Connect with us

Aktualitet

9 vatra zjarri aktive në 6 qarqe, mbi 450 forca dhe 5 mjete ajrore në terren

Nëntë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në qarqet Tiranë, Fier, Durrës, Gjirokastër, Dibër dhe Korçë, sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes deri në orën 14:00 të 12 gushtit.

Për menaxhimin e situatës janë angazhuar strukturat e Mbrojtjes Civile, Forcat e Armatosura, shërbimet zjarrfikëse, Policia, shërbimi pyjor dhe vullnetarë. Në zonat për të cilat janë raportuar të dhëna të plota, numri i forcave të angazhuara kalon 450. Nga ajri po operojnë tre helikopterë të Forcës Ajrore dhe dy avionë Air Tractor.

Në zonën e Dajtit, mbi tunelet e Qafë-Mollës, po punojnë 22 efektivë të MZSH-së dhe ADZM-së, me mbështetjen e dy helikopterëve. Ndërkohë, në Priskë të Madhe janë angazhuar 15 efektivë dhe katër automjete zjarrfikëse. Sipas autoriteteve, në këto zona nuk raportohet rrezik për banesat.

Në Drenie të Patosit vijon ndërhyrja për shuarjen e një zjarri të riaktivizuar. Operacioni është përforcuar me 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një autoambulancë.

Në Krujë, ndërhyrjet po vijojnë në lagjen Abaze. Në lagjen Bojë, ku janë evidentuar dy vatra zjarri, ekipet zjarrfikëse janë pozicionuar pranë banesave, ndërsa një helikopter i Forcave të Armatosura po ndërhyn nga ajri.

Në Përmet, operacionet vijojnë në malin e Nëmërçkës dhe malin e Dhëmbelit. Sipas autoriteteve, edhe në këto zona nuk ka rrezik të drejtpërdrejtë për banesat.

Situata paraqitet më e angazhuar në Gurë-Lurë të Dibrës, ku janë përfshirë mbi 220 forca nga institucionet dhe strukturat e emergjencave. Nga ajri po operojnë dy avionë Air Tractor, ndërsa ekipet zjarrfikëse janë vendosur pranë zonave të banuara që mund të ekspozohen ndaj flakëve.

Në malin e Moravës, në Devoll, vatra e zjarrit është izoluar dhe vijon të monitorohet. Autoritetet bëjnë të ditur se nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, prioritet i operacioneve mbetet mbrojtja e jetës dhe banesave, izolimi i vatrave aktive dhe normalizimi i situatës në zonat e prekura.

Advertisement