Bota
NDËRRON JETË JAY ROCKEFELLER, PASARDHËSI I DINASTISË QË KALOI 30 VJET NË SENAT
Jay Rockefeller, një nga pasardhësit e familjes së famshme amerikane Rockefeller dhe ish-senator i Shteteve të Bashkuara, ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare, në banesën e tij në Uashington.
Lajmin e raportoi Reuters, duke cituar bashkëshorten e tij, Sharon Percy Rockefeller.
I njohur me emrin e plotë John D. “Jay” Rockefeller IV, ai ishte stërnip i John D. Rockefeller, themeluesit të Standard Oil dhe një prej figurave që ndërtuan perandorinë amerikane të naftës.
Por karrierën publike e lidhi me Virxhinian Perëndimore, një shtet me komunitete të varfra dhe ekonomi të mbështetur te qymyri. Mbërriti atje në vitin 1964, për të punuar në një program kundër varfërisë. Më pas shërbeu dy mandate si guvernator dhe 30 vjet si senator, deri në pensionimin e tij më 2015.
Në politikë zgjodhi Partinë Demokrate, duke u shkëputur nga tradita republikane e familjes.
Guvernatori i Virxhinias Perëndimore, Patrick Morrisey, vlerësoi kontributin e tij në shëndetësi, mbrojtjen e minatorëve dhe familjeve të tyre, si dhe mbështetjen për veteranët.
Rockefeller la pas një emër të lidhur me pasurinë e madhe amerikane, por edhe një karrierë gati gjysmëshekullore në shërbimin publik.