Aktualitet
“Kanë marrë 50.000 euro”, aktivistja hedh akuza të forta ndaj organizatorëve
Përplasja fizike e regjistruar mbrëmjen e djeshme mes dy grupimeve të protestës qytetare para Kryeministrisë ka sjellë akuza të forta brenda radhëve të protestuesve.
Influencerja dhe aktivistja Gerta Shino, e angazhuar prej kohësh në mbështetje të protestës, ka reaguar publikisht pas incidentit, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e administrimit të fondeve të mbledhura për protestën dhe duke hedhur akuza për ndërhyrje për ta dëmtuar atë.
Në reagimin e saj, Shino pretendon se janë mbledhur mbi 10 mijë euro përmes platformës GoFundMe, ndërsa përmend edhe një shumë prej rreth 40 mijë eurosh që, sipas saj, është dhënë nga shteti për të prishur protestën. Ajo nuk ka paraqitur publikisht prova për këto pretendime.
Shino gjithashtu aludon për përfshirjen e një prej grupimeve në një marrëveshje me Tom Doshin, duke paralajmëruar se nëse personat që ajo akuzon nuk largohen, mund të publikohen emra dhe prova.
Ndërkohë, në rrjetet sociale janë hedhur pretendime se në përplasjen e mbrëmshme mund të jenë përfshirë persona të lidhur me grupin e Visar Dalipit, i njohur në rrjetet sociale si “Banka e Fundit”, dhe mbështetës të Gent Prognit.
Megjithatë, këto pretendime nuk janë konfirmuar zyrtarisht dhe deri tani mbeten pjesë e akuzave dhe kundërakuzave mes pjesëmarrësve të protestës.
Përplasja fizike ka shtuar tensionet brenda një proteste që vijon prej më shumë se dy muajsh para Kryeministrisë, ndërsa pritet që autoritetet të sqarojnë rrethanat e incidentit dhe përgjegjësit për përplasjen.