Aktualitet
“Loja e pisët” në produktet ushqimore, të vërtetat që sjellin ekspertët dhe ‘barra’ e konsumatorit
Shkrim mbi sigurinë ushqimore
“Loja e pisët” në produktet ushqimore, të vërtetat që sjellin ekspertët dhe ‘barra’ e konsumatorit
Siguria ushqimore vazhdon të jetë një burim pasigurie për konsumatorët shqiptarë. Me gjithë përpjekjen për shtimin e kontrolleve dhe ngritjen e standardeve, faktorë të shumtë, që nga prodhimi vendas e deri tek importet që vijnë nga rajoni dhe vendet e tjera të botës, nxisin pikëpyetje mbi atë që përfundon në tryezat e qytetarëve.
Rastet e helmimeve, prania e pesticideve në fruta dhe perime, si dhe skandali i mishit të kontaminuar me salmonelë, kanë shkaktuar një valë reagimesh publike. Për qytetarët, këto incidente janë cilësuar si “krim ndaj shëndetit”, duke ngritur kërkesa për përgjegjësi ndaj autoriteteve që kanë lejuar futjen e produkteve të rrezikshme dhe të pakontrolluar në treg, një peisazh problematik që reflekton dhe mungesën e besimit të konsumatorëve ndaj sigurisë së produkteve ushqimore në vend.
Pas këtij peisazhi, fshihen shumë aktorë përgjegjës. Ndërsa problematika thellohet, pyetja që ngrenë këta qytetarë është: Sa vërtetë i mbrojtur është konsumatori shqiptar? Deklaratat e institucioneve nuk japin më bindjen e dikurshme, kur përballë tyre qëndron realiteti i tregut që nxjerr dhe të vërtetën mbi ushqimin që sillet, përpunohet dhe mbërrin në tryezën e familjeve shqiptare.
Ersida Teliti nga Qendra “Konsumatori shqiptar”.shprehet se konsumatorët duhet të krijojnë, para së gjithash, perceptimin e tyre mbi ushqimin që kërkojnë të konsumojnë teksa shton.
“Problematika duhet parë, nëse ajo që kërkohet është ushqim i sigurt apo cilësor. Konceptet ndryshojnë dhe përdorimi i terminologjisë jo domosdoshmërisht i përfshin të dyja”, nënvizon Teliti.
Një tjetër perspektivë sjell Alban Zusi nga Shoqata për Ushqimin. Sipas tij, nëse qytetarët konsumojnë nga një dorë e tretë, kjo sjell elementë pozitivë, sikurse rreziqe potenciale mbi shëndetin.
“Kur ushqehesh nga dora e të tretëve, të paekspozuar nga kontrolli publik, ata mund të abuzojnë për njëmijë e një arsye; nga padija ose padashja. Kjo sjell qëllime jomorale dhe integritet të ulët të asaj që prodhojnë”, shton ish-zëvendës ministri i Bujqësisë.
Besimi tretet bashkë me ushqimin; ekspertët ndajnë të njëjtat shqetësime
Mbi sigurinë në produktet ushqimore, njohësit e mirë të çështjeve që prekin drejtpërdrejtë konsumatorin ndajnë të njëjtat mendime, por duke u mbështetur në perspektiva konkrete në pozicione që ata mbajnë prej vitesh. Renata Kongoli, e cila ndjek vazhdimisht situatën e sigurisë ushqimore si lektore pranë Universitetit Bujqësor në Tiranë, thotë se, sipas vëzhgimeve të saj të fundit, qytetari nuk e ndjen sigurinë e plotë për cilësinë e ushqimit që konsumon çdo ditë.
“Produktet nuk i kalojnë kontrollet e domosdoshme, mungon gjurmueshmëria nga ferma në tryezë dhe etiketa nuk pasqyron gjithnjë të dhëna të sakta mbi origjinën dhe përbërjen”, sqaron Kongoli.
Themeluesi dhe drejtuesi i qendrës Alert, Granit Sokolaj, e koncepton zinxhirin e sigurisë ushqimore si “të fragmentuar dhe të shkëputur”. Sokolaj prek dy nyje të rëndësishme që lidhen me faktorin konsumator, duke thënë se nga ajo çfarë ka ndeshur gjatë punës së tij, është se po ndihet një mungesë ndërgjegjësimi nga vetë konsumatorët, teksa shton se informacioni i cunguar e shton më shumë “peshën” e problemit.
“Edhe pse vitet e fundit është rritur disi ndjeshmëria, jemi ende në një situatë ku konsumatorët blejnë në rrugë, pa kontroll higjieno-sanitar, pa lexuar afatin e përdorimit dhe pa kuptuar rrezikun që mbart një produkt jashtë standardeve”, kontaston kreu i Alert.
Sokolaj thekson gjithashtu se mungesa e laboratorëve të akredituar për testime është një tjetër problem serioz. Laboratorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, nënvizon ai, janë thuajse jashtë funksioni, ku i vetmi laborator reference, siç është Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, s’mund ta përballojë ngarkesën e çdo analize që i përcillet.
Zusi sjell një shembull konkret, sa i takon mënyrës se si qytetarët i blejnë produktet. “Kur e blej produktin drejtpërdrejt nga prodhuesi është përgjegjësi e imja si konsumator. Nëse shkoj në fermë ose tek ndonjë i afërm, sërish përgjegjësia bie mbi mua. Por në momentin që unë blej në një njësi tregtare të licensuar, përgjegjësia për atë çfarë unë blej është e institucioneve publike. Që të ndodhë ky kalim nga fermeri tek tregu, duhen filtra kontrolli dhe verifikimesh. Këtë mund ta certifikojë një agronom ose veteriner”, thotë kreu i SHU.
Edhe pse ura mes tyre ekziston, parimi bazë i bashkëpunimit ende nuk ka funksionuar siç duhet. Nga mungesa e një informacioni të rregullt, vijnë dhe incidente të pakëndshme që prekin në fund vetë konsumatorët.
Importet jashtë çdo standardi, ekzistenca e institucioneve mbetet vetëm në teori
Lajmi se në Shqipëri u ndaluan një sasi e konsiderueshme frutash me përmbajtje pesticidesh nga Italia dhe Greqia, konfirmojnë atë çfarë kemi konstatuar në këtë shkrim. Për këto arsye, reagoi dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, duke informuar se urdhëruan kthimin mbrapsht të frutave pas verifikimit të nivelit të lartë me pesticide.
“Të gjithë aktorët e përfshirë në zinxhirin e prodhimit, tregtimit dhe eksportimit të produkteve ushqimore duhet të jenë të ndërgjegjshëm për të nxjerrë në treg produkte të sigurta e më tej nëse është e mundur të jenë dhe produkte cilësore”, sqaron Teliti.
Për Sokolajn, garancia për një ushqim të sigurt vjen nga zbatimi real i ligjit dhe jo nga numri i inspektimeve. “Ligji e detyron çdo biznes të nxjerrë në treg produkt të sigurt. Por nëse mungon kontrolli efektiv, çdo hallkë në zinxhir rrezikon të dështojë”, risjell në vëmendje drejtori ekzekutiv i Alert.
Në anën tjetër, lektorja Kongoli, nxjerr të dhëna mbi arsyet që sjellin këtë pasiguri, mundësitë që ekzistojnë dhe prej nga vjen kërcënimi konstant i këtyre ushqimeve.
| Mungesë sistemi të unifikuar monitorimi dhe kontrolli | Tregjet informale (shitje në rrugë, produkte të pa certifikuara) që janë ende shumë të pranishme.
Mungesa e laboratorëve të akredituar në të gjithë territorin, që bën të pamundur testimin në kohë. |
| Mundësitë | Institucione si Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) kanë rritur ndjeshëm kapacitetet analitike: nga vetëm 6 analiza të akredituara në vitin 2013, në vitet e fundit arritën ~1 945 teste të certifikuara. Ligjshmëria dhe kuadri institucioni po përpiqen të përafrijnë legjislacionin me standardet e BE-së.
Qeveria deklaron se “çdo hallkë e zinxhirit – nga ferma në tryezë” synohet të mbrohet. |
| Kërcënimet / ku paraqiten rreziqet | Raporte nga media dhe ekspertë flasin për raste të produkteve me pesticide mbi normë, antibiotikë në produkte shtazore, kontaminime.
Sipas raportit të Komisioni Evropian për Shqipërinë në vitin 2024: legjislacioni nuk është ende i harmonizuar me “acquis”-in e BE-së, dhe zbatimi mbetet i dobët. Sistemi i kontrollit dhe i monitorimit është ende i përkeqësuar në disa raste: mungesë burimesh, inspektime jo të mjaftueshme, probleme me gjurmueshmërinë e produkteve. Përfundimisht, perceptimi i qytetarëve tregon se besimi tek institucionet për sigurinë e ushqimit është i ulët. |
Më tej, Kongoli paraqet dhe zgjidhjen se si konsumatori mund të mbrohet nga faktorët potencialë të dëmshëm. “Fillimisht duhen zgjedhur produkte lokale sezonale, kanë transport më të shkurtër. 2; Të respektojë praktikën e larjes së frutave dhe perime, në rastin më të mirë të qërojë lëvoret, sidomos nëse nuk ndjen siguri për procesin. 3; Të blejë nga furnizues të brendshëm, në këtë rast fermerët duhet të ofrojnë graranci dhe praktikë të mira. Dhe 4; të kontrollojë certifikatat, markat standarde dhe nëse ka dyshime, të shmangë produkte që nuk kanë etiketë ose dokumentacion të rregullt”, përfundon Kongoli shpjegimin e saj.
Pikëpamje të tjera mbështet kreu i Shoqatës Ushqimore, sipas të cilit, është e pamundur që dështimet në prodhimin e ushqimeve të eleminohen. “Ekziston minimizimi, por jo eleminimi i tyre. Të thuash që s’do të ketë probleme, s’duhet të ketë dështime, kjo është e tepërt. Çfarë më shqetëson është se përsëriten të njëjtat dështime. Problemet e vjetra përpiqemi t’i zgjidhim me metoda të vjetra. Nuk shohim qasje të re, problemin ta kapim nga koka dhe ti analizojmë shkencërisht këto probleme, çfarë dimë dhe cilat janë sëmundjet e konsumatorit”, shton Zusi i cili ironizon dhe mënyrën se si institucionet e shëndetit publik sillen me të tjera institucion.
“Kam bindjen se funksionarët as që e dinë ku i kanë zyrat e njëri-tjetrit. Duhet të ishin gjithmonë në kontakt, në çdo problematikë. Mungon raporti statistikor nga këto institute dhe më së paku duhen të dalin publike minimumi çdo javë”, konstaton kreu i SHU.
Tregu europian dhe ai shqiptar; konsumatori “kryqëzon” gishtat
Shqipëria është pjesë aktive e importeve të ushqimeve që vijnë nga vende të ndryshme që janë pjesë e Bashkimit Europian, e sidomos nga vendet e Rajonit. Falë këtyre bashkëveprimeve, qytetarët kanë më tepër mundësi për të testuar produkte dhe për të vlerësuar cilësinë e asaj që vjen nga jashtë.
Sikurse atributet, risqet janë gjithmonë prezente, pasi vetë ekspertët të cilët e kanë ndjekur më nga afër situatën e kësaj ndërlidhje, thonë se ekziston një pretendim se në vendin tonë, produktet që shpërndahen në tregje nuk kanë marrë kontrollin që duhet, duke shmangur kështu dhe përgjegjësitë që i imponon ligji për konsumin.
Institucionet zgjedhin të mos bëjnë rolin e “policit”, konstaton gazetari Sokolaj, e si rrjedhojë, mund të ndodhin dhe lëshime të caktuara. Megjithatë, faktori kontrollues, sipas tij, duhet të jenë gjithmonë prezent dhe kjo duke planifikuar kontrolle për monstra dhe analiza në laboratorë që duhet të shërbejnë për vlerësimin e cilësisë së produkteve ushqimore.
Sakaq, Esmeralda Ballesha ka treguar për emisionin Pro Business në Tv Klan se vetë siguria ushqimore është në nivele shumë të ulëta. Për të faktuar tezën e saj, ekspertja nxorri në fokus raportin e progresit për vitin e kaluar. “Kapitulli 12-të ku në të flitet për sigurinë ushqimore ishte ndër të vetmit kapituj që nuk kishte bërë avancime”, u shpreh Ballesha e cila shtoi ndër të tjera se raporti i sivjetshëm pritet të dalë në nëntor.
“Ne jemi çfarë hamë”, produkt zgjedhjesh apo gabimesh
Shprehja tashmë e dëgjuar shpesh nga qytetarët shqiptarë “Ne jemi çfarë hamë” është kthyer në trend. Krahas karakteristikave të mira që fsheh ky slogan, të vërtetat që kemi nxjerrë përmes deklaratave të ekspertëve sikurse kërkimet mbi incidentet e shënuar brenda këtij viti, bëjnë që ky slogan të ndahet në dy drejtime: produkt i zgjedhjeve apo gabimeve.
Kongoli e sheh këtë slogan si një kapërcim të nevojave, thjesht biologjike. Pedagogia e Universitetit Bujqësor shkon përtej ndikimit biologjik që ka tretja e ushqimit në organizëm, duke prekur gjendjen emocionale të njeriut si koncept zhvillimi.
“Një ushqim i mirë është një mënyrë për t’u kujdesur për veten– konstaton lektorja – ndërsa zgjedhjet ushqimore të pamenduara pasqyrojnë mungesë vetëdije dhe vlerësimi për jetën”. Në këtë suazë mendimi, Kongoli deklaron se nga ky slogan, njerëzit duhet të kuptojnë se kujdesi për ushqimin është kujdes për trupin si “filozofi jetese”.
Ndryshe nga sa thonë ekspertët, mediat sociale kanë përparuar në nivele ekstreme duke bërë që komuniteti i qytetarëve të gjejnë zgjidhje përmes hapësirave ku të shprehen mbi pakënaqësitë e tyre sa i takon blerjeve që bëjnë në tregje. Këtë situatë, vetë njohësit për çështjet e sigurisë ushqimore nuk e shohin pengesë ndaj së vërtetës, por ata bëjnë thirrje për një kulturë më të shëndetshme reagimi nga këta qytetarë.
“Informacioni është shumë i rëndësishëm, por jo gjithçka që publikohet në rrjete mund të jetë e besueshme apo e vlefshme për konsumatorin. E vetmja thirrje që kam është që qytetarët mos të publikojnë në këto platforma informacione që nuk janë të bazuara mbi fakte, prova dhe analiza, raporte, burime zyrtare”, këshillon drejtuesi i Alert.
Të dyshosh është e drejtë, sikurse gabimet njerëzore që ndodhin nga personat përgjegjës që shesin produkte, por ndërgjegjësimi dhe rritja e standardit, si për institucionet publike që janë të detyruara ligjërisht që t’i përgjigjen këtyre shqetësimeve, sikurse për vetë konsumatorin që mbetet epiqendra e këtij fenomeni, janë e vetmja mënyrë që siguria ushqimore të prodhojë rezultat.
Nga reflektimet e tyre, kuptohet qartë “ngërçi” në zgjidhjen e efektshme të çdo problemi që lidhet me konsumin, por përgjigjia e vetme që ata japin si thirrje për qytetarët është që ata të angazhohen maksimalisht në bashkëpunimin aktiv me organet ligjzbatuese dhe të krijojnë konformitetin për një mjedis të sigurt për njeriun dhe shëndetin.
“Ky artikull është financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të projektit ‘Mbështetje për edukimin mbi sigurinë ushqimore në Shqipëri’, i cili po zbatohet nga Qendra për Ekselencë Destiny dhe Qendra TEAM. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.”