Connect with us

Kosova

Kosova prapë në zgjedhje/ Abdixhiku: Kurti kërkonte president që merret me Shoqatën e Zjarrfikësve

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka shpalosur disa nga bisedat që ka pasur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, lidhur me çështjen e presidentit.
Sipas tij, Kurti gjatë diskutimeve kishte bërë të ditur se kërkon një president që merret me Shoqatën e Zjarrfikësve.
“Unë nuk kam president që përcjell e i pret Shoqatën e Zjarrfikësve”, tha ai në një paraqitje televizive në RTV Dukagjini.
Abdixhiku ka vlerësuar se Kosovës i duhet një president që ulet me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe i kërkon atij anëtarësimin në NATO.
“Unë mendoj që na duhet një president që bën politikën e jashtme shumë të fortë, e jo të merret me zjarrfikësit, ka kush merret me ta”, tha ai.
Të hënën, Kurti zhvilloi takimin e katërt me radhë me Abdixhikun, për çështjen e presidentit. Por as ky takim nuk solli rezultat, duke u mbyllur pa marrëveshje përfundimtare për këtë çështje.
Kurti deklaroi pas takimit se i ka ofruar LDK-së, në bashkëqeverisje me partnerët e tjerë, postin e zëvendëskryeministrit, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri ministri të tjera. Në një ofertë tjetër, ai tha se i ka ofruar LDK-së edhe postin e kryetarit të Kuvendit.
“Unë kam preferuar që zëvendësi im të bëhet pikërisht Abdixhiku, dhe në këtë mënyrë të fillojmë një kapitull të ri bashkëpunimi mes LDK-së dhe LVV-së”, deklaroi Kurti.
Në anën tjetër, Abdixhiku u shpreh se nuk do të takohet më me Kurtin.

“U përpoqa, provova, nuk arrita, fatkeqësisht. Tani do t’i kthehem LDK-së dhe do t’i kthehem misionit të madh të bashkimit të së djathtës brenda LDK-së”, u shpreh ai.

Advertisement