✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Inteligjenca artificiale në shkolla/ Kumbaro: Nxënësit nuk janë të detyruar…

Inteligjenca Artificiale nuk do të jetë e detyrueshme në shkollat shqiptare. Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka sqaruar debatin mbi përdorimin e IA-së në procesin mësimor, duke theksuar se nuk ekziston asnjë vendim apo udhëzim që e bën të detyrueshme për nxënësit apo mësuesit.

“Nuk ka asnjë vendim apo udhëzim që të jetë futur inteligjenca artificiale me detyrim në shkollë. Nuk është e vërtetë, nuk ekziston”, deklaroi Kumbaro.

Sipas ministres, në bashkëpunim me Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë, është përgatitur një udhëzues për mënyrën se si inteligjenca artificiale mund të përdoret në mënyrë etike në procesin arsimor.

Kumbaro tha se qëllimi nuk është përdorimi i IA-së si një detyrim për nxënësit, por orientimi i tyre drejt një përdorimi që ndihmon në zhvillimin e aftësive dhe mendimit kritik.

“Përdorimi i inteligjencës artificiale duhet të përdoret për të nxitur mendimin kritik, nën udhëheqjen e mësuesve dhe jo të rrisë dembelizmin tek nxënësit”, u shpreh ministrja.

Qasja e ministrisë lidhet edhe me qëndrimin e shprehur së fundmi nga kryeministri Edi Rama për përdorimin e inteligjencës artificiale në arsim dhe në shoqëri. Rama ka argumentuar se IA duhet të shërbejë për të zhvilluar aftësitë njerëzore dhe jo për t’i zëvendësuar ato.

Debati për përdorimin e IA-së në shkolla lidhet kështu me mënyrën se si teknologjia mund të integrohet në procesin mësimor, duke ruajtur rolin e mësuesit dhe duke nxitur nxënësit të analizojnë dhe verifikojnë informacionin në vend që të mbështeten vetëm te përgjigjet e gjeneruara nga teknologjia.

Advertisement