Politike
MALI I ZI-SHQIPËRI 2028-2029/ KALENDARI I ARTË PËRBALLET ME REALITETIN EVROPIAN
Me gati një vit vonesë, Komisioni Evropian prezantoi propozimin për rishikimin e politikës së zgjerimit, në një përpjekje për ta përgatitur Bashkimin Evropian për anëtarësimet e reja që mund të vijnë në vitet e ardhshme.
Kalendari i mundshëm parashikon Malin e Zi si vendin e parë që mund të anëtarësohet, potencialisht në vitin 2028, ndërsa Shqipëria mund ta ndjekë një vit më vonë.
Por pas deklaratave optimiste të drejtuesve evropianë, analistet evidentojne një problem: ndjenja e urgjencës për zgjerimin po zbehet.
Një diplomat evropian citohet të ketë paralajmëruar se ritmi i zgjerimit nuk është më ai i pranverës së kaluar, ndërsa një tjetër shprehet se gjatë vjeshtës mund të mos ketë zhvillime të rëndësishme.
Komisioni Evropian pritet të propozojë një koncept të ri të quajtur “integrim gradual”, që do t’u mundësonte vendeve kandidate të përfitonin nga disa politika dhe mekanizma të BE-së edhe përpara anëtarësimit të plotë.
Por sipas eurodeputetit Sandro Gozi, kjo nuk mund të zëvendësojë anëtarësimin e plotë. Ai argumentoi se një zgjerim i gjerë dhe i shpejtë duket aktualisht i vështirë, sidomos në rastin e Ukrainës.
Ndërkohë, një tjetër çështje që pritet të jetë pjesë e reformave është mbrojtja e shtetit të së drejtës. Komisioni pritet të propozojë mekanizma kundër vendeve që, pasi të anëtarësohen, mund të shkelin në mënyrë sistematike parimet dhe vlerat themelore të Bashkimit Evropian.
Këtu qëndron një nga dilemat kryesore të zgjerimit. BE-ja duhet të bindë jo vetëm vendet kandidate se dera është e hapur, por edhe qytetarët e vendeve anëtare se zgjerimi nuk përbën kërcënim për interesat e tyre.
Por sfida më e madhe mbetet vetë struktura e Bashkimit Evropian.
Eurodeputeti Gozi paralajmëroi se çdo zgjerim i madh kërkon reforma institucionale, veçanërisht për mënyrën e vendimmarrjes, buxhetin, kompetencat e Parlamentit Evropian dhe përdorimin e vetos.
Në këtë kuadër, Shqipëria dhe Mali i Zi shihen si raste më të menaxhueshme për një zgjerim të ardhshëm. Por anëtarësimi i Ukrainës do të ishte testi i vërtetë për kapacitetin e BE-së për t’u zgjeruar.
Problemi nuk është vetëm sa të gatshme janë vendet kandidate për t’u anëtarësuar, por sa e gatshme është vetë Bashkimi Evropian për t’i pranuar.
Një BE me 34 vende do të kërkonte rregulla të reja, reforma institucionale dhe një mënyrë tjetër vendimmarrjeje. Nëse këto reforma vazhdojnë të shtyhen, zgjerimi rrezikon të mbetet më shumë një objektiv gjeostrategjik i deklaruar sesa një proces me afate të qarta.