Kosova
Kuvendi i Shqipërisë dënon vendimin e Hagës: Besojmë në pafajësinë e çlirimtarëve
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë dalë me një deklaratë të përbashkët në Kuvend lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët u dënuan në total me 81 vite burg.
Deklarata u lexua në seancën plenare nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi. Në të, Kuvendi e cilëson vendimin ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së si të padrejtë dhe rikujton rolin e luftës së UÇK-së në çlirimin e Kosovës.
“Kuvendi e konsideron të padrejtë vendimin ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit”, thuhet në deklaratë, ku lufta e UÇK-së përshkruhet si një luftë për lirinë dhe çlirimin e Kosovës dhe si përgjigje ndaj represionit, dhunës dhe përndjekjes.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë të lidhur me historinë e luftës dhe rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë. Kuvendi argumenton se një aktgjykim gjyqësor nuk mund të ndryshojë historinë e një populli apo të zhbëjë sakrificat e bëra gjatë luftës.
“Kuvendi e konsideron të padrejtë vendimin ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit. Kuvendi rithekson një të vërtetë historike: Lufta e UÇK-së ishte luftë për lirinë dhe çlirimin e Kosovës, ishte lufta e një populli për t’i dhënë fund represionit, dhunës dhe përndjekjes. Ajo lindi si përgjigje ndaj represionit sistematik, spastrimit etnik dhe gjenocidit të kryer nga Millosheviçi. UÇK-ja ishte forcë vendimtare e rezistencës së popullit të Kosovës. Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë të pandashëm nga kjo histori, nga rrugëtimi i Kosovës drejt lirisë. Një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë e një populli, nuk mund të zhbëjë sakrificën e UÇK-së”, thuhet në deklaratë.
Kuvendi shpreh gjithashtu shqetësimin për atë që e cilëson si standarde të dyfishta, duke iu referuar nderimeve publike për persona të dënuar për krime lufte.
“Nderimet publike që u rezervohen personave të dënuar për krime lufte dhe glorifikimi i Mladiçit cenojnë kujtesën e viktimave, pengojnë pajtimin dhe bien ndesh me vlerat evropiane”, thuhet në deklaratë.