✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

KANCERI I GJIRIT NË RRITJE/ 829 raste të reja në 2025, 214 VIKTIMA

Rastet e reja me kancer gjiri në Shqipëri vijojnë të shënojnë rritje. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, gjatë vitit 2025 u regjistruan 829 raste të reja te gratë, ndërsa 214 gra humbën jetën nga kjo sëmundje. Po gjatë këtij viti, në vend u konfirmuan edhe 19 raste me kancer gjiri te meshkujt.

Specialistja e ISHP-së, Ediona Kola, thotë se incidenca ka shënuar rritje nga një vit në tjetrin, ndërsa vdekshmëria, krahasuar me vitet e mëparshme, ka ardhur në ulje. Sipas saj, vdekshmëria e standardizuar është ulur nga rreth 18 në 16 raste për 100 mijë gra, në krahasim me vitin 2021.

Rritja e rasteve është më e theksuar te grupmoshat mbi 50 vjeç. Të dhënat e ISHP-së tregojnë një rritje mesatare të incidencës prej rreth 2.2% në vit në këto grupmosha. Ndërkohë, te gratë nën 50 vjeç është konstatuar një tendencë në rënie, me rreth 0.9% në vit.

Sipas specialistëve, ndryshimet në incidencën e sëmundjes lidhen me disa faktorë, përfshirë moshimin e popullsisë, ndryshimet në stilin e jetesës, por edhe rritjen e ndërgjegjësimit dhe përmirësimin e programeve të depistimit.

Depistimi për kancerin e gjirit nuk kryhet vetëm gjatë muajit tetor, por ofrohet gjatë gjithë vitit. Mamografitë janë të disponueshme në spitalet rajonale, në disa qendra shëndetësore në Tiranë dhe përmes dy mamografive të lëvizshme të organizuara nga ISHP.

Specialistët u bëjnë thirrje grave që të informohen pranë mjekut të familjes për qendrën më të afërt ku mund të kryejnë mamografinë, si dhe për lëvizjen e njësive mobile të depistimit.

Advertisement