Connect with us

Aktualitet

Eric Wendt pranë emërimit si ambasador në Shqipëri, merr besimin absolut nga Komiteti për Marrëdhëniet me Jashtë i Senatit të SHBA-së

Komiteti për Marrëdhëniet me Jashtë i Senatit të Shteteve të Bashkuara, këtë të enjte ka miratuar emërimin e Eric Wendt si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i SHBA-ve në Republikën e Shqipërisë.

U raportua se emërimi i Wendt u mbështet nga shumica e anëtarëve të komisionit, përfshirë senatorë nga të dyja partitë kryesore, ku mori 19 pro nga 22 të tilla.

Mes votave pro për Wendt ishin senatorë të njohur si Risch, Ricketts, McCormick, Daines, Hagerty, Barrasso, Lee, Paul, Cruz, Scott, Cornyn, Shaheen, Coons, Murphy, Kaine, Duckëorth dhe Rosen, mes të tjerëve.

Ndërsa kandidatura pritet të kalojë për votim në seancë plenare të Senatit, ku do të vendoset përfundimisht konfirmimi i tij si ambasador i ri i SHBA-ve në Tiranë.

Kujtojmë se, më 20 maj, Wendt, gjatë seancës dëgjimore në Komitetin për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit, u pyet për rolin e SPAK-ut, investimet amerikane dhe bashkëpunimin strategjik në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Me mbi 34 vite shërbim aktiv, Wendt ka mbajtur një sërë pozicionesh të larta drejtuese, duke menaxhuar organizata komplekse me mijëra personel ushtarak, civil dhe ndërinstitucional. Përveç karrierës ushtarake, ai ka kontribuar edhe në diplomaci, duke shërbyer për dy vite në Departamentin Amerikan të Shtetit si pjesë e Ambasadës së SHBA-ve në Jerusalem. Në këtë rol, ai drejtoi një koalicion me tetë vende si Koordinator i Sigurisë për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez, duke raportuar drejtpërdrejt te Sekretari i Shtetit.

Departamenti i Shtetit thekson se përvoja e tij e gjerë në lidership, aftësia për të menaxhuar struktura shumëkombëshe dhe ndërinstitucionale, si dhe njohja e thellë e rajonit evropian e bëjnë Wendt një kandidat shumë të kualifikuar për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara në Shqipëri.

Në aspektin akademik, Wendt ka përfunduar studimet Bachelor në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara, si dhe një diplomë Master në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në Monterey, Kaliforni. Ai zotëron gjithashtu njohuri në gjuhën arabe dhe koreane.

Për kontributin e tij ndër vite, ai është vlerësuar me një sërë dekoratash dhe çmimesh prestigjioze, përfshirë Medaljen e Shërbimit të Shquar të Mbrojtjes, Medaljen e Shërbimit të Shquar, Medaljen e Yllit të Bronzit dhe Çmimin e Nderit të Lartë të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve.

Advertisement