Kronike
Goditet një tjetër rast i zhvillimit të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit, sekuestrohet një sasi e madhe parash dhe tri kasaforta të mbyllura.
Policia e Shtetit
Vijon operacioni policor “Fati i lojërave”.
Goditet një tjetër rast i zhvillimit të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit.
Operacioni i zhvilluar nga Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, Komisariatin e Policisë Kurbin dhe forcat speciale RENEA.
Vihen në pranga 2 shtetas.
Sekuestrohen 32 makineta, një sasi e konsiderueshme vlerash monetare dhe 3 kasaforta të mbyllura.
Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative dhe nga informacionet e adresuara nga qytetarët në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit, për ushtrimin dhe organizmin e lotarive dhe basteve sportive pa leje, vënien në dispozicion të lokaleve për lojëra fati, fshehje të ardhurash dhe pastrim të produktit të veprës penale, Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me strukturat Policore të DVP Lezhë dhe ato të Komisariatit të Kurbinit, të mbështetura nga forcat speciale RENEA, kanë ushtruar kontroll të imtësishëm në disa lokale dhe ambiente në Kurbin, Milot dhe Lezhë.
Si rezultat i kontrolleve të ushtruara në vijim të operacionit “Fati i lojërave”, në aksin rrugor Milot – Thumanë, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e marrë me qira nga shtetasi Gj. P. dhe që menaxhohej nga shtetasi A. K., kanë gjetur dhe sekuestruar 32 makineta që shërbenin për zhvillimin e lojërave të fatit, 421.000 lekë të rinj, 3325 euro dhe tri kasaforta të mbyllura.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin arrestuan në flagrancë shtetasin Gj. P., 28 vjeç, banues në Mamurras dhe shtetasin A. K., 40 vjeç, banues në Thumanë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.