Aktualitet
Gurë, molotovë dhe gaz lotsjellës/ Studentët rrethojnë Kryeministrinë, nuk largohen
Protesta e nisur në orët e paradites para Ministrisë së Arsimit në Tiranë është përshkallëzuar gjatë pasdites, duke u shoqëruar me akte dhune, dëmtime të pronës dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Pas incidenteve të regjistruara në zona të ndryshme të kryeqytetit, protestuesit janë zhvendosur drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Gjatë lëvizjes, vazot me lule të vendosura përgjatë rrugës janë hedhur në mes të bulevardit, duke penguar qarkullimin dhe duke krijuar një situatë kaotike në zonë.
Më pas, protestuesit kanë nisur të hedhin gurë dhe molotovë në drejtim të Kryeministrisë. Përballë këtyre veprimeve, forca të shumta policie kanë ndërhyrë duke përdorur autobotët me ujë dhe gazin lotsjellës, me qëllim shpërndarjen e turmës dhe vënien nën kontroll të situatës.
Përshkallëzimi i protestës vjen pas incidenteve të regjistruara më herët pranë Ministrisë së Financave dhe institucioneve të tjera në qendër të Tiranës. Zhvillimet e pasdites e kanë zhvendosur fokusin e protestës në bulevardin kryesor të kryeqytetit, ku përplasjet dhe ndërhyrja e policisë kanë rritur më tej tensionet.