Connect with us

Aktualitet

Dosja/ Si u pagua Arben Ahmetaj nga biznesmenët e incineratorëve

Kredi të shumëfishta të paguara nga ‘bamirës të paidentifikuar’ në dokumente bankare dhe bashkëpunime të vjetra biznesi me një kompani ndërtimi, janë përdorur nga biznesmenët e incineratorëve Klodian Zoto e Mirel Mërtiri për të paguar ryshfet te ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, bëhet e ditur nga dokumentet e prokurorisë të disponuara nga BIRN.

Dokumentet sugjerojnë se, ndryshe nga skemat e thjeshta që dyshohet se janë përdorur nga ish-ministri Lefter Koka për marrjen e ryshfetit nga Albtek Energy, ITS dhe kompania e incineratorit të Fierit, në rastin e Ahmetajt, skemat janë shumë më të komplikuara, duke përfshirë shumë invididë, kredi bankare dhe pagesa të dyshimta prej dhjetëramijëra eurosh në FI Bank, për të cilat nuk ka shënime se kush i ka kryer.

SPAK akuzon Ahmetajn për korrupsion pasiv në gjashtë raste dhe në skema pastrimi parash në më shumë se një rast. Të premten, në një seancë të jashtëzakonshme, Kuvendi i Shqipërisë votoi për heqjen e imunitetit të tij, duke lejuar prokurorinë të kryejë arrestim dhe bastisje banese, por Ahmetaj është larguar nga Shqipëria.

Ai i hodhi poshtë akuzat përmes një postimi në Facebook.

“…Ish-bashkëshortja ime (që s’ka punuar kurrë në një institucion shtetëror) ka shitur metra katrorë, pronë e deklaruar në deklaratën time të pasurisë, në treg të lirë, si korrupsion???? Pronën e familjes të deklaruar me burime të verifikuara, si korrupsion?? Hetim kujt ia ka shitur pronën??”, ngriti pyetje Ahmetaj, duke iu përgjigjur akuzave me pretendimin se po përndiqet padrejtësisht.

Hetimi i prokurorisë mbi Ahmetajn, i përmbledhur në një raport prej 320 faqesh që iu dorëzua Kuvendit të Shqipërisë dhe që më pas, i rrjedhur në media, tronditi skenën politike të vendit duke ekspozuar fragmente nga dy dekada, të cilat sugjerojnë korrupsion sistemik ku përfshihen një numër i lartë zyrtarësh dhe biznesmenësh.

Sipas dosjes hetimore, Ahmetaj ka përfituar së paku 491 mijë euro ryshfet dhe një vilë nga biznesmenët e incineratorëve dhe një vilë tjetër nga biznesmeni kontrovers Mond Bego.

Një nga skemat lidhet me një investim që Arben Ahmetaj besohet se ka kryer në kompaninë Sheron, një kompani ndërtimi në Tiranë. Pronari i kompanisë u ka deklaruar prokurorëve se marrëdhënien e ka pasur realisht me Ahmetajn, por në dokumente rezultonte ish-bashkëshortja e tij.

Historia nis në vitin 2005, kur sipas deklaratës në prokurori të pronarit të kompanisë, Flamur Shena, personi investitor është Arben Ahmetaj.

Kompania ka marrë leje ndërtimi për një pallat në Selitë nga Bashkia e Tiranës, në atë kohë, nën drejtimin e Edi Ramës. Prokuroria vëren se Ahmetaj dhe ish-bashkëshortja duket se kanë gënjyer në deklaratën e tyre vjetore të pasurisë duke deklaruar si burim investimi të ardhurat nga dividentët dhe shitja e aksioneve te kompania “Hermes”.

Sipas prokurorisë, shitja e “Hermes” i siguroi Ahmetajt 447 mijë euro dhe ish-bashkëshortes, 298 mijë euro, por kjo ka ndodhur vetëm në vitin 2008, ndërkohë që investimi në kompaninë Shenon daton nga viti 2006 deri në vitin 2009.

“Në lidhje me këtë investim, hetimet vazhdojnë për të identifikuar ligjshmërinë e burimit të të ardhurave [duke] pasur parasysh se nga shitja e aksioneve, të ardhurat kanë ardhur më datë 11.06.2008, ndërkohë që investimi ka filluar të paktën që në vitin 2006,” shkruan prokuroria.

Projekti i pallatit duket se ka qenë një investim me potencial të lartë fitimprurës, por duket se punimet nuk kanë ecur siç duhet dhe administratorja ka deklaruar para prokurorëve se ashensorët nuk janë vënë për shkak se nuk kishte shumë njerëz dhe se ajo nuk e dinte se çfarë bëhej që nga viti 2011.

Skema e transfertave

Prokurorët besojnë se apartamentet e përfituara nga ky investim janë përdorur si mjet për të transferuar shuma të majme parash nga administratorët e kompanive të inceneratorëve tek Ahmetaj.

Në dhjetor 2016, para noterit shfaqet një  shtetas me emrin Andi Boni, i cili firmos për të blerë dy apartamente me sipërfaqe totale 272 metra katrore për 280 mijë euro. Një kontratë e dytë, e ul shumën në 185 mijë euro. Blerësi bën dy pagesa cash dhe një me transfertë bankare për një total prej 170 mijë eurosh, një pjesë e siguruar nga një kredi.

Prokuroria thotë se blerësi duket se nuk i ka marrë në përdorim apartamentet e blera dhe se bashkëshortja e tij, e pyetur veçmas, nuk i kishte parë kurrë ato. Por ajo që zbulohet më vonë është që një kredi me vlerë 132 mijë euro, e marrë prej tij në NGB Bank, u shlye fillimisht nga derdhje të bëra nga katër shtetas të tjerë, dhe në fund, një vit më vonë, një shumë prej gati 107 mijë euro shlyhet nga shtetasi Helidon Begaj. Ky vetë, për të shlyer këtë kredi, duket se ka marrë një kredi tjetër.

Begaj, thotë prokuroria, është pronar i një kompanie me emrin “Albano” të blerë në vitin 2020. Përveç të qenit biznesmen, Begaj rezulton se ka punuar mes viteve 2015 dhe 2022 si Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Rrogozhinës, ndërsa ka punuar më herët në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore.

Kompania e tij ka lëshuar gjithashtu fatura me vlerë 73 milionë lekë [gati 700 mijë euro] për kompaninë e incineratorit të Tiranës, Integrated Energy B.V SPV në periudhën mars 2022- shkurt 2023.

Nuk ka një lidhje kronologjike mes pagesave, për shkak se shlyerja e kredisë së blerësit të parë është kryer në vitin 2019, por prokuroria ka gjetur lidhje të tjera të mëparshme. Sipas Prokurorisë, Begaj dhe Zoto kanë qenë në komunikim prej vitit 2015 në lidhje me një impiant pastrimi në lumin Shkumbin, i cili u shkatërrua pak kohë pas ndërtimit.

Prokuroria vëren: “Shuma prej 170 480 euro që shtetasi Andi Boni i ka paguar më datë 19.12.2016, 01.02.2017 dhe 15.02.2017, shtetasve Arben dhe Albina (shihni që derdhja është bërë në llogarinë e përbashkët të këtyre shtetasve) është produk i veprimtarisë kriminale të korrupsionit, të fshehur në formën e një vlerë të dhënë për shitje apartamenti… shitje që realisht është fiktive, derivuar nga shtetasi Klodian Zoto përmes shtetasit Helidon Begaj.”

Prokuroria vëren gjithashtu se apartamentet që supozohet se janë shitur, vijojnë në fakt të jenë të regjistruara në emër të kompanisë.

Sipas prokurorisë, provat e mbledhura krijojnë “dyshimin e arsyeshëm, i mbështetur në prova, se shitja është fiktive, [….] e kryer me qëllim për të qarkulluar dhe justifikuar shumat e parave që nuk justifikohen me të ardhura të ligjshme.” Prokuroria shton më tej se dyshimi i saj është që këto para janë paguar “në formën e mitës, nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.”

Prokuroria ka zbuluar një skemë tjetër përmes një huaje të dhënë nga nga Klodian Zoto për shtetasin Besmir Prifti, i cili ka qenë administratori i ndërmarrjes së Ujësjellësit në Elbasan.

Afro pesë muaj pas shitjes së apartamenteve te skema e parë, i njëjti apartament duket se del në shitje për një herë të dytë. Kësaj here, Prifti përdor huanë e marrë nga Zoto për të transferuar te Ahmetaj 150 mijë euro. Kontrata e shitjes u anulua me vullnetin e palëve dhe shuma e parave u kthye te blerësi. Por prokuroria vë në dukje faktin që Zoto ka zgjatur afatin e shlyerjes së huasë nga Prifti në 25 vjet, për të vërejtur natyrën e pazakontë të transaksionit.

Tre muaj më vonë, një biznesmen tjetër i jep një hua një shtetaseje me vlerë 140 mijë euro. Një punonjëse e kompanisë Frigo Food përdor kredinë për të blerë një apartament. Prokuroria nuk është e bindur se blerësja me të vërtetë e disponon apartamentin e blerë, pavarësisht se ka bërë pagesën, ndërsa deri në vitin 2023, huaja e marrë prej saj, nuk është shlyer.

Prokuroria beson se transaksioni është i rremë, bazuar kjo në faktin që blerësja nuk e ka përdorur pronën e blerë.

Për të tre apartamentet, prokuroria thotë se ka arsye të dyshojë se ato vijojnë të jenë nën pronësinë e Arben Ahmetajt, pavarësisht transaksioneve të ndryshme që i sollën të ardhura të konsiderueshme.

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj hodhi poshtë pretendimet e prokurorisë në një postim më Facebook, ku në mes të tjerash, deklaron se “Klodian Zoto, që s’ka qenë kurrë miku im”. /BIRN

Aktualitet

Axhami: Filozofia Zogiste në kohë moderne, nën moton “Atdheu mbi të gjitha”

PARTIA LËVIZJA E LEGALITETIT ALTERNATIVË E DJATHTË ME PLATFORMË ELEKTORALE BINDËSE:
Gjatë një interviste në NTV-me gazetarin e mirënjohur Red VARAKU, ndër të tjera.
👉Partia Lëvizja e Legalitetit, hap pas hapi, në pregatitje të infrastrukturës për marrjen pjesë në zgjedhjet e ardhshme si një alternativë e djathtë me platformë elektorale të qartë bindëse.
👉Të kthejmë krenarinë kombëtare nëpërmjet forcimit të institucioneve shtetërore brenda një shteti të fortë të së drejtës ligjore, kryerjes së reformave që rrisin nivelin e shërbimeve në interes të qytetarve si dhe të forcojmë bashkëpunimin unifikues të çdo faktori rajonal shqiptar në interes të bashkimit kombëtar.
👉Filozofia Zogiste në kohë moderne;
Me besim në Zot, ku primara mbetet Familja, prona, Atdheu dhe Kombi, nën moton “Atdheu mbi të gjitha”, në Shqipëri bërja e shtetit të së drejtës bëhet lehtësisht me një sistem qeverisës Monarki Kushtetuese.
👉Mbreti Zog, burrështetas, strateg, diplomat dhe politikan shumëdimensional, i rrallë në llojin e vet, i cili Shpalljen e Pavarsisë e ktheu në realitet duke u bërë shtetformuesi i shtetit të parë modern shqiptar nën moton “Atdheu Mbi të Gjitha”
Mbreti Zog dhe trashigimtarët e Kurorës Mbretërore, Mbreti Leka dhe sot Princ Leka, gjithmonë në plan të parë kanë vënë interesin kombëtar ku Shqipërinë dhe shqiptarët i kanë parë NJË dhe të bashkuar si komb, ata mbeten unifikuesit e kombit tonë në më të mirën e mundshme sipas çdo të drejte.
Continue Reading

Aktualitet

Vdekja e mistershme e të moshuarve në Dropull, lirohen personat e shoqëruar në polici

Ditën e sotme, u përcollën në banesën e fundit, dy të moshuarit që u gjetën të vdekur dhe me shenja dhune në banesën e tyre. Të afërmit e ardhur nga Greqia dhe bashkëfshatarët në Bodrisht të Dropullit i dhanë lamtumirën e fundit Kosta Ilia, 84 vjeç dhe Kleoniqi Ilia, 88 vjeçe.

Lidhur me ngjarjen e rëndë, e cila vijon ende e pazbardhur, policia ka shoqëruar mbi 10 persona. Ndërkohë pasi kanë dhënë deklarimet e tyre, personat e shoqëruar janë lënë të lirë. Disa pista hetimi janë ngritur për vdekjen e tyre, ku deri tani, nga policia dhe prokuroria është lënë në hije pista e një grabitje të mundshme. Kjo pasi edhe pensioni që i moshuari kishte marrë pak ditë më parë në Greqi iu gjet në portofol. Gjithashtu është hedhur poshtë dhe versioni se çifti mund të ketë vrarë njëri- tjetrin.

Kryefamiljari i cili kishte marrë një plagë në kokë kishte ndërruar jetë në oborrin e shtëpisë ndërsa pak metra larg tij, në brendësi të banesës u gjet e vdekur edhe bashkëshortja gjithashtu me shenja dhune në trup. Sipas policisë të moshuarit u goditën me mjete të forta rrethanore por burime thanë se në vendngjarje nuk është gjetur asnjë mjet i tillë. Për zbardhjen e ngjarjes së rëndë, grupi hetimor është rikthyer sërish në banesën e të moshuarve. Ekspertët kriminalist janë në pritje të ekzaminimeve të disa provave materiale të marra në brendësi të banesës së çiftit të viktimave.

Continue Reading

Aktualitet

E pazakontë/ Mjeti përplas biçikletën, motorin, makinën, këmbësorin dhe përfundon në lavazh

Një aksident i rëndë automobilistik është regjistruar këtë të premte në rrugën e ish-Kënetës që lidhet me Unazën e qytetit të Durrësit.

Mësohet se një automjet, i cili po udhëtonte me shpejtësi ka humbur kontrollin duke kaluar trafikndarësen e rrugës për të përfunduar në krahun e kundërt.

Gjatë devijimit, automjeti fillimisht ka aksidentuar një biçiklist, një këmbësor, një motor dhe një automjet të parkuar, për t’u përplasur më pas me fasadën e një lavazhi automjetesh.

Burime bëjnë me dije se drejtuesi i automjetit dhe pasagjeri në automjet kanë marrë dëmtime dhe janë dërguar në spital, ndërsa personat e tjerë të përfshirë në aksident nuk kanë lëndime serioze.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur efektivë të policisë, të cilët teksa kanë rrethuar vendin e aksidentit deri në përfundim të hetimit, po punojnë për zbardhjen e shkaqeve.

Continue Reading

Aktualitet

Ndalimi i tregtisë me Izraelin/ Erdogan: 9.5 mld dollarë më pak, për ne nuk ndryshojnë gjë

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka reaguar pas vendimit të qeverisë së Turqisë për të ndaluar tregtinë me Izraelin. Ai tha se tashmë është koha për të vepruar dhe se durimi kishte përfunduar.

Sipas Erdogan opozita në Turqi shfrytëzoi faktin që qeveria nuk ndërmori masa kundër Izraelit dhe e përdori diçka të tillë për zgjedhjet në vend.

“Zhvillimet e fundit në operacionet ushtarake të Izraelit në Gaza nuk janë të pranueshme. Kjo është arsyeja pse ne besojmë se ishte e nevojshme të ndërmerreshin këtë hap. Ne prisnim të shihnim qetësimin e situatës përpara se të merrnim këto masa, por opozita e shfrytëzoi këtë për të na sulmuar Pasi të kenë përfunduar zgjedhjet, ne kalojmë te veprimet dhe faktet”, tha Erdogan.

Ndalimi i importeve dhe eksporteve do të vazhdojë derisa të ketë një armëpushim dhe të garantohet aksesi i popullatës në ndihma humanitare.

“Ndërmjet 40 dhe 45 mijë civilë të pafajshëm u vranë me bashkëpunimin e Perëndimit dhe në veçanti të Amerikës. Tani durimi ka mbaruar dhe ne kemi marrë këtë masë. Tregtia me Izraelin ishte 9.5 miliardë dollarë, për ne nuk ndryshon asgjë hiqni dorë, dera është e mbyllur”, përsëriti Erdogan.

Continue Reading

Aktualitet

Vrasja e të moshuarve në Dropull, shoqërohen 9 banorë në Komisariat, çfarë gjeti policia

9 banorë të fshatit Bodrishtë dhe një bari shtegëtar të imëtash janë shoqëruar nga policia e Gjirokastrës, nën cilësinë e personave që mund të kenë dijeni për krimin ndaj dy të moshuarve Kosta dhe Kleoniqi Ilia bashkëshortë mes tyre.

Deri tani të shoqëruarit janë banorë që jetonin në afërsi të banesës së çiftit, persona me të cilët mund të kenë pasur debate për kufijtë e pronës si dhe bariu që nuk është banor i fshatit, por që mendohet se mund të ketë qenë në rrugën para banesës në momentin e krimit e që dyshohet se ka dijeni për të.

Policia gjithashtu ka gjetur një levë hekuri në pjesë e pasme të banesës objekt që është marrë në konsideratë në cilësinë e provës pasi dyshohet se të moshuarit kanë marrë goditje nga i njëjti objekt, burri në pjesën anësore të kokës dhe gruaja në pjesën e shpinës. Goditjet sipas ekspertëve kanë qenë vdekjeprurrëse sepse janë shkaktuar nga një mjet i fortë.

Hetuesit janë duke pritur analizat e ADN-së për të hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen dhe identifikimin e autorit të këtij krimi.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING