Aktualitet
Emigrantët e huaj / Shqipëria drejt marrëveshjes për punonjës të huaj edhe me Indinë
Shqipëria dhe India po përgatiten të formalizojnë një marrëveshje për migracion të rregullt të punëtorëve indianë drejt tregut shqiptar të punës, në një zhvillim që pritet të ndikojë si në sektorin e punësimit, ashtu edhe në atë të turizmit.
Deklarata është bërë nga ambasadori i Indisë në Shqipëri, Ravindra Prasad Jaiswal, gjatë një vizite në Pogradec, ku ai theksoi se bisedimet me Qeverinë shqiptare janë në fazë të avancuar dhe synojnë krijimin e një kuadri të rregullt për lëvizjen e fuqisë punëtore.
Sipas tij, India cilësohet një burim i rëndësishëm i punëtorëve të kualifikuar, ndërsa bizneset shqiptare po i shohin gjithnjë e më shumë ata si potencial për sektorë të ndryshëm ekonomikë. Aktualisht, në Shqipëri janë dhënë rreth 1 mijë e 200 viza pune për shtetas indianë, një shifër që pritet të rritet.
Ambasadori theksoi se po diskutohet një marrëveshje partneriteti që do të garantojë një migracion “të organizuar dhe të kontrolluar”, duke synuar shmangien e problemeve dhe rritjen e transparencës në tregun e punës.