Politike
Kushtetuesja rrëzon PD-në, Endri Shabani mbetet Avokat i Popullit
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar njëzëri kërkesën e 44 deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët kundërshtuan zgjedhjen e Endri Shabanit në detyrën e Avokatit të Popullit. Me këtë vendimmarrje, zgjedhja e Shabanit nga Kuvendi mbetet në fuqi.
Shabani u zgjodh nga Kuvendi më 11 dhjetor 2025, me 85 vota pro. Deputetët e opozitës kundërshtuan procedurën e ndjekur për zgjedhjen e tij, duke pretenduar se ajo ishte në kundërshtim me Kushtetutën. Në kërkesën e tyre u ngritën gjithashtu çështje që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmërinë e Shabanit me funksionin e Avokatit të Popullit.
Çështja u regjistrua në Gjykatën Kushtetuese në janar 2026 dhe në mars Kolegji i Gjykatës vendosi kalimin e saj për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh.
Përplasja politike rreth kandidaturës nisi pasi Partia Demokratike tërhoqi firmat për kandidatët për Avokat të Popullit, përfshirë edhe Endri Shabanin, duke deklaruar se ai nuk kishte më mbështetjen e saj. Pavarësisht kësaj, kandidatura e tij u votua në seancë plenare.
Me vendimin e marrë sot, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e deputetëve të PD-së, duke mos ndryshuar statusin e Endri Shabanit në detyrën e Avokatit të Popullit.