Connect with us

Bota

Izraelitët do të bëjnë çfarë u them unë, do ndalen kur të ndalem unë

Presidenti amerikan Donald Trump thotë se Izraeli është një “lojtar i mirë ekipi” dhe ata do të “bëjnë çfarë u them unë”.
Në një intervistë me revistën Time, ai shtoi se “ata do të ndalen kur unë të ndalem… ata do të ndalen nëse nuk provokohen, në të cilin rast, ata nuk do të kenë zgjidhje tjetër, por do të ndalen kur unë të ndalem”.
Trump deklaroi se Washingtoni mund të ndërmarrë një fushatë të gjerë bombardimesh ndaj Iranit në dy deri në tre javët e ardhshme, nëse nuk arrihet një marrëveshje për përfundimin e luftës.
Në një fjalim në “prime time”, Trump tha se SHBA-të janë pranë mbylljes së konfliktit, por paralajmëroi se në mungesë të një marrëveshjeje do të goditen objektiva kyçe të infrastrukturës iraniane.
“Ne do të godasim çdo central elektrik shumë fort dhe ndoshta në të njëjtën kohë. Mund të godasim edhe naftën e tyre”, u shpreh ai, duke shtuar se Irani “nuk ka asgjë çfarë mund të bëjë për ta ndalur këtë”.

Sipas presidentit amerikan, objektivat kryesore ushtarake janë pothuajse të përmbushura dhe objektet bërthamore iraniane janë dëmtuar rëndë nga sulmet e mëparshme. Ai paralajmëroi se çdo përpjekje për të rifituar kontroll mbi materialet bërthamore do të përballet me goditje të menjëhershme me raketa.
Ndërkohë, administrata amerikane ka sinjalizuar përmes ndërmjetësve se është e hapur për një armëpushim, në këmbim të rihapjes së Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për transportin global të naftës.
Pas fjalimit të Trump, tregjet reaguan menjëherë: çmimet e naftës u rritën, ndërsa bursat amerikane pësuan rënie, duke reflektuar shqetësimin për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit dhe ndikimin e tij në ekonominë globale.
Trump nuk shpalli një plan të qartë për përfundimin e luftës, por theksoi se SHBA-të do të ndërmarrin “goditje shumë të forta” në javët në vijim, nëse nuk arrihet një marrëveshje me Teheranin.

Advertisement