Connect with us

Bota

Dronë misteriozë pranë armëve bërthamore amerikane në Belgjikë

Autoritetet belge po hetojnë një seri fluturimesh të paidentifikuara me dronë mbi një bazë ajrore që dyshohet se strehon armë bërthamore amerikane, mes një vale incidentesh të ngjashme në gjithë Evropën.

Ministri i Mbrojtjes i Belgjikës, Theo Francken, tha se vendi është shënjestruar dy netë radhazi, më 1 dhe 3 nëntor, nga disa dronë që fluturuan pranë bazës ajrore Kleine Brogel, ku ndodhen avionët luftarakë F-16 dhe ku së shpejti do të vendosen edhe avionët e rinj F-35.

Sipas Francken, operacioni është zhvilluar në dy faza: “Në fillim u përdorën dronë të vegjël për të testuar frekuencat radio të shërbimeve tona të sigurisë, më pas dronë më të mëdhenj për të destabilizuar zonën dhe njerëzit”, deklaroi ai për televizionin publik RTBF.

“Ngjan me një operacion spiunazhi – nga kush, nuk e di. Kam disa ide, por do të jem i kujdesshëm në spekulime”, shtoi ministri.

Sipas Center for Arms Control and Non-Proliferation, në bazën Kleine Brogel mund të ndodhen disa prej armëve taktike bërthamore amerikane, pjesë e arsenalit të NATO-s, megjithëse Washingtoni nuk zbulon shifra zyrtare.

Incidenti në Belgjikë është më i fundit në një valë fluturimesh të dyshimta me dronë që ka përfshirë disa vende evropiane gjatë muajve të fundit – përfshirë Danimarkën, Norvegjinë, Gjermaninë dhe vetë Belgjikën.

Shumica e fluturimeve janë regjistruar natën, shpesh me formacione të shumta dronësh, ndërsa objektivat më të zakonshëm kanë qenë baza ushtarake dhe aeroporte strategjike.

Një analizë e Institut Français des Relations Internationales et Stratégiques (IFRI) sugjeron se zgjedhja e Danimarkës si një nga shënjestrat mund të ketë arsye politike, pasi vendi mban aktualisht presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian.

Advertisement