Bota
“Kërcënimet e tua janë boshe”/ Jared Kushneri sfidon Putin në shtëpinë e tij
I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, ka vënë në pikëpyetje pretendimin e presidentit rus Vladimir Putin se forcat ruse mund të marrin kontrollin e plotë të Donbasit brenda pak muajsh. Sipas “The New York Times”, përplasja verbale është zhvilluar gjatë takimit që Kushner dhe i dërguari tjetër amerikan, Steve Witkoff, patën me Putinin në Kremlin më 5 shtator.
Gjatë bisedimeve, Putin ka shprehur bindjen se Rusia mund të përfundojë pushtimin e të gjithë Donbasit brenda disa muajsh. Sipas raportimeve, presidenti rus ka deklaruar gjithashtu se Moska është e gatshme të godasë infrastrukturën energjetike të Ukrainës, një zhvillim që mund të shtojë presionin mbi vendin gjatë dimrit.
Kushner i është përgjigjur duke i kujtuar Putinit se një parashikim i ngjashëm ishte bërë edhe një vit më parë. “Me gjithë respektin, të njëjtën gjë na thatë edhe një vit më parë. Sa janë gjasat që të kthehemi këtu pas një viti dhe ju të na thoni përsëri të njëjtën gjë?”, mësohet të ketë thënë ai.
Çështja territoriale mbetet një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes mes Moskës dhe Kievit. Rusia kërkon tërheqjen e forcave ukrainase nga pjesët e Donbasit që ende nuk janë nën kontrollin rus, ndërsa Ukraina nuk ka pranuar këtë kërkesë.
Pas takimit në Moskë, Kushner dhe Witkoff udhëtuan drejt Kievit, në kuadër të përpjekjeve diplomatike të administratës amerikane për të nxitur negociatat mes dy vendeve.
Më 8 shtator, Trump zhvilloi një bisedë me Putinin dhe një ditë më vonë e përshkroi komunikimin si “të shkëlqyer”, duke thënë se presidenti rus ishte i gatshëm të arrinte një marrëveshje paqeje.
Duke folur më pas në Kiev për çështjen territoriale, Kushner tha se Putin kishte paraqitur vijën territoriale që Moska synon të arrijë, por shtoi se Ukraina aktualisht nuk është e gatshme të tërhiqet deri në atë pikë. Sipas Kushnerit, pala amerikane po kërkon një “zgjidhje kreative” për mosmarrëveshjen territoriale, me synimin për t’i hapur rrugë një marrëveshjeje më të gjerë.