Politike
GAZI AMERIKAN NË DERËN E SHQIPËRISË/ TRUMP SYNON BALLKANIN, BE FRIKËSOHET NGA VARËSIA
Ballkani Perëndimor po kthehet në një treg të ri për gazin amerikan, por zgjerimi i kësaj industrie po ngre shqetësime në Bruksel.
Shqipëria, Kosova dhe Bosnje-Hercegovina kanë shfaqur interes për të blerë sasi të mëdha gazi natyror të lëngshëm nga Shtetet e Bashkuara ose për të ndërtuar infrastrukturën e nevojshme për importimin e tij.
Sipas një analize të “Politico”, këto vende e konsiderojnë gazin si një karburant tranzicioni, ndërsa përpiqen të reduktojnë varësinë nga energjia ruse, të largohen nga qymyri dhe të rrisin përdorimin e burimeve të rinovueshme.
Në rastin e Shqipërisë, dilema është edhe më e ndjeshme. Vendi mbështetet kryesisht te hidroenergjia, por thatësirat e lidhura me ndryshimet klimatike po ndikojnë në prodhimin hidroelektrik. Për këtë arsye, gazi shihet si një alternativë që mund të garantojë energjinë në periudhat kur prodhimi nga burimet e rinovueshme nuk mjafton.
Megjithatë, gazi aktualisht përbën vetëm 1.8 për qind të përzierjes energjetike shqiptare.
Pikërisht këtu ndërhyn shqetësimi i Bashkimit Europian. Zyrtarë në Bruksel paralajmërojnë se ndërtimi i kapaciteteve të mëdha të gazit mund t’i lidhë vendet e rajonit me lëndët djegëse fosile për dekada, në një kohë kur ato duhet të përmbushin objektivat europiane për dekarbonizimin.
András Hujber, përgjegjës për diplomacinë energjetike të BE-së në Ballkanin Perëndimor, tha se zhvillimi i gazit në rajon “duket se bie ndesh” me angazhimet për dekarbonizim.
Ndërkohë, kompanitë amerikane po shfrytëzojnë largimin e Europës nga gazi rus dhe kërkesën në rritje për furnizime të reja. Kjo përputhet me politikën e administratës Trump për atë që Washingtoni e quan “dominim energjetik”.
Kështu, Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit ndodhen përballë një dileme strategjike: siguri energjetike përmes gazit amerikan, apo përshpejtim i tranzicionit drejt energjisë së pastër sipas objektivave të Bashkimit Europian.