Connect with us

Politike

GONZATO FLET PER TENSIONET POLITIKE-SPAK

Ambasadori i Bashkimi Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka komentuar  tensionet mes politikës dhe Prokurorisë së Posaçme SPAK, duke theksuar se ato nuk ndikojnë negativisht në procesin e integrimit të Shqipërisë.
Në një intervistë  Gonzato bëri një dallim midis debatit konstruktiv dhe sulmeve personale ndaj gjyqësorit.
Gonzato theksoi se debatet midis ekzekutivit dhe gjyqësorit janë të zakonshme edhe në vendet e tjera të BE-së dhe mund të shërbejnë si një mekanizëm për përmirësimin e sistemit.
“Tensionet mund të jenë pozitive, sepse nëse flasim për tensione midis ekzekutivit nga njëra anë dhe gjyqësorit nga ana tjetër, kjo është pothuajse normale… Pas reformës në drejtësi që u ndërmor në vitin 2016, jemi 10 vjet më vonë, mund të ketë gjëra që duhet të trajtohen në drejtim të ofrimit të mbrojtjeve më të mëdha për të drejtat e të pandehurve”, tha Gonzato.
Ai shtoi se një dialog konstruktiv duhet të fokusohet tek përmirësimi i performancës së sistemit të drejtësisë, për ta bërë atë më të përgjegjshëm ndaj qytetarëve, duke përfshirë edhe SPAK-un, por edhe sistemin e zakonshëm gjyqësor, i cili shpesh përballet me vonesa dhe ngecje.
Gonzato paralajmëroi se sulmet personale ndaj gjyqësorit, përfshirë kërcënime apo insinuata, janë të dëmshme dhe nuk duhet të tolerohen.
“Ajo që është shqetësuese është kur diskursi kalon në sulme personale dhe të drejtpërdrejta kundër disa anëtarëve të gjyqësorit, sepse kjo është një mënyrë për të minuar besueshmërinë e tyre dhe kjo është diçka që ne nuk e vlerësojmë pozitivisht”, tha ambasadori.
Megjithatë, ai theksoi se, sipas informatave të tij, përfaqësuesit e SPAK-ut kanë treguar qëndrueshmëri dhe pavarësi përballë sulmeve dhe insinuatave, duke dërguar një sinjal pozitiv për stabilitetin dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë.
“Ky është një sinjal pozitiv. Do të thotë se ata janë mjaftueshëm të sigurt dhe të pavarur për t’i rezistuar këtyre lloj sulmesh”, përmbylli Gonzato.

Advertisement