUT NË KOHËN KUR ISHTE MINISTËR I BRENDSHËM

SHOKU ENVER HOXHA: Në rendin e ditës janë dy çështje: e para, materiali i Byrosë Politike “Mbi mungesën e theksuar të vigjilencës dhe gabimet e rënda të Kadri Hazbiut në kohën kur ishte ministër i Brendshëm”.

E dyta, raporti i Byrosë Politike “Mbi gjendjen e transportit dhe masat që duhen marrë për forcimin e organizimit dhe zhvillimit të tij në shërbim të ekonomisë dhe të popullatës”.

Jeni dakord për këtë rend dite? (Të gjithë shokët u shfaqën dakord).

Atëherë fillojmë me pikën e parë të rendit të ditës.

Dëshiroj të them disa fjalë që tani, me qëllim që të mund të evitoj fjalën time në fund. Ju, shokë të plenumit të Komitetit Qendror, keni mendimin tuaj për gabimet jashtëzakonisht të rënda dhe me përgjegjësi të madhe të Kadri Hazbiut, kundër Partisë e pushtetit dhe sigurisht që atë do ta shprehni.

Të dy materialet ju i lexuat. I pari është, si me thënë, një tablo sinoptike e veprimtarisë armiqësore të Kadri Hazbiut, po që nuk ka marrë këtë emër. Është sinoptike, sepse në Byronë Politike kemi diskutuar shumë probleme të vështira, po ato nuk kanë mbaruar.

Do të shqyrtohen një për një të gjitha dosjet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, për të parë deri ku, në ç’mënyra e në ç’forma është zhvilluar kjo punë armiqësore. Por udhëheqja e Partisë duhet të jetë e ndërgjegjshme, që kjo është një punë armiqësore e thellë, e gjerë dhe me shumë njerëz: të rrezikshëm, më pak të rrezikshëm dhe të gënjyer.

Kjo punë armiqësore është zhvilluar prej një kohe të gjatë, që nga çlirimi i Shqipërisë. Baza armiqësore e elementëve kryesorë, si e Mehmet Shehut e disa të tjerëve, është më larg, bile edhe më larg se koha e Luftës Nacional-Çlirimtare. Origjina e kësaj pune, sikundër e dini, është që gjatë luftës, por sidomos pas çlirimit gjatë pseudo miqësisë me jugosllavët, me sovjetikët e të tjerë.

Që në atë kohë është krijuar në kokën e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, një punë shumë e rrezikshme armiqësore, e cila po të lihej dhe po të mos shpartallohej nga Partia pjesë-pjesë, sepse kjo ishte dialektike, nuk do të ekzistonte më Shqipëri socialiste, as Parti e Punës e Shqipërisë, por këtu do të mbretëronin kapitalizmi dhe borgjezia.

Prandaj ata që kanë marrë pjesë në këtë punë armiqësore janë armiq të pafalshëm. Këtë nuk e luan as topi.

Në Byronë Politike ne konstatuam se Kadri Hazbiu nuk bëri autokritikë të mirë. Na ka bombarduar me shumë “autokritika”, të cilat i’a kemi kthyer. Na ka bombarduar me letra “besnikërie”, për të cilat nuk ishte nevoja, dhe me letra të tjera për të shpjeguar diçka që nuk shpjegohej.

Tërë këto çështje, në mbledhjen e Byrosë Politike, të gjithë shokët i ngritën në parime të shëndosha marksiste-leniniste dhe, siç e themi në materialin që ju kënduat, i dhamë dorën Kadriut, i thamë që në qoftë se plenumi i Komitetit Qendror do t’i marrë masat më të rrepta, ne do të jemi dakord me të, sepse është Komiteti Qendror i Partisë ai që vendos për çdo gjë.

Është e natyrshme që çdo vendim i marrë nga Komiteti Qendror është më i drejtë, por ne Kadriut ia dhamë një shpresë. Në Byronë Politike i thamë ta fillojë punën nga e para nga “a”-ja, se ai ka bërë gabime të rënda, bile të pafalshme, ka bërë krime.

Kur lexova “autokritikën” e tij, konstatova se Kadri Hazbiu jo vetëm që nuk i ka marrë parasysh këshillat dhe ndihmën që i dha Byroja Politike, por është hedhur në sulm kundër Partisë, kundër udhëheqjes së saj dhe na akuzon duke thënë: “Ku kanë qenë ata që i paskan dërguar këta gjarpërinj në këto ministri dhe këtë “engjëll” në mes të gjarpërinjve”?!

Në shumë paragrafë të “autokritikës” së tij na bën dhe të akuzuar. Në një paragraf thotë: “Faji im është që këto nuk i kam dhënë me shkrim, po ua kam thënë me gojë shokut Hysni, po e po, por edhe shokut Enver. Dhe në qoftë se nuk i’a kam thënë shokut Enver, atij ia ka thënë Mehmet Shehu, i’a ka thënë Beqir Balluku”.

Këto janë akuza që ne i hedhim poshtë me neveri, për këto çështje do të thotë fjalën e tij edhe Komiteti Qendror i Partisë.

Pra, Kadriu, në vend që të ecte përpara, në “autokritikën” e tij ai ka bërë prapa. Dhe kuptimi i kësaj “autokritike” është për të pasur një dokument ku thotë: “unë jam i pafajshëm”, pavarësisht se “pranon” disa “gabime” kur thotë: “Ma kanë hedhur, nuk kam qenë vigjilent, nuk isha shumë i zhvilluar”. Kujt ia thotë ai këto? Neve na i thotë?! Armiku Beqir Balluku do t’ia hidhte Kadri Hazbiut?!

Nuk e njohim ne kush ishte Beqir Balluku?! Ai ishte një njeri që s’kishte kokë. Po pse u vu ministër? Po kë të vinim, Vehbi Hoxhën, fraksionistin?! Beqiri e çoi në rrugë të keqe Kadriun?! Domethënë Beqiri qenkej finok e Kadriu qenkej leshko?! Mehmet Shehu e gënjeu Kadri Hazbiun?!

Po pse nuk na gënjeu edhe ne Mehmet Shehu, e të thyente vijën e Partisë? Ai nuk na gënjeu dot, se kishte frikë nga Partia, kishte frikë nga udhëheqja e saj, po nuk kishte frikë nga njerëzit e tij.

Këtë Kadri Hazbiu nuk e ka kuptuar. Në “autokritikën” që i dha Byrosë Politike, thoshte që ashtu si edhe ne, ai kishte besim te Mehmet Shehu. Jo, Kadri, ne nuk kishim besim te Mehmet Shehu. Ne nuk e dinim që Mehmet Shehu ishte agjent, por ne e kemi atakuar atë në të gjitha ato momente kur ai bënte gabime.

Kur ai ndiqte vijën e Partisë sigurisht që ne nuk kishim ç’thoshim, kurse Kadri Hazbiu ka ndjekur vijën e Mehmet Shehut për 30 vjet me radhë dhe gjatë gjithë kësaj kohe, të mos shikosh në këtë vijë të Mehmet Shehut asnjë të çarë, por të evokosh se: “Këtë i’a kam thënë Mehmet Shehut”, “këtë ia kam thënë Beqir Ballukut”, “këtë i’a kam thënë shokut Hysni”, që tash për fat të keq nuk rron”, se kështu e ka thënë në “autokritikën” e tij, kësaj i thonë të mos pranosh asnjë gabim!

Mehmet Shehu ishte një terrorist dhe ai kërkonte të vriste një radhë shokësh, me qëllim që të merrte fuqinë, me puç, por Mehmet Shehu nuk ishte në gjendje, dhe asnjeri nuk është në gjendje të bëjë puç kundër Partisë. Një terrorist mund të më vrasë mua ose ndonjë shok tjetër, por është e pamundur ta kthejë Partinë pas qerres së tij. Kjo e bëri Mehmet Shehun që vrau veten.

(Duartrokitje dhe thirrje: Enver Hoxha, Enver Hoxha).

Ne e dimë që Veli Llakaj dhe Nazar Berberi kanë qenë te Mehmet Shehu, i kishte thirrur ai vetë disa ditë para se të vriste veten. E dimë që ai u kishte thënë se tanket e Saukut nuk duhet të lëvizin pa urdhrin e tij, po ai s’kishte të drejtë të jepte urdhër, këtë të drejtë e kisha unë si Kryetar i Këshillit të Mbrojtjes dhe ministri i Mbrojtjes.

Por edhe sikur të jepte urdhër ai dhe komandanti i tankeve ta zbatonte, tankistët, kur të merrnin vesh se po drejtohen drejt Komitetit Qendror, do ta shtypnin dhe do ta shqyenin e bënin copë atë komandant tanku që do të jepte një urdhër të tillë. Vallë këtë çmim kanë këta armiq për Partinë? Pse, me disa bajga si Feçor Shehun e Llambi Peçinin, do ta shtypte Partinë Mehmet Shehu?!

Ata ishin disa spiunë ordinerë e shumë të poshtër, kurse Kadriu nuk na thotë cilin kishte bashkëpunëtor kryesor Mehmet Shehu. Këtë duam të dimë ne. Cili është ai bashkëpunëtor kryesor, që në fakt i ka lejuar të punojnë të gjithë këta “minj”, por ama në kohën kur Mehmet Shehu të bënte atentatin, ta kishte si një mbështetje në popull e në Parti, domethënë të ishte i njohur si njeri i mirë, si njeri i butë, si njeri që të hedh dorën në qafë etj., etj.?!

Mehmet Shehu kishte nevojë për një njeri të tillë si mbështetje, se ai vërtet mund të vriste një shok, apo dy, por Partinë s’e vriste dot. E vranë Kirovin në Bashkimin Sovjetik, por Partinë nuk e tundën dot.

Pra, këtë duam ne të na thotë Kadriu dhe të na i thotë qartë të gjitha fajet e tij, se në “autokritikën” që na ka paraqitur, ai nuk merr asnjë faj. Kjo nuk është rruga që duhet të ndjekë një njeri, i cili quhet komunist.

Dhe në fund thotë: “Koha do ta tregojë”. Ç’do të thotë kjo? Kjo është një sfidë që do të thotë se këto që vendosim ne tash këtu, nuk janë të drejta, po koha do ta tregojë që ai është njeri i “pafajshëm”. Do të shohim se çfarë do të tregojë koha, ajo që tani e ka treguar se çështja e tij është shumë keq.

Unë këto kisha për të thënë. Tani ti, Kadri, ngrehu dhe përgjigju shokëve të Komitetit Qendror. Kush të dojë të bëjë pyetje dhe pastaj diskutime. Mua mos më pyesi, ju, shokë, jeni zotë në shtëpinë tuaj, edhe unë këtu në mbledhjen e Komitetit Qendror jam si ju, po drejtoj mbledhjen.

(Është çuar shoku Xhelil Gjoni).

SHOKU XHELIL GJONI: Lexuam “autokritikën” që ka paraqitur Kadri Hazbiu dhe materialet e Byrosë Politike dhe kam këto pyetje për Kadri Hazbiun:

Në të ashtuquajturën autokritikë të tij, ai nuk merr asnjë përgjegjësi konkrete, na thotë fjalë të përgjithshme si “mbaj përgjegjësi”, e të tjera, pyetjen unë e kam kështu: Ç’bëje ti Kadri si ministër i Punëve të Brendshme për t’i zbuluar armiqtë, gjë që ta kërkonte detyra?

Ti armiqtë i le rreth e rrotull, bile bile, siç tha dhe shoku Enver tani, nuk mjafton me kaq, po thua që “t’i prunë”. Kush t’i pruri? Feçor Shehun vetë e solle si kandidaturë “besnike”, për ministër të Punëve të Brendshme.

E dyta, a mund të na thuash se ç’do t’i ndodhte socializmit, Atdheut, popullit, Partisë sikur shoku Enver dhe Byroja Politike të mos i zbulonte dhe t’i dërrmonte këta armiq. Ti për këtë punë ishe në Ministrinë e Punëve të Brendshme, po ti vetë nuk i zbulove!

SHOKU ENVER HOXHA: Po, tamam, ashtu është.

SHOKU XHELIL GJONI: Në “autokritikë”, ndër të tjera thotë: “e kam zbatuar vijën e Partisë herë nga pozita oportuniste, herë nga pozita sektare”. Vetë autokritika e tij është provokuese dhe të detyron të bësh pyetje: Pse e ka zbatuar kështu vijën e Partisë?

Të zbatosh një politikë sektare, siç thotë ky, domethënë të mbash herë qëndrime sektare dhe herë oportuniste e ta bësh këtë në mënyrë të veçantë në organet e Punëve të Brendshme, do të thotë të kryesh krime kundër shtetit, domethënë t’i përkrahësh armiqtë që atakojnë në forma nga më të ndryshmet të krimeve dhe të biesh në liberalizëm, të biesh në krahët e armikut.

Të biesh në sektarizëm do të thotë të dënosh njerëz pa faj. Dy janë këto ligje të luftës së klasave, o këtej, o këtej, o me ne, o kundër nesh. Tani cila është përgjegjësia, si e shpjegon ti Kadri këtë qëndrim se kjo nuk është thjesht një ideologji, po është politikë konkrete/Memorie.al

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

DOSSIER

Rrëfëmi i ish-kreut të shërbimit sekret: Kur Papandreu filloi përgatitjet për heqjen e Ligjit të Luftës me Shqipërinë

Me ngjarjet e Kosovës qarqet ekstremiste filluan të gjallërrojnë në Greqi”. Kështu shprehet studiuesi dhe eksperti i Çështjeve të Sigurisë Kombëtare, Irakli Koçollari, I cili vjen në një rrëfim të jashtëzakonshëm në “Mes dy botëve” përballë kavaletit të Helidon Halitit në RTSH. Si një ish diplomat, Koçollari, kujton vitet ’80 ku në Greqi ngritën kokë qarqet nacionaliste, ndërsa flet dfhe për Ligjin e Luftës mes dy vendeve tona. “Me ngjarjet e Kosovës qarqet ekstremiste filluan të gjallërrojnë në Greqi. Tamam në atë kohë shfaqet një libër në gjuhën greke, “Dy popuj jemi miq” (Libri i Enver Hoxhës), i cili ishte një mesazh për të thënë që ne jemi miq. Ai rendit atje disa fakte historike. Mendoni që ishte në të njëjtët kohë që ishin konfliktet dhe ishim tensionuar ekstremisht më ish-Jugosllavinë. Duhet ditur që Jugosllavia ishte fuqia e pestë ushtarake në Europë. Raportet me Greqinë duheshin të ishin raporte të mira dhe të sinqerta. Aq më tepër duke marrë në konsideratë kontributet e shqiptarëve në historinë e popullit grek, veçanërisht në pavarësinë e saj janë unike. Dhe këto shërbyen si fakt. Ata mbanin Ligjin e Gjendjes së Luftës dhe ti je midis dy luftërave, por asnjë vend ,qoftë dhe fuqia më e madhe në botë nuk e ka përballuar dot luftën në dy fronte. Në këtë kohë filluan përgatitjet nga qeveria “Papandreu” për heqjen e Ligjit të Luftës”, shprehet Koccollari.

Ai nënvizon se kjo nismë e Papandreut acaroi edhe më tej qarqet ekstremiste greke, ndërsa tregon dhe ngjarjet e atyre viteve gjer në djegien e automjeteve te ambasadës sonë atje. “Në atë kohë ka pasur një fushatë ekstreme antishqiptare, i ka të pakontrolluara ato qarqe. Shumë nga këto qarqe, vërtet mund të dalin nga rrjeshti, por në një shtet serioz veçanërisht për çështje që cenojnë sigurinë e saj dhe raportet e sja ndëkrombëtare, nuk duhet t’i lejojë kurrsesi. Iniciativa dhe mendësia për një miqësi mes dy popujve i takon Papandreut. Në atë kohë u bënë dhe akte të shëmtuara. Bënë demostrime para ambasadës, zjarr makinave, për të mos thënë hedhje në erë të makinave tona që publiku nuk i di. Kanë djegur komplet makinën”, thotë Koccollari.

Studiuesi Koçollari shprehet se trodjet e shqiptarëve nuk kanë qenë treva ekspansioni, por ristriksioni.
“Brumi i mentalitetit të një populli është ai që është ngjizur ndër shekuj. Nuk e bëjnë 20 apo 30 vite. Në tërë historinë para shpalljes së shtetit shqiptar, por dhe përpara asaj dhe më pas asaj, çuditërisht po ta shikojmë, ne nuk kemi asnjë autor, asnjë studiues, asnjë politikan shqiptar me pikëpamje dhe mendësi ekspansioni kundër fqinjëve. Nuk ka. Të tjerët kanë platforma. Serbët në veri dhe grekët në jug kanë njerëz të ngritur që i konsiderojnë si balllarët e vendeve të tyre që kanë bërë platoforma për shkombëtarizimin dhe ekspansion kundër popujve fqinjë si Shqipëria.
Nëse do të përmend këtu serbët kanë deri në nobelistë që thonë: “Të theren shqiptarët”, “Të vriten shqiptarët”. Më gjej një shqiptar të thjeshtë që thotë “Të shfarosen serbët”?!.Nuk kemi një platformë os etë punuar qoftë dhe nga një individ me urrejtje nacionale apo me pretendime territoriale ndaj të tjerëve.
Gjithmonë kru diskutojmë për këtë temën më vjen në mendje një frazë e Çabej kur flet për shtrirjen territorial historike të popullit tonë dhe gjendjen faktike të trojeve shqiptare dhe të shtrirjes së popullsisë shqiptare sot. Thotë: “Trojet e shqiptarëve nuk kanë qenë treva ekspansioni, por ristriksioni”. Gjithmonë të mbledhura dhe kemi arritur këtu ku jemi. Unë s’dua të bëj tani nacionalistin, por të vërtetat historike janë të vërteta historike”, shprehet ai.

Continue Reading

DOSSIER

Arkitekti i njohur: Muzeun e Krujës nuk e projektoi vajza e Enver Hoxhës, por unë

Nga Ani Jaupaj

Pasi e kishin shtyrë për vite të tëra realizimin e këtij muzeu, Enver Hoxha vendosi më në fund që ta ndërtonte pikërisht atëherë, kur e bija të diplomohej në Arkitekturë. Kjo do të ishte mbrojtja e saj e diplomës, sado që nota ishte e padiskutuar. Arkitekti Robert Kote dhe gurgdhendësi Kurt Murati, na tregojnë sot të vërtetën.  Siç e gjithë Kruja pohon; muzeun e këtij qyteti e ka realizuar zbatuesi i projektit, Robert Kote dhe jo projektuesja Pranvera Hoxha. Inxhinieri e arkitekti Robert Kote, punën që bëri në muzeun e Krujës do ta bënte patjetër, për sa kohë ishte me urdhër nga lart. Vetëm se urdhri i kishte ardhur shumë vite përpara realizimit. Askush nuk po e kuptonte se çfarë ndodhte, pse po vonohej puna, pse po lihej pezull…! Papritmas, një ditë e thërrasin sërish, tashmë për ta përfunduar…!

Profesor Roberti, si është historia e Muzeut të Krujës?

Historia e muzeut ka nisur shumë vite përpara se të punohej vërtet me të. Në vitin 1967, Enver Hoxha bëri një vizitë në Krujë, gjatë së cilës vizitoi edhe muzeun e vjetër. Pas kësaj bëri një letër, në të cilën e kritikonte, duke thënë se nuk i kishte pëlqyer ky muze. Në këto kushte, sinjali ishte i hapur që; “merrni masa të bëni një tjetër”.

Kjo ka qenë koha kur unë, bashkë me një mikun tim që jetonte në Krujë, nisëm të bënim projektet e hamendësimet e para. Si mund të ishte, ku mund të ndërtohej?! Letra thoshte vetëm që s’i pëlqente, por nuk jepte indikacione të tjera. Si përfundim, asgjë nuk u bë. Kaluan disa vite. Unë isha pedagog në Fakultetin e Inxhinierisë, kur më thërrasin sërish. Në një takim me ministrin Thoma Deliana dhe Aleks Budën, vendosim të shkojmë në Krujë, për të parë terrenin.

Jo. Shkuam të tre bashkë me Foto Çamin, që ishte sekretari i parë i Komitetit Partisë së rrethit të Krujës dhe asnjëri nuk merrte përsipër të thoshte një mendim, donin ta anashkalonin, sepse u druheshin fjalëve të Enverit. Kështu u larguan nga vendi të gjithë me radhë dhe nuk u mor asnjë vendim. U kthyem sërish në Tiranë, pa bërë asgjë. Ngeli sërish varur kjo çështje për disa vite, deri sa një ditë na vjen papritmas lajmi, se do të ndërtohej muzeu.

Nga Enver Hoxha, projekti i atij muzeu, unë e kam thënë gjithnjë që ka lindur në shtëpinë e tij. Sidoqoftë, neve na erdhi kaq papritur të gjithëve, por kuptohet askush nuk guxonte të fliste.

Çfarë kishte ndodhur papritmas?

Pranvera, e bija, studionte për Arkitekturë dhe kishte ardhur koha të mbronte diplomën. E bëri me këtë projekt.

Jo, të gjithë fëmijët e udhëheqësve, kanë qenë studentët e mi, e bija e Hysni Kapos e, me radhë, por Vera jo. Më duket kam qenë në Kinë, në vitin kur i takonte t’i jepja lëndën.

Kurt Murati, një nga punëtorët e muzeut, na ka thënë se megjithëse në letër ishte emri i Pranverës, nuk ngelën shumë gjëra nga plani. Pra, u tjetërsua. Thotë se në fakt, e keni bërë ju…?

Në Krujë kështu thonë të gjithë. Në fakt, zyrtarisht unë isha zbatuesi i projektit, pavarësisht se projekti ishte fare diletant, për ta lënë ashtu. Kur ma dhanë, unë ia thashë këtë gjë Xhemal Dymyles, ish-sekretar i parë i Komitetit të Partisë në Krujë. Përgjigjja e tij ishte; shih e bëj vetë, rregulloji gjërat.

Ju çfarë bëtë? E tjetërsuat?

Bëra shumë ndryshime. E para sepse zbatimi i projektit, do bërë në përputhje me terrenin, me gjetjet arkeologjike. Gjatë punimeve, mund të dalin shumë gjëra të paparashikuara, që të bëjnë të ndryshosh planet. Por, përveç tyre, bëra ndërhyrje të tjera.

Si reagoi Pranvera ndaj kësaj, puna e saj s’po bëhej ashtu siç e kishte dhënë…

Ndryshimet po bëheshin për mirë, kështu që s’kishte pse të reagonte.

Po mund të ketë ardhur rreth 5 herë, në ato 4 vite e dy muaj që u ndërtua muzeu, jo më tepër. Një herë ishte për një intervistë që ka dhënë në muze, për Alfons Gurashin. Unë nuk e kam parë kurrë atë intervistë, ama e di që është bërë. S’di pse nuk e kanë shfaqur kurrë. Nejse…!

Në fillim, kur sapo nisi puna, Pranvera ishte më duket në Francë dhe nuk erdhi, pastaj kur u kthye erdhi e pa. Ndërkaq, unë kisha bërë 2 metra mur, të cilin e prishën, sepse nuk u pëlqente. Kaq. Por në mënyrë të vazhdueshme ata i ndiqnin punimet përmes filmimeve dhe fotografive që u shkonin përherë. Ishte një person i ngarkuar enkas me këtë punë, të fotografonte e filmonte.

A patët ndonjë “konflikt” gjatë kësaj periudhe? Jo se ju mund që t’i kthenit fjalë, por pakënaqësitë duken…?!

Jo, nuk pati pakënaqësi, për fat përfundoi me sukses, përveçse u vonua ca në kohë.

A nuk ishte kjo pakënaqësi për ta?

Edhe mund të ishte, por nuk kishte alternativa të tjera. Për kohën raportohej vazhdimisht. Merrej me këtë punë Ramiz Alia, i cili kur më pyeti një herë, i thashë të vërtetën, se nuk mund ta përfundonim, siç ishte parashikuar. Pas kësaj, ai na mblodhi bashkë me Pranverën dhe ministrat. “Pse jepni informacion të gabuar? – tha”. Ndërkaq, i kishte shkuar Enverit një letër nga banorë të Fierit, për një sallë teatri, që ishte shumë e vogël. U tërhoqi vërejtje për këto dy gjëra, muzeun dhe sallën.

Përfundoi një vit e pak më vonë, sepse edhe po të arrihej si ndërtim, nuk do mund të arredohej. Dhe në fakt, edhe ashtu siç u arredua, ishin sajesa, sepse ai quhet vërtet “Muzeu i Skënderbeut”, por prej tij e kohës së tij, aty nuk ka asgjë. Sidoqoftë, pas mbledhjes u dhanë disa fonde shtesë, në mënyrë që të realizohej.

Çfarë reagimesh kishte, pasi e përfunduat punën?

Reagimet ishin të mira, muzeu u pëlqye, megjithatë qëndrimet e tyre ndaj meje, nuk di pse, qenë gjithnjë jo të mira. Mua më kishin qarkulluar në Krujë, përpara kohës së muzeut dhe, në përfundim të tij, Pranvera më kishte premtuar, se do të më transferonte në Tiranë.

Ishte premtim që ajo e bëri publikisht në sy të të gjithëve, por nuk e mbajti. Edhe Ramiz Alia, sado që i thashë disa herë, nuk e bëri. Nuk e kam kuptuar këtë reagim, megjithatë, ndaj ne “punëtorëve” që realizuam muzeun, ngeli gjithnjë një qëndrim jo fort miqësor, meqenëse ishim të gjithë si me biografi jo të mirë. Prandaj edhe vendosën të mos na përfshijnë as në fotografinë përfundimtare, që u bë pas inaugurimit. Morën pjesë në të vetëm artistët, ne jo.

Erdhi Enver Hoxha në inaugurimin e veprës së vajzës së tij?

Mbaj mend se Sulo Gradeci, erdhi me një makinë të vogël në ngjyrë portokalli, me të cilën tentoi të hynte në Kalanë e Krujës. Por Enver Hoxha nuk erdhi. Të gjithë u çuditëm përse Enver Hoxha, nuk kishte ardhur për në inaugurimin zyrtar!

Si është e mundur, u kujdes kaq gjatë për ta realizuar?

Jo vetëm u kujdes, por faktikisht, ajo quhet vepër e Enver Hoxhës. Ne pritëm deri më datë 1 nëntor të vitit 1982, që të vinte Enver Hoxha, shikonim të gjithë se kur do të vijë, por asgjë. Nga Byroja Politike, erdhën të gjithë, që nga Nexhmie Hoxha, Ramiz Alia, etj., por ai nuk erdhi. Kjo ngelet një enigmë, që nuk ka marrë ende një përgjigje konkrete.

Ai ndoshta mund të ketë qenë i sëmurë. Më vonë u hapën dhe fjalë që donin ta vrisnin me atentat, pasi e kishin parashikuar se do të vinte atje. Por këto ngelen vetëm fjalë. Kujtoj se në atë kohë u arrestuan disa njerëz me origjinë kosovare, në Laç dhe në Fushë-Krujë, por a kishin lidhje me të, apo jo, kjo nuk dihet!

Gur-gdhendësi Kurt Murati: “Projekti i Pranverës, i ngjante një bunkeri”

Kanë kaluar aq shumë vite, saqë Kurt Murati nga ndërtimi i Kalasë së Krujës, kujton vetëm “ngjarjet kryesore”. Ai vetë ka qenë gurgdhendës për tre vite. Do ta çonte punën deri në fund, po ta lejonin. Si çdo ndërmarrje, rrugë a shtëpi, edhe aty ishin të dërguarit e posaçëm, për të marrë e çuar zëra.

Jo se dëgjohej ndonjë gjë, kush të pipëtinte, po ngjarjet mund të krijoheshin edhe vetë. Ndër gurgdhendësit, Kurti ishte më i vjetri, përvoja e të cilit njihej jo vetëm në veprat e qytetit ku banonte. Për këtë, përveçse të skaliste gurin, shkëmbente shpesh mendime me zbatuesit e projektit. Zbatuesi nga ana e tij, marrëdhëniet i kishte me realizuesin.

Zyrtarisht, Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” mban firmën e arkitektes Pranvera Hoxha dhe të Pirro Vasos. Emri i këtij të fundit, nuk kishte pse të lakohej kaq shumë. Fundja, asokohe, të gjithë përmendnin vetëm Pranverën. Në fund të viteve ’70-të, e bija e Enver Hoxhës, po i dhuronte vendit një vepër të madhe. Por cila është e vërteta e këtij muzeu? Me aq sa kujton, Kurt Murati, ai që e ka bërë me dorën e tij muzeun, na tregon…:

Kush e ka bërë projektin e Muzeut të Skënderbeut nw Krujë?

Përveç rëndësisë që ka ai muze, si ndër pak më të rëndësishmit në Shqipëri, në kohën që nisi ndërtimi, u bë dyfish i rëndësishëm për shkak të emrit të arkitektes, asaj që bëri planin e parë të Muzeut, Pranvera Hoxha.

Pse planin e parë, pati të dytë?

Në letra jo, d.m.th., zyrtarisht jo, që të dihej nga të tjerët.

Çfarë duhet të dinin të tjerët?

Që pavarësisht të gjithave, vlerave të arkitektes e të tjera, atë muze e ka bërë zbatuesi i planit. Arkitekti Robert Kote, që si edhe unë ishim me “njollë” në biografi, thuajse e ka ribërë projektin e parë. Natyrisht këto gjëra nuk thuheshin lart e poshtë, askush nuk merrte vesh se ç’bëhej, por ata që kishin parë planin e parë të punës, e kishin shumë të thjeshtë më pas të bënin ndryshimin.

Ishte një projekt i ngjashëm me bunkerin, por asgjë nuk u bë nga ajo, u tjetërsua e mori pamjen që mund të shihni sot. Memorie.al

Continue Reading

DOSSIER

Gazeta amerikane: 1 milion e 250 mijë banorë, sundohen nga 48 mijë komunistë të cilët, i betohen për besnikëri diktatorit bukurosh dhe mizor Enver Hoxha…

“Ashtu si ferri i Dantes, komunizmi ka nivele të ndryshme të tmerrit dhe mizerjes. Javën e kaluar, një ministër kabineti i qeverisë thellësisht staliniste shqiptare, gjeneral-major Panajot Plaku, u arratis nga atdheu i tij, duke rendur në mes të natës nëpër shtigjet që pat mësuar së pari si partizan në Luftën e Dytë Botërore, për të kaluar në Jugosllavi. Plaku është komunisti i rangut më të rëndësishëm mes 5-6 mijë shqiptarëve, që i janë larguar errësirës së atdheut të tyre, që nga koha e luftës…”! Kjo hyrje është pjesë e një shkrimi jo të gjatë të edicionit të datës 3 qershor 1957, të revistës amerikane ‘Time Magazine’.

Arratisja e madhe kishte ndodhur në mesnatën e 15-16 majit 1957, pra rreth dy javë më parë; lajmi ishte shokues dhe efekti zgjati disa vjet, sepse megjithëse brenda një vendi të izoluar ilaçi gjendet shumë shpejt, duke e etiketuar ushtarakun e njohur si; “tradhtar, armik, agjent”, etj., etj., buja do të vazhdonte jashtë Shqipërisë, në Lindje dhe në Perëndim.

Aq sa çështja Panajot Plaku do të kthehej edhe në objekt bisede mes Enver Hoxhës e Mehmet Shehut. nga njëra anë, dhe Nikita Sergejeviç Hrushovit. nga ana tjetër. “Pse nuk e rishikoni qëndrimin tuaj ndaj Panajot Plakut, dhe ai të kthehet në atdhe”? sugjeroi lideri sovjetik, gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 1959. Përgjigja nuk linte vend për ekuivoke: “Panajotin nuk kemi ndër mend ta falim. Bile po të na e sillni në Shqipëri, do ta varim në mes të Tiranës”!

Në bazë të studimit të disa dokumenteve interesante të historianit Albert Kotini, ne jemi përpjekur në këtë shkrim të rindërtojmë historinë tashmë prej kohësh të harruar të Panajot Plakut. Arratisja e ministrit shqiptar, nuk ishte e rastësishme. Nuk ishte as makinacion agjenturash, nga ato që diktatura komuniste nuk e kishte të vështirë t’i artikulonte: “Dali Ndreu e Liri Gega u kapën pa mundur të arratiseshin, ndërsa Panajot Plaku, ia doli me ndihmën e Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut”, siç do të thuhej shumë vite më pas.

Historia duket të jetë mjaft më e thjeshtë se kaq, atij po i rrezikohej jeta personalisht, pasi pothuajse të gjithë njerëzit e spikatur të familjes dhe farefisit, po ia eliminonin një nga një. Dhe në vendin që sipas Time-s; “një milion e 250 mijë banorë, sundohen nga 48 mijë komunistë të cilët, i betohen për besnikëri diktatorit bukurosh dhe mizor Enver Hoxha”, këto fenomene nuk ishin të pazakonta. Megjithatë, e pazakontë dhe e rëndë akoma dhe për një diktaturë, ishte sjellja e regjimit ndaj Panajot Plakut dhe familjes së tij.

Në kartelën e tij personale me numër 21, jepen këto të dhëna: “Është arratisur në Jugosllavi më 15 maj 1957. Ka lindur në Hoçisht të Korçës, më 17 mars 1919. Flet dhe shkruan gjuhët rusisht, italisht dhe më pak anglisht e frëngjisht. Josif Plaku, është arrestuar, si babai i Panajotit, në vitin 1940 nga regjimi në fuqi. Ka dy vëllezër dhe dy motra, të quajtur Kalo, Koço, Theodora e Meri Plaku. Ka patur si pronë 18 ha. tokë, 2 shtëpi, 7 lopë dhe tre kuaj, të cilat ia dorëzoi të gjithë Reformës Agrare, me përjashtim të një dynymi.

Ka mbaruar shkollën fillore 1926-1931, në Hoçisht, shkollën e mesme Teknike, shkollën Unike 1934-1936, në Korçë dhe atë ‘Normale’, 1936-1941 në Elbasan. Anëtar i Partisë Komuniste që nga 21 korriku 1942, me numër tesere 012334, lëshuar nga Komiteti i Partisë së Tiranës. I pa përjashtuar nga partia. Është arrestuar më 12 prill 1942 nga fashistët italianë, për pjesëmarrje në demonstratë dhe është mbajtur në burg 3 muaj. Pas lufte, ka qenë me delegacione në Itali dhe në Bashkimin Sovjetik. Të gjithë pjesëtarët e familjes dhe gruaja, Vjollca, kanë qenë pjesëmarrës të Luftës Antifashiste. Në 28 nëntor 1944 gradohet nën/kolonel”.

Në karakteristikën e punës, firmosur nga ministri i Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku, renditen të gjitha të dhënat e tjera, që nga gradimi i parë pas lufte, si kolonel, më 1 korrik 1951, detyrat në luftë si partizan i thjeshtë në çetën e Devollit, deri në zv/komisar i Brigadës së Parë. Nuk harrohet të përmendet fakti që Panajoti, kishte një xhaxha në Amerikë, Vangjelin, një intelektual me dy doktoratura. Kthehet pas studimeve 1948-‘50 në Akademinë Ushtarake sovjetike “Voroshillov”, si komandant divizioni.

Ajo çka binte në sy tek Panajot Plaku, përveç talentit dhe inteligjencës që shquante tek gjithë fisi e tij, ishte shpirti i lirë, thënia e mendimit troç edhe kur binte ndesh me eprorët, çka në zhargonin zyrtar, do të përkthehej: “Nuk është i disiplinuar në shkallën që duhet të jetë një komandant divizioni, dhe me shumë zor i zbaton urdhrat, e çmon shumë veten. Do kontroll të fortë dhe seriozitet nga lart”.

Dhe ai që nuk kishte bërë asnjë autokritikë deri në vitin 1950, detyrohet ta bëjë këtë pas kthimit nga Bashkimi Sovjetik, “para shokëve gjeneralë; Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Bedri Spahiu dhe Teodor Heba”. Por çfarë ndodhi në jetën e Panajot Plakut, derisa ai vendosi “të tradhtojë”?

Vëllai i Panajotit, Jorgo Plaku, ishte shpallur dëshmor, pasi u vra më 7 janar 1944, sipas deklaratave zyrtare, “në përpjekje me armiqtë”, por në fakt u qëllua nga pas, ndërsa ishte duke ecur në kolonë me shokët pranë Voskopojës, dhe kur “armiq” nuk kishte asgjëkund. Megjithëse dëshmitarët kishin heshtur që prej asaj kohe, familjarët patën gjithmonë dyshime. Radha do t’i vinte më pas vëllait tjetër të Panajotit, Kalo Plaku, dy vjet më i ri.
Komisar batalioni në kohën e luftës, Kalo emërohet në vitin 1945 në Berat, si oficer i Ministrisë së Brendshme.

Duke parë torturat dhe bastisjet që u bëheshin familjeve të tëra nga regjimi i sapo-instaluar, ai neveritet dhe kërkon të lirohet nga uniforma. Kalon në bujqësi dhe në vitin 1952 emërohet drejtor i fermës së Sukthit. Menjëherë pas tij, emërohen në poste drejtuese të fermës edhe dy ish punonjës të Sigurimit, të cilët do t’i viheshin pas për katër vjet me radhë.

Në 12 qershor 1956, Kalo Plaku niset herët në mëngjes për punë, sepse fillonte fushata e korrjeve. Në mbrëmje, shoferi i tij i ri (i ardhur një vit më parë, dhe më pas me karrierë shoferistike në Komitetin Qendror të PPSh-së dhe nëpër ambasada), e lajmëron se makina ishte prishur. Kalo fle ku e zë nata dhe të nesërmen në mëngjes, pi një gotë dhallë që do të ishte e fundit. Nxjerr shkumë nga goja dhe vdes në moshën 35 vjeçare, “sepse iu zmadhua zemra”!

Sapo trupi i të vëllait mbërrin në shtëpi, Panajoti i nxjerr të gjithë përjashta, merr kufomën dhe e çon në Tiranë, për autopsi. I kërkon Llambi Ziçishtit, ministrit të Shëndetësisë, t’i bënte autopsinë, dhe përgjigja ishte; “Zmadhimi i zemrës shkaktoi vdekjen”. Por në autopsi, mori pjesë edhe një mjeke sovjetike. Konstatimi i saj? Ndryshonte rendi i lidhjes shkak-pasojë: “Ishte vdekja ajo që solli zmadhimin e zemrës”. Panajoti kërkoi përgjigje të tjera nga Hungaria, por ato nuk erdhën kurrë.

Në shtëpinë e ministrit pa portofol, vijnë për ngushëllim gjithë anëtarët e Byrosë Politike, me Enverin në krye. Kur Panajoti ia përsërit udhëheqësit konkluzionin e mjekes sovjetike, duke i kërkuar në sy një analizë tjetër për të vëllanë, ky nxihet dhe hesht. Aq më tepër që pak kohë më parë, (siç ka deklaruar pas viteve ‘90-të, ish titullari i lartë i viteve të para pas çlirimit, Nexhmi Ballka), kishte patur një debat me Panajotin, pasi ky i fundit nuk ishte aspak dakord, që Rita Marko të hynte në Byronë Politike.

Panajot Plaku po vërente se po ia vrisnin, degradonin apo përjashtonin nga partia, për një arsye apo një tjetër, gjithë familjarët dhe fisin që kishte nxjerrë vetëm partizanë dhe më vonë plot 28 komunistë idealistë dhe individë të talentuar. Në të njëjtën kohë, atë e kishin promovuar në ministër, çka mendja e tij e stërvitur, e përktheu menjëherë si rrahje e shpatullave, para prerjes së kokës. Ndaj konkludoi se kishte ardhur radha e tij. Vendosi të arratisej. Urdhëron shoferin të bëjë gati makinën, se do të shkojnë në Pogradec, për punë. Në Qafë Thanë, zbret pak për “t’u çmpirë”, merr një monopat dhe nuk kthehet më.

“Ika nga Shqipëria se Enver Hoxha më helmoi vëllanë”. Lajmi i dhënë nga agjencia jugosllave e lajmeve TANJUG, mori dhenë. Pas tronditjes fillestare, Tirana merr menjëherë kundërmasat dhe në shtypin zyrtar, botohet një artikull ku nëna e “tradhtarit”, Kostandina Plaku, mallkon qumështin që i ka dhënë të birit. Por ç’kishte ndodhur në të vërtetë?

Sipas rrëfimeve në vitet e para ‘90-të të Pandora Plakut, gruas së Kalos së helmuar, vëllai i vogël i Panajotit dhe gjeologu i talentuar Koço Plaku, mori një ftesë të çuditshme: “Frrok Pjetër Gega, i sapozgjedhur në Komitetin Qëndror të PPSH-së dhe komshiu përballë shtëpisë sonë, kishte thirrur Koçon në shtëpinë e tij dhe pas 3-4 orë bisedimesh midis tyre, Koço vjen me tekstin e artikullit në dorë.

I bërë meit në fytyrë, me zë të dredhur, ia jep të ëmës letrën në dorë dhe i thotë: “Firmose, po na deshe edhe neve të tjerëve”. Kuptohet që tekstin Frrokut, ia kishin dhënë gati, sepse niveli i tij prej punëtori, nuk e bënte dot edhe pse më vonë u bë Zv/ministri i Punëve të Brendshme. Kostandina Plaku firmosi tekstin e gatshëm, ku mallkonte të birin; “Harram qumështin e nënës”.

Dhe ‘mjeshtëria’ e Sigurimit, nuk kishte fund. Për të neutralizuar çdo deklaratë të Panajotit të arratisur, Pandora vijon të figurojë komuniste, për të ruajtur versionin zyrtar, se i shoqi “vdiq në krye të detyrës”. Fëmijëve të Kalos, u jepet shkolla e lartë, paçka se natën.

Panajot Plaku ndihet gjysmë i burgosur në Jugosllavi. Ai flet kundër regjimit, në të cilin më parë ishte hierark i lartë, në intervista të ndryshme, ndërkohë që i dërgoi Hrushovit një letër të gjatë, ku rendit të gjitha stalinizmat e liderit shqiptar, Enver Hoxha. Kërkon të shkojë në Bashkimin Sovjetik, por Tito nuk e lë të ikë. Gjatë kësaj kohe, nuk kishte rast më të mirë për Tiranën zyrtare, për ta përfshirë Panajot Plakun, në grupin agjenturor dhe regjim-përmbysës të radhës, e në këtë mënyrë ta pajisnin edhe atë me një dosje, për t’u pasur zili: Ishte “zbuluar” banda e Teme Sejkos, me kompani!

Gazeta “Bashkimi”, e numrave të majit 1961, është e mbushur me deklaratat në gjyq të “komplotistëve”, që kishin synuar përmbysjen e diktaturës me ndihmën e të gjithëve: Rusë, grekë, jugosllavë, amerikanë e anglezë. Kolektivat punonjës dërgojnë letra falënderimi për Partinë, që zbuloi këtë grup të rrezikshëm: nga Uzina “Enver”, nga kooperativa “Stalin” e Krutjes, nga ajo “Mao Ce Dun” e Divjakës, e deri nga kooperativa e Konispolit, për të dhënë përshtypjen se; çamët e dënojnë tradhtinë e Teme Sejkos dhe se ai meriton plumbin ballit.

Po Panajot Plaku? Ai kishte qenë ndër organizatorët kryesorë të kryengritjes, për të cilën paskëshin financuar mbi 20 organizata ndërkombëtare spiunazhi, dhe nëse në përfundim të farsës gjyqësore, Aranit Çela kërkoi dënim me vdekje për Teme Sejkon, Tahir Demin, Avdul Resulin, Hajri Manen, etj. Panajot Plaku, me këto akuza që u dhanë në pretencën e prokurorit, do të mund “të varej prej gjuhe”. Sigurisht, asnjë krim, asnjë spiunazh nuk u faktua, përveç deklaratave të dëshmitarëve të rremë dhe rrëfimeve të nxjerra prej të pandehurve të shqepur në dru.

Në korrik 1966, Panajot Plaku vdes papritur në Beograd, në moshën 47 vjeçare, nga zemra. Sërish “zemra”, në fisin Plaku. Shumë interesante kjo copëz e artikullit të “Zërit të Popullit”, të datës 19 korrik 1966: “Do të vijë me siguri dita, kur edhe gjithë armiqtë e popullit shqiptar, që janë grumbulluar në Jugosllavi, të japin llogari për veprën e tyre tradhtare. Fati i tyre, nuk do të jetë më i mirë nga ai i tradhtarit Panajot Plaku, i cili vdiq (ose u vra nga padronët e tij, si limon i shtrydhur), si spiun, si provokator…”!

Pse do ta vrisnin jugosllavët Plakun, tashmë profesor në universitetin e Beogradit?! Cilin profesionist në “zmadhimet e zemrës”, ngarkoi me këtë detyrë Sigurimi Shqiptar?! Kjo ndoshta pak rëndësi ka sot. Ajo që vlen më tepër, është të theksojmë se çuditërisht, pas kaq dekadash, mbi këto “grupime armiqësore” dhe “tradhtar”, si Panajot Plaku, ende rëndon damka e vjetër për të cilën shumë pak përpjekje janë bërë për ta hequr. Të gjithë shokët e shkollës dhe të luftës të Panajot Plakut, si; Rrahman Parllaku, Skënder Malindi, Myfit Guxholli, pas viteve ‘90-të, kanë folur me respekt për kapacitetin e tij, si më i shkolluari, më cilësori, kurajozi dhe njeri me karakter…!

Sa për sagën e familjes Plaku, e ëma e Panajot Plakut, Kostandina, për fatin e saj, vdiq në vitin 1970, duke mos mbetur gjallë për të parë fundin e “të fundmëve të familjes Plaku”. Dhe ishte radha e shkencëtarit të gjeologjisë, kryeinxhinierit Koço Plaku, i cili kishte mbetur gjallë deri atëherë, vetëm për hir të gjenisë së tij profesionale. E radhisin në “grupin e sabotatorëve të naftës”; kishin filluar spastrimet e 1974-ës.

Ndër krimet e tij më të rënda, seria e plotë e veprave të Dostojevskit, çka mjaftonte për ta pushkatuar. Lipe Nashi, që i shpëtoi pushkatimit, ka treguar më pas se; “Në gjyq, vetëm Koço Plaku, nuk ka treguar falje, ndërsa ne të tjerët po”. Koço e kish të qartë: “Enver Hoxha më ka vrarë vëllezërit. Nuk do të kërkoj falje dhe këtë e di ai, siç di që do të më vrasë edhe mua”.

Hyn edhe një herë në lojë makiavelizmi i Sigurimit të Shtetit me tredhjen shpirtërore të njerëzve: Koço ka shkuar me të shumtët, por vëllai i gruas së tij, mbetet anëtar partie. Nga ana tjetër, i biri i të helmuarit Kalo Plaku, Jorgo, sapo mori diplomën e inxhinierit, caktohet të punojë në veprën gjigante të Fierzës, ku shkëlqen.

Në 9 dhjetor 1980, familja e tij njoftohet për rrëzimin e një mikrobusi në lumin Drin, ku gjeti vdekjen dhe inxhinieri Jorgo Plaku, me diagnozën zyrtare; “Asfiksi nga mbytja”. Familjarët kërkuan hapjen e arkivolit ato dhjetë minuta që i lanë ta qanin viktimën në shtëpi. Dhe panë se pjesa e pasme e kokës së viktimës, ishte e çarë. Me goditje./ Memorie.al

Shkruar nga Alqi Koçiku

 

Continue Reading

DOSSIER

Zbardhen dokumentet e deklasifikuara të CIA-s të vitit 1951: Roli i Mehmet shehut në vdekjen e ministrit të Transporteve

CIA ka zbardhur detajet e kongresit të Sigurimit të Shtetit të mbajtur më 1952. Përmes një artikulli të deklasifikuar, tregohen fjalimet e Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut. Një pikë e rëndësishme në diskutime ka qenë dhe për moralin e pjesëtarëve të Sigurimit të Shtetit. Nga ana tjetër, aty deklarohet se gjatë kohës që diskutohej për Sigurimin, Mehmet Shehu, u njoftua për vdekjen e ministrit Niazi Islami.

E përditshmja greke “Messager d’Athenes”

Refugjatët shqiptarë përshkruajnë gjendjen e vështirë

Sipas refugjatëve të ardhur kohët e fundit në Greqi, 90 për qind e popullsisë është fuqimisht anti-komuniste dhe urrejtja për regjimin shtohet dita-ditës. Por gjithsesi mundësitë për veprim klandestin, janë shumë të kufizuara. Qeveria komuniste e mban popullatën nën kontroll, me masa mizore shtypëse, por gjithsesi janë dalluar akte rezistence. Në muajin shkurt, tetë antikomunistë të veshur me uniforma policia, hynë në fshatin e Hoçisht pranë Korçës dhe vranë komunistin Festim Kajo.

Ndërsa në Zemblak, persona të paidentifikuar i vunë zjarrin hambarëve dhe kasolleve të veglave të kooperativës vendore. 22 persona u arrestuan më 19 mars 1951, dy prej të cilëve u dënuan me varje dhe dy me burgim të përjetshëm. Prokurori “gjyqit” ishte Loni Dimoshi. Abdul Kalaja, një nga të dënuarit me varje, pranoi se sabotazh ishte kryer me urdhër të grupeve të rezistencës së armatosur të zonës, me të cilët ai kishte qenë në kontakt në Zemblak, Eçmenik dhe Cangonj. Tre oficerë dhe 12 ushtarë të njësisë së Pogradecit u arratisën kohët e fundit drejt Jugosllavisë.

Në fund të janarit 1951, ka pasur një demonstratë para një furre buke në Korçë, ku një civil u rrah për vdekje nga policia, prandaj më vonë njerëzit e quanin vendin; “Furra e vdekjes”. Në fillim të marsit 1951 në Tiranë, grupe anti-komuniste raportohet të kenë sulmuar ambasadën sovjetike me armë automatike dhe me një bombë. Aty u plagosën disa zyrtarë të lartë sovjetikë dhe një zyrtar shqiptar. Thuhet se mes personave të akuzuar për incidentin, ishte ministri Tuk Jakova, gjenerali Beqir Balluku, Myslim Peza, dhe Timo Dimoshi, anëtar i Komiteti të Partisë së Korçës.

Autoritetet komuniste kanë shtuar arrestimet ndaj grupeve të ashtu-quajtura anti-komuniste. Refugjatët që vijnë në Greqi, flasin për kampe përqendrimi dhe pune të detyruar në Tepelenë, në Fermën e Kamzës (e quajtur “Ylli i Kuq”) si dhe në Valias pranë Tiranës. Qeveria shqiptare po kryen një fushatë të gjerë propaganda, për të bindur popullatën se nga çasti në çast, Greqia do të sulmojë Shqipërinë, por këto lajme tashmë priten me indiferencë nga populli.

Fshatarët detyrohen t’i bashkohen kooperativave prej frikës së punës së detyruar. Banka e Shqipërisë, thotë se ofron hua për fshatarët, deri në 10.000 lekë, por asnjë prej tyre nuk interesohet, pasi vetëm një dëm kushton 12.000 lekë. Popullata rurale merr shumë më pak ushqim, se ajo e qytetit. Familjet fshatare marrin çdo muaj një sasi vajguri, por produkte si vaji, orizi, sapuni, etj., nuk jepen për fshataret. Fshatarët duhet të dorëzojnë te shteti 44 kg, grurë për hektarë, 49 kg, misër dhe 35 kg. panxharë dhe përveç kësaj, ata duhet të paguajnë taksa sipas masës së tokës që përdorin.

Rroga e punëtorëve është nga 80 deri në 150 lekë në ditë, ndërsa punonjësit e minierave, marrin 250 lekë në ditë. Çmimet e mallrave janë shumë të shtrenjta; 1 kg. misër kushton 80-100 lekë, kurse një kg. grurë, 120-140 lekë. Një kostum pambuku kushton rreth 10.000 lekë, kurse një palë këpucë, kushtojnë 1500-2000 lekë. Shumica e popullsisë beson se lufta është e paevitueshme dhe do të mirëprisnin një konflikt, për të hequr qafe regjimin komunist.

Kongresi i oficerëve të Sigurimit

Më 25 shkurt 1950, deri më 1 mars, u zhvillua një takim i oficerëve të Sigurimit, në Tiranë, në një ndërtesë rreth 200 metra larg ish-Pallatit të Mbretit Zog. Takimi ishte i pari që prej ekzekutimit të ish-ministrit të Brendshëm, Koçi Xoxe dhe ardhjes në post të Mehmet Shehut. I pari që mori fjalën ishte Mihallaq Zilishti, zëvendësministri i Brendshëm, i cili sapo ishte kthyer nga një turne inspektimi në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë. Ai numëroi përparimet dhe pengesat e disa organeve dhe shpjegoi se përse mendonte se nuk po funksiononin.

Më 26 shkurt, ministri i Brendshëm Mehmet Shehu, foli gjatë mbi temat e mëposhtme:

Pas Mehmet Shehut, fjalën e mori Kadri Hazbiu, i cili parashtroi funksionet e seksioneve të ndryshme të organizatës, duke bërë krahasimet e rezultateve. Më 27 shkurt 1950, gjatë kohës që Mehmet Shehu ishte në takim, erdhi një oficer dhe i dha një shënim. Pas leximit të shënimit, Shehu u ngrit dhe u kthye vetëm pas një ore. Kur u kthye Shehu, deklaroi se Niazi Islami, ministri i Transporteve, kishte kryer vetëvrasje. Islami u varros më vonë nga familja e tij, pa nderime shtetërore.

Më 1 mars 1950, një grup prej 400 oficerësh (250 agjentë të Sigurimit, dhe rreth 150 krerë të policisë) shkuan në Shkollën e Policisë për të dëgjuar fjalimin mbyllës të Kongresit të Sigurimit, nga udhëheqësi Enver Hoxha. Hoxha ngriti lart punën e Sigurimit dhe i tërhoqi vërejtjen oficerëve që nuk kishin kuptuar frymën e regjimit. Ai ngriti lart gjithashtu Stalinin “e madh” dhe premtoi një të ardhme të shkëlqyer, për Shqipërinë.

Botuar nga “Shqipëria e Lirë”, Romë

Rezistenca masive mes zyrtarëve komunistë

Prej disa kohësh puna e zyrtarëve të vegjël të administratës komuniste, nuk i ka kënaqur rrethet e larta të partisë. Shefat e mëdhenj janë të shqetësuar, se po bie dita ditës numri i zyrtarëve që pranojnë të spiunojnë për anëtarët e partisë. Kjo mund të vijë si rezultat i humbjes së besimit në stabilitetin e regjimit aktual, dhe rrjedhimisht i tremben komprometimin në sytë e popullit, ose të një qeverie pasardhëse. Ata kërkojnë që gabimet e të shkuarës, të harrohen. Organizatat e partisë, veçanërisht në qendra larg Tiranës, nuk kanë kryer detyrat e tyre; ata nuk janë paraqitur rregullisht në takime, dhe kur paraqiten, nuk diskutojnë hapur për problemet.

Zyrtarët e organizatave vendore nuk përdorin kritikën dhe vetë-kritikën, pasi as nuk duan që të vihen në lojë nga shokët e tyre dhe as nuk duan të prishen me ta. Por vetëm i tremben vetëm atyre që japin urdhrat nga Tirana, sipas direktivave të shefave sovjetikë. Instruktorët e partisë, nuk kanë mbajtur lart standardet profesionale, apo ato marksiste-leniniste, dhe drejtuesit e partisë ankohen për mungesë raportimesh të aktiviteteve të komunistëve dhe jo-komunistëve. Shumica e zyrtarëve, nuk dëshirojnë të marrin përgjegjësitë e punës së tyre dhe tregohen tepër tolerantë, me anëtarët e tjerë të partisë. Hierarkia e partisë i akuzon instruktorët për sentimentalizëm dhe mungese të frymës revolucionare, në marrëdhëniet e tyre me vartësit dhe superiorët.

Shumica e zyrtarëve që kanë qenë aktivë në Luftën Nacional-Çlirimtare ishin të rinj dhe pa eksperiencë, ndërsa tani ata po joshen vetëm nga premtimi i karrierës. Këto sjellje që mund të përkufizohen si sabotazh, vijnë gjithashtu nga frika e komprometimit në sytë e masave, dhe i kanë bërë ata eksponentë të rezistencës pasive. Këto faktorë së bashku me përçmimin që populli ka për zyrtarët e partisë, kanë ndihmuar në krijimin e një marrëveshjeje të heshtur bashkëjetese, mes njerëzve dhe zyrtarëve të ulët të organizatave komuniste, në shumë fshatra e lokalitete, kryesisht malore. Qeveria komuniste vazhdon të trumbetojë arritjet e mëdha për mirëqenien e popullit, veçanërisht të punëtorëve.

Ata pretendojnë se kushtet e krijuara nga diktatura e proletariatit, janë më të përshtatshmet për zhvillimin komunist. Javën e kaluar në një fjalim për partinë, Mehmet Shehu theksoi; “rolin udhëheqës të klasës punëtore”, por e vërteta është se kushtet e mjerueshme të punëtorëve, janë akuza më e rëndë e mashtrimit dhe paturpësisë për Partinë Komuniste. Mjafton të vizitosh shtëpitë e punëtorëve të Fabrikës së Orizit në Vlorë, ku dhjetë punëtorë jetojnë në një dhomë, në një shtëpi pranë fabrikës. Aty mungojnë dhe kushtet më minimale, ndërsa gjendja sanitare është e mjerueshme. Në darkë, dhomat ndriçohen me fenerë, ndërsa dhoma e ngrënies, nuk ka dritare.

Çdo mbrëmja pas punës, punëtorët duhet të të presin 45 minuta për të marrë racionin e ushqimit, dhe më pas të kthehen në dhomën e ngrënies, ku shpeshherë derën e gjejnë mbyllur. Deri tani burokracia shtetërore, veçanërisht grup i agjitacion-propagandës, ka bërë çdo lloj premtimi për të qetësuar njerëzit, duke u thënë se kjo fazë do të marrë fund së shpejti dhe se ata duhet të kenë durim, pasi me sakrificat e tyre, po ndërtohet socializmi. Por punëtorët janë të lodhur nga premtimet e kota dhe e kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me protesta, që nuk do të guxonin t’i bënin më parë. Ata që nuk i pranojnë urdhrat për sakrifica, nuk e kuptojnë se përse udhëheqësit e lartë jetojnë në luks në kurriz të punëtorëve.

Burimi: Vneshniaia TorgovliaK. ViriasovV. Martinov

Në janar 1952, populli shqiptar shënoi gjashtë vjetorin e shpalljes së Republikës Popullore të Shqipërisë me përmirësime të mëdha politike dhe të forcës së punës. Vitet pas shpalljes së Republikës, ishin një përpjekje e suksesshme e popullit shqiptar, për të forcuar sistemin demokratik dhe për ndërtimin e bazave të socializmit. Republika Popullore e Shqipërisë, me mbështetjen e fuqishme të Kampit Demokratik dhe socializmit të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik, është duke ndjekur me sukses rrugën e ndërtimit të shtetit demokratik të popullit dhe zhvillimit të pavarur të ekonomisë e kulturës. Faktori më i rëndësishëm i përmirësimit të ekonomisë, është zbatimi i planit 2-vjeçar ekonomik 1949-1950.

Me gjithë shkatërrimin e madh të shkaktuar nga lufta, volumi i prodhimit pas planit 2-vjeçar, e kaloi konsiderueshëm prodhimin e para-luftës. Në vitin 1950, prodhimi u rrit me më shumë se 3.7 herë, në industrinë minerare dhe më shumë se tre here, në fabrika. Prodhimi në çerekun e tretë të vitit 1951, u realizua me 105 për qind. Volumi i punës u rrit me 47 për qind, në krahasim me çerekun e tretë, të vitit 1950. Në vitin 1951, ndërmarrjet e rëndësishme për ekonominë kombëtare, si ato të pambukut, Hidrocentrali “Lenin”, Fabrika e Sheqerit me kapacitet 10.000 ton në vit, Kombinati Tekstileve, u vunë në funksion. Fabrika e Sheqerit dhe industria tekstile, plotësuan nevojat e të gjithë vendit me sheqer dhe veshje. Pajisjet për ndërmarrjet u furnizuan nga Bashkimi Sovjetik, i cili ndihmoi Shqipërinë edhe për vënien e tyre në funksion. Republika e re ka bërë progres dhe në bujqësi.

Tokat e kultivuara në vitin 1950, kaluan nivelet e para Luftës dhe sipërfaqja e mbjellë me prodhim industrial, kaloi nivelet e para Luftës, me 11 herë. Prodhimi i grurit kaloi nivelin e paraluftës me 40 për qind dhe gjithashtu u rritën prodhimi i panxhar sheqerit dhe pambukut. Shumë vëmendje i është kushtuar rritjes së gjedhëve. Si rezultat i plotësimit të planit dy-vjeçar, numri i kokëve të gjedhëve e kaloi atë të paraluftës. Qeveria po e ndihmon bujqësinë në shumë drejtime, duke i dhënë farat më të mira të grurit, të pemëve frutore dhe një masë të konsiderueshme fertilizuesish. Më shumë se 672 milionë lekë, u shpenzuan për ujitjen dhe tharjen e tokave, ndërsa rreth 157 milionë lekë, u janë dhënë fermave fshatare, deri në fund të vitit 1950. Ato morën gjithashtu kredi për mbjelljet e pranverës, në vitin 1952.

Një faktor i rëndësishëm i zhvillimit të bujqësisë, është zhvillimi i mekanizmit të punës dhe krijimit të Stacioneve të Makinerive dhe Traktorëve. Numri i traktorëve në vitin 1951, e kaloi me 3.6 herë atë të vitit 1947. Më shumë se 3000 plugje, 900 kultivues, 300 prerësa dhe shumë mjete të tjera, u dërguan në rajonet e rritjes së të mbjellave, duke rritur prodhimin në mënyrë të konsiderueshme. Shqipëria ka pasur gjithashtu sukses në forcimin e sistemit të saj financiar, teksa për vitin 1951, buxheti shtetëror ka sjellë të ardhura prej 9.500.000.000 lekë.

Burimi kryesor i buxhetit, është sektori socialist i ekonomisë. Shpenzimet për ekonominë kombëtare, arritën në 3.607.000.000 lekë, në krahasim me 2.252.000.000 lekë, në vitin 1950. Lidhjet e ngushta ekonomike me Bashkimin Sovjetik dhe demokracitë e tjera të popullit, kanë qenë deçizive për zhvillimin e suksesshëm të Shqipërisë. Sipas një marrëveshjeje të shkurtit të vitit 1951 me Bashkimin Sovjetik, për pajisje industriale, Shqipëria ka forcuar përgatitjen teknike dhe ka rritur kreditimin. Shqipëria gjithashtu ka rritur tregtinë me Poloninë dhe Çekosllovakinë, ashtu si dhe me Gjermaninë Lindore dhe vendet e tjera të Demokracive Popullore, si Bullgaria, Hungaria e Rumania.

Kushtet ekonomike, standardi i jetesës

Burimi: “Flamuri i Lirisë”

Ligji numër 226, i vendos punëtorët në shtatë kategori pagesash, duke nisur nga 202, deri në 800 lekë në ditë. Punonjësit e zyrave, marrin 2.400, deri në 7.000 lekë në muaj, në varësi të vendndodhjes dhe ndërmarrjes. Një punëtor i martuar, merr 3.500 lekë në muaj dhe duhet të paguajë taksat, kontributet shoqërore, anëtarësinë në klubet e sportit, racionet e ushqimit, rinovimet e zyrave, telegrame të herëpashershme për Stalinin, telegrame proteste kundër provokimeve kufitare, abonimin e gazetave dhe ndihma për Korenë. Racionet mujore dhe shpenzimet për mallrat e nevojshme. janë si më poshtë: 2 kg. bukë në ditë, 300 lekë, 1.35 kg. sheqer, 75 lekë, 1 kg. vaj, 65 lekë, 2 kg. fasule në muaj, (vetëm për 3 muajt e parë të vitit), 140 lekë, dru, 550 lekë për metër/kub, qeraja 100 lekë, dritat 100 lekë.

Nëse punëtori pinte një paketë cigare në ditë do të shpenzonte dhe 500 lekë të tjera në muaj, dhe këto linin shumë pak për të blerë mish, i cili kushton 130 lekë/kg., perimet me rreth 40 lekë/kg., veshje apo sende të tjera. Nëse punëtori mbetet pa punë, ai merr 25 për qind të rrogës nga mbështetja sociale. nëse nuk është anëtar i Sindikatës dhe 60 për qind, nëse është anëtar. Ai është i detyruar të marrë pjesë në punë vullnetare pa pagesë, përveç punës së rregullt. Fshatarët janë të detyruar të dorëzojnë në shtet një pjesë të madhe të prodhimit, edhe nëse nuk mund ta përballojnë. Kështu një familje detyrohet të hajë vetëm lakra, gjatë tre muajve të fundit të një viti, me prodhim të dobët. Deri në fund të vitit 1951, një fermer mund të braktiste tokën e tij, nëse nuk përmbushte këto detyrime dhe të shkonte të punonte në minierë, për të fituar 400 gramë bukë në ditë, kështu mund t’i shpëtonte burgut.

Ndërsa tani ai është i detyruar të punojë tokën e tij, para se të lejohet ta braktisë. Pas dorëzimit të prodhimit te shteti, fermeri merr shumat e mëposhtme, për çdo kilogram prodhim: grurë 2.5 lekë, drithëra të tjera, 2 lekë, misër 2.5 lekë, lesh 33 lekë, për çdo vezë, ai merr 1 lek, pambuk 18 lekë, duhan 23 lekë, luledielli 27 lekë. Shpërblimi mund të merret dhe në formë patkonjsh, gozhdë, djep fëmijësh apo, sende të tjera artizanale. Për të marrë produkte industrial, si këpucë apo veshje fshatari, duhet të sillte përveç kuotave të tij edhe; djathë, ullinj, gjalpë apo portokalle. Zakonisht fermerët i presin pemët e bajameve, për të evituar pagesën prej 3000 lekë për pemë. Kushtet e fermave dhe kooperativave, po bëhen gjithnjë e më keq. Ka uri të madhe, pasi çdo person merr vetëm 8 kg misër në muaj dhe nganjëherë edhe kaq mungon. Mishi, shpërndahet vetëm gjatë ditëve të festave.

Shpërndarjet, kushtet e minierave

Hamit Koçi, një ish banor i Okshtun në Peshkopi, tashmë refugjat në Jugosllavi, raportoi mbi kushtet ekonomike të Shqipërisë se shteti e blen mishin nga fshatari, për 9 lekë për kg. Gruri blihet për 2.5 lekë dhe shitet për 150 lekë. Leshi blihet për 30 lekë dhe shitet për rreth 500 lekë. Meqenëse fshatarët janë të detyruar të dorëzojnë te shteti prodhimet e tyre të caktuara dhe meqenëse në shumë raste ata nuk i kanë, ata detyrohen t’i blejnë ato në dyqane, për të plotësuar detyrimet e tyre. Isuf Koçi, vëlla i Hamitit, i cili gjithashtu është arratisur në Jugosllavi, e ka përshkruar si më poshtë kryerjen e punës vullnetare në minierën e Bulqizës: Një ditë kreu i komunës së Okshtun i Vogël, lexoi listën e emrave të sjellë nga Sigurimi i Shtetit. Lista kishte emrat e të gjithë atyre që “kishin kërkuar” të punonin vullnetarisht në minierën e Bulqizës, për plotësimin e planit të prodhimit. Në të ishte emri i Isuf Koçit, i cili atë ditë kishte punuar në fushë dhe thirrja e emrit i erdhi si një surprizë.

Por ai u detyrua të linte fermën dhe të vazhdonte me të tjerët për në minierë. Fillimisht atyre u thanë se do të punonin për një muaj, por siç ndodhi më vonë, ata mbetën aty për një kohë të gjatë. Isuf Koçi, e përshkruante jetën në minierë si të papërballueshme. Ai tha se ushqimi ishte shumë i keq dhe e për mëngjes nuk u jepnin asgjë. Në drekë merrnin gjellë patatesh dhe fasulesh, ndërsa për darkë, u jepnin dy vezë të ziera që shpeshherë kishin zogj. Kishte gjithashtu shumë vullnetarë, që për arsye se konsideroheshin më të pasur, detyroheshin të merrnin ushqimin e tyre me vete. Për punën ata paguheshin 70 lekë në ditë, me të cilat duhet të paguanin më pas “ushqimin dhe fjetjen”.

Në fund të muajit ata nuk kishin asgjë të mbetur. Isuf Koçi vazhdon më tej: “U njoftua se puna ishte 8 orë në ditë, por kjo ishte vetëm në letër, pasi në realitet ata punonin 16 orë ose më shumë: 2 orë shtesë për Komandantin, (Enverin) 2 orë për Stalinin, për realizimin e planit e, kështu me radhë. Nëse dikush largohej nga minierat, dënimi ishte i rëndë. Ai mund të dënohej me 6, deri në 8 muaj punë në minierë, pa pagesë ose, me gjysmë pagese. Gjyqe të tilla kryheshin me ceremoni të madhe për të dhënë shembullin dhe për të ngulitur frikën te punëtorët dhe fshatarët”. Memorie.al

 

Continue Reading

DOSSIER

Mbledhja sekrete e Byrosë në ’84-ën për sëmundjen e “Komandantit”: Nexhmija më tha se shoku Enver, nuk e lëvizte dot as këmbën, as dorën, por…

Ramiz Alia: Gjendjen shëndetësore të shokut Enver, tani për tani e dimë vetëm ne, asnjë njeri tjetër, prandaj askush nuk duhet të marrë vesh!

Nga Dashnor Kaloçi

Plot 39 vjet më parë, në mesnatën e 11 prillit të vitit 1985, pas dy ditësh në koma, pushoi zëmra e udhëheqësit kryesor të Shqipërisë komuniste, diktatorit Enver Hoxha, njeriut që e kishte qeverisur me dorë të hekurt vendin e tij, që nga nëntori i vitit 1944, kur ai erdhi në pushtet menjëherë pas largimit të forcave gjermane, gjë e cila shënoi edhe mbarimin e Luftës.  Vdekja e tij erdhi edhe si pasojë e një sëmundje (diabeti), që atij i ishte shfaqur që në vitet e para të pasluftës, e cila u bë shkak edhe për një infarkt akut, që ai pësoi në vitin 1973, duke i shpëtuar paq vdekjes, por që në fillimet e viteve ’80-të, iu acarua së tepërmi, duke i dhënë edhe mjaft komplikacione, kjo solli dhe vdekjen e tij në mesnatën e 11 prillit 1985.

Por keqësimi i shëndetit të Enver Hoxhës, filloi që nga ditët e para të shkurtit të vitit 1984, gjë e cila shkaktoi një alarm të vërtetë tek “shokët e udhëheqjes”, duke bërë që Ramiz Alia, njeriun të cilin Enveri, pas eliminimit të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, në dhjetorit të vitit 1981, e kishte “pagëzuar dhe promovuar si pasardhësin e tij, të mblidhte disa herë në takime pune anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike, për t’i informuar ata për situatën e rëndë shëndetësore, që po kalonte “Komandanti”, apo dhe komunikuar herë pas here, mbi sëmundjen e tij dhe “masat që po merrte Partia”, për ta kaluar atë situatë tejet të vështirë.

Veç të tjerash kjo gjë bëhet e ditur edhe nga disa dokumente me siglën “Tepër sekret e një rëndësie të veçantë”, të nxjerra nga Arkivi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, (Fondi 14, Ap. O.U)

Gjëja e parë që bie në sy nga këto dokumente me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike, të mbajtur në datën 17 shkurt 1984, është fakti se Ramiz Alia, tashmë kishte marrë në dorë “frenat” e shtetit shqiptar dhe në një farë mënyre ai ishte tashmë edhe “de facto” kreu i Partisë së Punës së Shqipërisë, duke vendosur vetë për gjithçka. Dhe tjetra që vihet re në këto dokumente, është preokupimi mjaft i madh i Ramiz Alisë dhe gjithë “shokëve të udhëheqjes”, për ta mbajtur sa më të fshehtë sëmundjen e Enverit dhe gjendjen shëndetësore të tij.

Pasi ka bërë një rezyme të gjendjes shëndetësore të Enver Hoxhës dhe ekipin e mjekëve shqiptarë që ishin angazhuar në atë drejtim, Ramiz Alia, ka diskutuar me “shokët e Byrosë”, edhe për mundësinë e sjelljes nga jashtë shtetit të disa mjekëve specialistë, kryesisht nga Franca, por nuk është pranuar nga vetë Enveri, dhe as nga Ramizi me Nexhmijen, pasi i druheshin lajmeve të shtypit botëror, sepse një gazetë greke, kishte shkruar se Enver Hoxha kishte vdekur.

Nisur nga këto, në ato mbledhje, Ramiz Alia i ka porositur “shokët e Byrosë”, që të kenë kujdes në ruajtjen e sekretit “për shëndetin e shokut Enver”, madje të mos bisedojnë as me familjarët e tyre dhe në shtëpi e në publik, të rrinë të qeshur, që populli të mos kuptojë gjë.

Por për më shumë, na njohin dokumentet i më poshtëm me proces-verbalet e mbledhjeve të Byrosë Politike të datës 17 shkurt dhe 11 nëntor të vitit 1984, të cilat po e publikojmë.

DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE, 17 SHKURT 1984, MBI SËMUNDJEN E ENVERIT

“Tepër sekret, i rëndësisë së veçantë”

Proces-verbal i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, i datës 17 shkurt 1984.

Kjo mbledhje u thirr sot rreth orës 13 e 30 nga shoku Ramiz Alia, me anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike që ndodhen në Tiranë, për t’i vënë në dijeni mbi një fenomen shqetësues shëndetësor, që i ndodhi dje shokut Enver rreth orës 17 pasdite.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ju thirra një çikë, shokë, për t’ju informuar mbi gjendjen shëndetësore të shokut Enver. Gjendjen e përgjithshme të shëndetit të tij, ju e dini, por dje rreth orës 17-17 e 30 ai pati një fenomen të papëlqyeshëm, një iskemi të lehtë në formë spazme, e cila i shkaktoi njëfarë vështirësie në dorën e krahun e djathtë dhe në këmbën e majtë. U thirrën menjëherë mjekët, me të cilët u takova edhe vetë. Në përgjithësi, pas ndërhyrjes së tyre, gjendja u stabilizua dhe u përmirësua disi që mbrëmë.

Unë shkova edhe tani për ta parë, pas mbledhjes së Sekretariatit që bëmë sot. Sa hyra brenda, shoku Enver më pa dhe më pyeti nëse e bëmë mbledhjen. Pa hyrë në detaje, iu përgjigja që e bëmë dhe shkoi shumë mirë. Kaq i thashë dhe i bëra të fala nga të gjithë ju, nuk u zgjata më tepër. Ashtu siç paraqitet sot, gjendja e shokut Enver është disi e mirë, një përmirësim pas ja deri këtu, se këto lloj fenomenesh, siç janë spazmat apo iskemitë, ndodh që të përsëriten. Prandaj tani të tëra përpjekjet, si të thuash për këtë po bëhen për të dominuar situatën, të shmangen përsëritjet.

RAMIZ ALIA: Ajli Alushani së bashku me mjekët po vëzhgojnë nga afër situatën. Për këtë qëllim u krijua menjëherë një grup mjekësh specialistë të fushave të ndryshme me të tëra mjetet e duhura në dispozicion, në krye të të cilëve është vetë ministri i Shëndetësisë, Ajli Alushani. Ky shkoi që në fillim në vend dhe vazhdon të qëndrojë atje tok me gjithë mjekët e tjerë, që po i bëjnë shokut Enver, të gjitha shërbimet e nevojshme.

Gjendja shëndetësore e shokut Enver, siç shihet ka tendencë dhe po ecën drejt përmirësimit. Tani e tërë lufta, të gjitha përpjekjet e terapitë po bëhen së pari, që të dominohet situata, siç thashë të mos ketë përsëritje të këtyre fenomeneve shqetësuese. Synimi i dytë është, që mundësisht të shmangen konsekuencat që mund të shkaktojë sëmundja në zemër e, të mos i rëndohet zemra. Probleme në zemër, shoku Enver nuk ka.

Përpara disa vjetësh, siç e dimë, ka pasur ndonjë episod të vogël dhe ai ka qenë ankuar, po në përgjithësi edhe zemra e tij tani është në gjendje të mirë. Sidoqoftë, rreziku shqetësues se vetë dobësimi i organizmit mund të shkaktojë konsekuenca në këtë organ. Me pak fjalë, kjo është gjendja shëndetësore e shokut Enver, që nga dje pasdite që iu shfaqën fenomenet shqetësuese.

Më tepër nuk di gjë t’ju them. Ne do ta ndjekim gjendjen e tij dhe me përpjekjet që po bëhen, do të shikojmë çfarë ka konkretisht, mbasi çfarë është ky fenomen me saktësi, akoma nuk del qartë nëse jemi përpara iskemie, një spazme të thjesht apo ka diçka tjetër.

Pikërisht këtë janë duke e shikuar mjekët. Ata po kujdesen dhe do t’ia bëjnë të gjitha shërbimet si duhet. Përpara një gjendjeje të tillë, të them të drejtën e gjykova të domosdoshme t’ju njoftoja ju shokë se nuk mund ta mbaja dot vetëm përsipër këtë shqetësim të madh.

Dëshiroj gjithashtu t’ju theksoj se këtë ngjarje tani për tani e dimë vetëm ne që jemi këtu, asnjë njeri tjetër, prandaj askush nuk duhet të marrë vesh mbi këtë çështje. Me njëri-tjetrin ne edhe mund të bisedojmë, çështja është të mos na bëhet zakon dhe të bëjmë biseda ku të mundim, sidomos në vende ku mund të jenë edhe të tjerë veç nesh.

SHOKU BESNIK BEKTESHI: Po ja për shembull, kur të marrim njërit-tjetrin në telefon, nuk ka pse të pyesim si jeni, të mos bëjmë hiç fare të tilla pyetje. Kur të takohemi dhe të jemi vetëm, është tjetër çështje.

SHOKU HEKURAN ISAI: Kryesorja është tani ndalimi i procesit të sëmundjes.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kjo ka rëndësi. Ja, tani që isha atje dhe u takova me shokun Enver, si e pashë gjendjen e tij që është më e mirë, u ula pak në kolltukun e tij, megjithëse nuk qëndrova gjatë, e informova pak për mbledhjen.

SHOKU MANUSH MYFTIU: Raste me fenomene të tilla nuk ka pak edhe në vendin tonë, po kur kapen në kohë dhe kurohen, nuk lënë asnjë shenjë.

SHOQJA LENKA ÇUKO: Bile nuk lënë shenja as në moshat e mëdha.

SHOKU HEKURAN ISAI: Ka raste që disa njerëzve u bie edhe dy-tri herë me radhë dhe e kapërcejnë krizën.

SHOKU MANUSH MYFTIU: Ja, kam vëllanë tim që i kanë rënë dhe megjithëse është 58 vjeç, është normalizuar. Kalojnë të tilla fenomene, po të trajtohen me kujdes.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Kam besimin e plotë që kjo gjendje Enverit do t’i kalojë.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Kalojnë, kalojnë. Edhe shokut Enver me siguri do t’i kalojë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Siç thashë shokë, ne do t’i qëndrojmë mbi kokë. Ekipi i mjekëve që është atje, do t’ia bëjë të gjitha shërbimet. Unë ju njoftova vetëm sa për ta ditur këtë gjendje. Nga mjekët tanë më të mirë, vetëm Petrit Gaçe nuk është tani për tani, se ndodhet jashtë shtetit, por edhe ky sonte ose nesër do të kthehet, megjithëse në gjendjen e tanishme nuk ka ndonjë punë për të.

SHOQJA LENKA ÇUKO: Sidoqoftë, ai duhet të kthehet shpejt dhe të jetë këtu, se është specialisti më i mirë që kemi për këto lloj sëmundjesh.

SHOKU RAMIZ ALIA: Pra, deri tani kështu është gjendja. Po të ketë ndonjë gjë tjetër, do t’ju mbaj në korrent kur duhet dhe aq sa duhet. Me këtë rast mendoj se nuk ka nevojë të marrim ndonjë vendim. Grupi i mjekëve është krijuar nga specialistët tanë më të mirë. Dje thirrëm edhe Bajram Prezën, specialist neurolog, që edhe ky të diskutojë bashkë me të tjerët, mbi këtë çështje.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Ne mund të sjellim menjëherë nga jashtë çdo lloj preparati të nevojshëm që mund t’u duhet mjekëve.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po të ketë nevoja, jo vetëm preparatin, por çdo gjë tjetër të domosdoshme që mund të nevojitet e sjellim nga jashtë për këtë rast.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Mund të lindë nevoja edhe për ndonjë specialist.

SHOKU RAMIZ ALIA: Edhe këtë çështje do ta shikojmë, por natyrisht një gjë e tillë ka edhe anën tjetër që duhet parë.

SHOKU BESNIK BEKTESHI: Kjo është ana tjetër e medaljes. Duhet vigjilencë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ju të jeni të bindur shokë, se ne do të marrim të gjitha masat çfarë duhet e si duhet, por theksoj edhe një herë, ta mbajmë parasysh se problemi është shumë serioz, se pa qenë gjë, kanë dalë llafe, jo më ta marrin vesh njerëzit tanë, ç’ka ngjarë.

Pse e them këtë? Sepse dalin llafe. E ç’tju them unë? Ja ta filloj nga vetja. Mbase shokët që ishin me mua në mbledhjen e Komitetit Qendror, sot nuk e vunë re se nuk po e mbaja dot veten. Si pa dashur atje flisja me një ton pak të irrituar dhe nuk isha në humor. Nuk i shpreha me tonin e zakonshëm. Mirëpo ai tjetri, të psikologjis.

SHOKU SIMON STEFANI: Ashtu është shoku Ramiz, prandaj duhet të përpiqemi të kemi kujdes edhe humorin në këtë rast, të mos e ndryshojmë nga i zakonshmi.

SHOKU SIMON STEFANI: Duhet të jemi shumë të kujdesshëm në qëndrimet tona.

SHOKU SIMON STEFANI: Se na e njohin natyrën njerëzit tanë.

SHOQJA LENKA ÇUKO: Të gjithë ne që ishim në mbledhjen e Komitetit Qendror, u munduam të mos e japim veten.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ja mbrëmë, kur u ktheva në shtëpi duke më parë pa humor, vajza më pyeti “Ç’ka babi”? Kisha një punë me shokun Enver – iu përgjigja unë – dhe kështu e mbylla këtë muhabet. Të shikojnë njerëzit, kur nuk je në humorin e zakonshëm.

SHOKU BESNIK BEKTESHI: Ata të pyetën se, nuk të panë në humorin e zakonshëm.

SHOKU RAMIZ ALIA: Prandaj ta kemi parasysh edhe këtë anë, se problemi është tepër serioz dhe po të hapen fjalë, mund t’i shkaktohen telashe Partisë. Fjalë janë hapur edhe herë të tjera, po për t’ua mbyllur gojën njerëzve, u thoshin shokut Enver të dilte në ndonjë mbledhje publike, që ta merrte televizori, kështu njerëzit qetësoheshin.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Na ka dalë disa herë përpara kjo çështje.

SHOKU RAMIZ ALIA: Këto kisha për t’ju thënë shokë, ç’tju them tjetër?!

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Dëshira jonë e madhe është që shoku Enver, ta kalojë sa më shpejt këtë gjendje.

SHOKU RAMIZ ALIA: Nexhmija më tregoi se Enveri nuk lëvizte dot as krahun dhe as këmbën.

SHOKU RAMIZ ALIA: Do ta kalojë, unë kam bindjen se do ta kalojë. Ja po ju tregoj se në krahasim me dje pasdite, gjendja e tij sot ka shumë ndryshime për mirë. E dyta, nga ç’më thanë mjekët në fillim të them të drejtën, kisha krijuar një vizion tjetër, pak si pesimist, se gjendja e shokut Enver mu duk më e rëndë. Edhe Nexhmija, sa më mori dje në telefon që të shkoja shpejt dhe ika menjëherë atje, megjithëse shokun Enver nuk e pashë, se nuk hyra në dhomë.

Në atë kohë, ajo më tregoi se ai nuk lëvizte dot as dorën, as krahun, dhe as këmbën e djathtë. Mirëpo pas dy orësh gjendja filloi të ndryshonte pozitivisht. Kurse sot kur e pashë vetë me sy, nuk mu duk shqetësuese gjendja, përkundrazi mu duk e mirë. Kuptohet vetvetiu që edhe shoku Enver pacient është, këto lloj sëmundjesh kështu janë, po fakt është që sot sa më pa, më pyeti për mbledhjen dhe siç ju thashë, i tregova.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Rëndësi ka çështja që ka filluar kthesa për mbarë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kështu është, kthesa ka filluar nga e mira.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Mjekët e dominuan menjëherë situatën dhe kjo ka shumë rëndësi.

SHOKU RAMIZ ALIA: E dominuan se edhe masat u morën shpejt.

SHOKU BESNIK BEKTESHI: Shpejtësia në këto raste ka rëndësi të madhe në marrjen e masave.

SHOQJA LENKA ÇUKO: Tani duhen porositur mjekët që po punojnë atje për këto që thamë, se ata e të tjerë hyjnë e dalin atje dhe hapet fjala.

SHOKU RAMIZ ALIA: Për të tërë kemi marrë masa ne atje, edhe për mjekët, edhe për personelin e shërbimit. Sidoqoftë, duhet të kemi shumë kujdes në këtë çështje. Mirë shokë, me kaq mbaruam.

Tiranë, më 18.2.1984.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING