Aktualitet
Izraeli në industrinë shqiptare të mbrojtjes/ Nga shkurti nisin dronët e antidronët ‘Made in Albania’
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bëri të ditur se Shqipëria po investon në ndërtimin e kapaciteteve të reja strategjike për përballimin e rreziqeve moderne, duke përfshirë kërcënimet kimike dhe biologjike, si dhe forcimin e mekanizmave për menaxhimin e emergjencave civile.
Në deklaratat e tij për mediat, Vengu theksoi se po ndërtohet një kapacitet i specializuar për përballimin e rreziqeve kimike dhe biologjike, i cili jo vetëm që do të rrisë sigurinë kombëtare, por do t’i japë Shqipërisë mundësinë të kontribuojë më gjerësisht në misione të tjera të NATO-s.
Në fushën e emergjencave civile, ministri njoftoi se Qeveria po ndërton tre qendra rajonale për përballimin e emergjencave, me synimin për të rritur reagimin e shpejtë dhe koordinimin në situata krize. Paralelisht, Shqipëria do të adoptojë sistemin italian të raportimit të emergjencave “112”, duke përmirësuar ndjeshëm komunikimin dhe menaxhimin e thirrjeve emergjente.
Sa i përket modernizimit teknologjik, Vengu sqaroi se me kompaninë Elbit Systems është nënshkruar një kontratë që përfshin vetëm dronët dhe sistemet antidron, duke hedhur poshtë çdo spekulim për komponentë të tjerë të marrëveshjes. Kontrata për dronët ushtarakë është në vlerën e 30 milionë eurove, siç bëri me dije ministri.
Ai bëri të ditur gjithashtu se prodhimi i uniformave ushtarake pritet të nisë dhe të realizohet brenda 6-mujorit të parë të vitit, ndërsa prodhimi i dronëve është planifikuar të fillojë në muajin shkurt. Sipas tij, prodhimi i sistemeve antidron pritet të nisë brenda vitit 2026.
Në aspektin e përballimit të zjarreve dhe fatkeqësive natyrore, Vengu njoftoi se Shqipëria po blen dy avionë zjarrfikës, me synimin që njëri prej tyre të vihet në shërbim brenda këtij viti. Objektivi afatmesëm, sipas ministrit, është blerja e katër avionëve zjarrfikës, për të rritur ndjeshëm kapacitetet ajrore të reagimit ndaj zjarreve.
Deklaratat e ministrit Vengu konfirmojnë një qasje të re të Forcave të Armatosura dhe strukturave të mbrojtjes, të orientuar drejt sigurisë gjithëpërfshirëse, modernizimit teknologjik dhe rolit aktiv të Shqipërisë brenda NATO-s.