Kronike
SPAK kërkon 16 prona në Tiranë e Durrës, mbi 2 milionë euro në dosjen e Frakullës
PAK i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme konfiskimin e 16 pasurive të paluajtshme në Tiranë dhe Durrës, të lidhura me Nikolin Gjolenën, Klevent Gjolenën dhe persona të afërt me ta. Sipas Prokurorisë së Posaçme, vlera e tyre aktuale në treg kalon 2 milionë euro.
Kërkesa është depozituar më 6 nëntor, pas përfundimit të hetimit pasuror, në zbatim të ligjit antimafia.
Në Durrës, pronat përfshijnë tetë apartamente dhe tri njësi tregtare në zonën e Plazhit, në lagjen 13. Në Tiranë janë identifikuar tre apartamente dhe dy garazhe.
Sipas të dhënave të hetimit të përcjella nga mediat shqiptare, SPAK ka evidentuar edhe pesë transferta në vlerën e përgjithshme 404.733 euro dhe 42.942 dollarë. Paratë kanë mbërritur në emër të familjarëve nga vende të Amerikës Qendrore dhe rajonit të Karaibeve.
Prokuroria pretendon se dokumentacioni dhe ekspertimi kontabël nuk kanë provuar burimin e ligjshëm të të ardhurave të përdorura për krijimin e pasurive.
Hetimi lidhet me dosjen e 485,5 kilogramëve kokainë të sekuestruar më 24 nëntor 2022 në Frakull të Madhe, Fier. Droga ishte transportuar nga Kolumbia drejt Shqipërisë, e fshehur në një ngarkesë me pleh.
Për këtë çështje, Nikolin Gjolena është dënuar me 11 vjet e 4 muaj burg. Vendimi i dhënë në qershor 2024 është lënë në fuqi nga Apeli i Posaçëm në dhjetor të po atij viti.
Konfiskimi i 16 pronave është kërkesë e SPAK-ut. Gjykata e Posaçme do të shqyrtojë provat dhe do të vendosë mbi fatin e pasurive.