Aktualitet
Klevi Metaj, simboli i protestës, djali i gazetares së njohur
Studenti i Drejtësisë, Klevi Metaj, është kthyer në një nga emrat më të komentuar të protestës së studentëve, pas përplasjeve me efektivët e policisë mbrëmjen e së martës. Ai është djali i Brikena Metajt, korrespondente e News24 në Gjirokastër, dhe studion në Universitetin e Tiranës.
Pamjet e publikuara nga protesta tregojnë Metajn duke ecur në trotuar, përpara se të goditet nga një efektiv policie. Në vijim, ai shfaqet në një përplasje fizike me disa efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të pajisur me shkopinj gome.
Më vonë, në rrjetet sociale u publikuan fotografi të studentit të prangosur te kangjellat e Ministrisë, si dhe pamje ku ai shfaqet me shenja të dukshme dhune brenda një furgoni policie.
Ngjarja ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku shumë komentues e kanë lidhur figurën e studentit me kërkesën për drejtësi dhe reagimin ndaj dhunës së pretenduar policore. Shprehja
“Studenti i Drejtësisë në kërkim të së drejtës” është përdorur për të përshkruar përplasjen e tij me efektivët.
Incidenti ndodhi gjatë protestës së studentëve kundër qeverisë, e cila u shoqërua me tensione dhe ndërhyrjen e forcave të policisë. Megjithatë, rrethanat e plota të ngjarjes dhe përgjegjësitë për përdorimin e pretenduar të dhunës mbeten për t’u sqaruar.
View this post on Instagram