Bota
Franca, Gjermania dhe Britania bombardojnë Iranin, Trump: Hakmarrje për vdekjet e ushtarëve
Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar kanë publikuar një deklaratë të përbashkët në lidhje me përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, duke theksuar se janë të gatshme të ndërmarrin “masat e nevojshme” për të mbrojtur interesat e tyre dhe ato të aleatëve në rajon.
Sipas deklaratës, këto masa mund të përfshijnë edhe “mundësimin e masave proporcionale ushtarake mbrojtëse për të shkatërruar aftësinë e Iranit për të lëshuar raketa dhe dronë nga burimi”.
Formulimi lë të kuptohet se tre shtetet evropiane nuk përjashtojnë mundësinë e goditjeve ndaj pikave të lëshimit brenda territorit iranian, nëse situata e sigurisë e kërkon një veprim të tillë.
Tre fuqitë evropiane theksojnë se çdo veprim i mundshëm do të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimin e proporcionalitetit, duke e cilësuar qasjen e tyre si mbrojtëse.
Megjithatë, deklarata sinjalizon një qëndrim më të ashpër ndaj Teheranit dhe rritje të gatishmërisë për përfshirje më të drejtpërdrejtë në zhvillimet e fundit.
Njoftimi vjen në një moment tensioni të lartë në rajon, mes shqetësimeve për zgjerimin e konfliktit dhe ndikimin e tij në sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar, pas eliminimit të Ajatollahut Ali Khamenei nga sulmet izraelite më 28 shkurt.
Presidenti amerikan Donald Trump ka postuar një deklaratë video në Truth Social, ku thotë se SHBA-të do të “hakmerren” për vdekjet e ushtarëve amerikanë dhe “do t’i japin goditjen më ndëshkuese” regjimit iranian.
Trump shton se SHBA-të po “ndërmarrin një operacion masiv, jo vetëm për të siguruar sigurinë për kohën dhe vendin tonë, por edhe për fëmijët tanë dhe fëmijët e tyre”.
Ai thekson më tej se kjo është “detyra dhe barra e një populli të lirë”.
“Këto veprime janë të drejta dhe janë të nevojshme për të siguruar që amerikanët nuk do të përballen kurrë me një regjim terrorist radikal, të etur për gjak, të armatosur me armë bërthamore”, thotë ai.