Kronike
Vrasja e Gentian Bejtjas, dosja në Apel/ Ilir Beqaraj kundërshton dënimin me 16 vite burg
Dosja e vrasjes së Gentian Bejtjas në Larushk të Fushë-Krujës ka kaluar në Gjykatën e Apelit, pasi Ilir Beqaraj ka kundërshtuar vendimin e Shkallës së Parë, që e dënoi me 16 vite burgim.
Beqaraj u shpall fajtor në shkurt të vitit 2026 për përfshirjen në vrasjen e ndodhur më 15 mars 2024. Gjykata caktoi fillimisht 24 vite burgim, ndërsa pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar u ul në 16 vite.
Përmes ankimit, mbrojtja ligjore kërkon shpalljen e pafajësisë ose kthimin e çështjes për rigjykim, duke pretenduar shkelje procedurale dhe hetim të paplotë.
Gentian Bejtja u ekzekutua me armë zjarri në ambientet e banesës së tij, në Larushk. Sipas hetimeve, autorët u larguan nga vendngjarja dhe dogjën një automjet tip “Land Rover” në fshatin Hasan.
Prokuroria ka mbështetur akuzën ndaj Beqarajt edhe në prova të administruara gjatë hetimit, përfshirë të dhëna për lëvizjet e automjeteve të dyshuara dhe gjurmë biologjike.
Vrasja e Bejtjas ishte një nga ngjarjet më të rënda kriminale të vitit 2024. Viktima kishte qenë më parë objektiv i disa atentateve, ndërsa hetimet kanë synuar identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në organizimin dhe ekzekutimin e krimit.
Procesi në Apel mbetet vendimtar për shqyrtimin e pretendimeve të mbrojtjes dhe vlerësimin e provave mbi të cilat është mbështetur dënimi.