✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

KALVARI I VUAJTJEVE NE PD/ BERISHA: QENDRUAM STOIK

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se forca politike që drejton ka kaluar një periudhë të vështirë, gjatë së cilës, sipas tij, janë bërë përpjekje për ta kontrolluar dhe nënshtruar atë.

Berisha e cilësoi këtë periudhë si një “kalvar të vërtetë”, ndërsa theksoi se qëllimi i betejës së demokratëve ishte ruajtja e pavarësisë së partisë dhe e kontrollit të saj nga anëtarësia.

Sipas kryedemokratit, qëndresa e demokratëve ka bërë të mundur që Shqipëria të ketë një opozitë që nuk i nënshtrohet qeverisë dhe që përballet me pushtetin, pavarësisht nëse ai konsiderohet legjitim apo jo.

“Partia Demokratike kaloi një periudhë të vështirë, kaloi një kalvar të vërtetë. Por qëndroi, qëndroi me një vendosmëri epike”, deklaroi Berisha

Ai e përmblodhi betejën politike të demokratëve me synimin që Partia Demokratike të mos kontrollohet nga aktorë të tjerë, por të mbetet në duart e anëtarëve të saj.

“Ne bëmë çdo gjë që këtë parti të mos e kontrollojë kush tjetër përveç jush, anëtarët, anëtaret e kësaj partie”, u shpreh kreu i PD-së.

Berisha e lidhi pavarësinë e opozitës me funksionimin e demokracisë dhe të shtetit, duke argumentuar se një vend nuk mund të ketë perspektivë nëse i mungon një opozitë e vërtetë dhe sovrane.

“Vende pa opozitë të ardhme nuk kanë, edhe këtë e ka faturuar më shumë se kushdo tjetër Shqipëria në 46 vite”, tha ai.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati akuzoi gjithashtu se disa demokratë janë përballur me procese që ai i cilësoi si të padrejta dhe me përpjekje për t’i gjunjëzuar politikisht. Berisha nuk përmendi emra konkretë apo institucione përgjegjëse për këto pretendime, por i vlerësoi ata që, sipas tij, i kanë rezistuar presionit.

“Të gjithë ata që qëndruan, të gjithë ata të cilët u përballën në procese të padrejta, në përpjekje për t’i gjunjëzuar, për t’i kontrolluar, ata janë heronjtë e mi”, deklaroi Berisha.

Advertisement