Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”

Edhe nga fushat e tjera të shkencës ka nga ata që e vlerësojnë figurën e Mehmet Shehut dhe janë të mendimit se ai është vetëvrarë. Historiani Paskal Milo mbron mendimin se Mehmet Shehu ka vrarë veten. Ai e ka parë dhe publikuar 18 vjet më parë përmbajtjen e letrës që Mehmet Shehu i ka dërguar Enver Hoxhës e ku i rrëfente se ka qenë dy herë gati të vriste veten. Sipas Milos, ky është një argument i fortë për të mos diskutuar faktin që Mehmet Shehu u vetëvra më 17 dhjetor 1981 dhe nuk e kanë vrarë, siç pretendohet ende.

“Duket pak paradoksal fakti që Mehmet Shehu paska tentuar të vrasë disa herë veten, ndërsa për gati 36 vjet vazhdon debati e vranë apo u vetëvra Mehmet Shehu? Unë tashmë, me botimin e letrës së vetëvrasjes së Mehmet Shehut, mendoj se i kam dhënë përgjigje shteruese fatit të tij dhe debati “e kanë vrarë apo është vetëvrarë” është rrotulluar në vorbullën e politikës shqiptare për qëllime të tjera. Nuk ka asnjë dyshim që Mehmet Shehu ka vrarë veten. Madje unë edhe këtë material që citon letrën e Mehmet Shehut e ku thuhet se ka tentuar të vrasë veten dy herë e shikoj si argument që ideja e vetëvrasjes së Mehmet Shehut ka ekzistuar që herët, gjatë Luftës dhe pas Luftës. Prandaj ajo që ai bëri më 17 dhjetor 1981 nuk ishte gjë tjetër veçse një ide e ngulitur e tij prej shumë e shumë vitesh, karakteristikë kjo e njerëzve të fortë, por që njëkohësisht lëndohen dhe thyhen shpejt.

Sedra e madhe që kanë dhe ambicia e madhe që kanë, në momentet e dështimit, i çon ata në një gjendje shpirtërore të pakontrollueshme. Nëse e studiojmë me kujdes karakterin e Mehmet Shehut, ai është vërtet një tip ku kombinohen edhe agresiviteti, edhe brutaliteti e njëkohësisht shumë i ndjeshëm. Ai thyhet shpejt. Nëse kemi parasysh Mehmet Shehun njeri, Mehmet Shehun familjar, ai bën kontrast me Mehmet Shehun si ish-komandant brigade apo dhe si politikan. Pra, vihet re qartë kjo dilemë e brendshme e tij në momentet kur është ndodhur në pozitë të vështirë. Në vitin 1947-1948, pas vetëvrasjes së Nako Spirut, ai është ndodhur në një pozitë shumë të vështirë, u keqtrajtua dhe u detyrua të shkojë, siç thonë, edhe në mendime për t’u përgatitur për një rezistencë aktive kundër jugosllavëve dhe Koçi Xoxes. Prandaj nuk duhet të habitemi për çka përmban ky material që i referohet letrës së Mehmet Shehut, e cila nuk ekziston në origjinal në Arkivin e Shtetit referuar ish-arkivit të KQPPSH-së.

Historiani Pëllumb Xhufi ka dhënë mendimin e tij se “Mehmet Shehu, i vetmuar në Byro, u vetëvra nga forca e karakterit.” Xhufi shprehet se Mehmet Shehu kishte arsyet e tij për t’u ndier i lënduar, i fyer nga disa “rishtarë” të Byrosë Politike, pa mend e pa kontribute, që iu turrën si çakalli kërmës me t’u dhënë shenjë Enver Hoxha. “Mehmet Shehu ka qenë një njeri që nuk ishte kokulur. Ka qenë i zgjuar, i ditur, trim si askush, dhe nuk mund të lejonte të bëhej prè e disa njerëzve të padomethënshëm. “Në kushtet e një linçimi moral e politik, ku e mbërtheu Enver Hoxha dhe Byroja Politike e rishtarëve pa personalitet e pa dinjitet, një njeri i tillë ka vetëm dy rrugë: ose të përulet, ose të ikë. Ai preferoi të ikë. Unë nuk do ta mendoja kurrë të vepronte ndryshe Mehmet Shehu. Iku për t’i shpëtuar poshtërimit. Vetëvrasja ishte e vetmja formë që mund t’i jepte zë protestës së tij. Sigurisht, ishte një gjest i fortë, por njëherësh edhe shumë njerëzor.”

Xhufi referohet në vlerësimet e tij edhe te një libër i shkruar nga Mehmet Shehu, por që nuk arriti të botohet. “Mehmet Shehu shkroi një libër para vetëvrasjes. Një vepër për ekonominë botërore, që mbeti nëpër boca. Enver Hoxha e kritikoi rëndë përmbajtjen për idetë properëndimore, antisocialiste etj., ndaj nuk u botua kurrë. Ai ka bërë edhe një përqasje të gjerë mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, duke argumentuar se diversiteti i tyre kish nisur që herët. “Ka shenja që Mehmet Shehu ka dashur një lloj hapjeje nga Perëndimi. Dhe praktikisht ka pasur një lloj hapjeje”. Mehmet Shehu shpeshherë përsëriste një frazë, për të cilën thoshte se është e Leninit: “Komunizmi është idealizmi sovjetik, plus pragmatizmin amerikan”.

Për Xhufin, praktikisht Mehmet Shehu, si njeri i zgjuar që ishte, e kuptonte që ekonomia në socializëm, sidomos në atë formë spartane që u aplikua në Shqipëri, nuk mund të ecte përpara, do të ngecte. Aludohet se ish-kryeministri ka qenë edhe kundër prishjes së marrëdhënieve me Kinën rreth viteve ’76-’77. “Mehmet Shehu normalisht u solidarizua me linjën e partisë dhe Enver Hoxhës, por unë dyshoj se nuk e ka ndier, nuk e ka miratuar në vetvete një hap të tillë”, thotë Xhufi.

”Presidentë, kryeministra, ministra dhe funksionarë të tjerë të lartë partiakë dhe shtetërorë kanë pasur dyshime për motivin zyrtar të vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Tema e ngjarjes me Mehmet Shehun ishte tabu. Asnjeri nuk guxonte të shprehte mendim ndryshe nga versioni zyrtar. Megjithatë, në biseda të çiltra shoqërore, kur binte fjala për Mehmet Shehun, viheshin në dukje kurdoherë meritat e tij si burrë shteti. Nuk përmendeshin akuzat për tradhti dhe veprimtari spiunazhi, të deklaruara në “Tablonë sinoptike…”, hetimin, gjykimin dhe dënimin e grupit komplotist. Ata që kishin punuar bashkë me Mehmetin e kuptonin lehtë se ai ishte eliminuar duke u viktimizuar si edhe të tjerët që kishin humbur besimin e udhëheqësit kryesor dhe konsideroheshin potencialisht të rrezikshëm. Ka edhe nga ata që vlerësonin meritat dhe e vlerësonin ngjarjen si pasojë e karakterit të fortë të ish-kryeministrit që nuk përballoi dot akuzat e rënda që i bëheshin.

Tefta Cami, ish-ministrja e Arsimit dhe Kulturës, pas më shumë se tridhjetë vjetësh, vlerëson kontributin e Mehmet Shehut dhe jep mendimin se ai nuk i përballoi akuzat. Me brezin e politikanëve të rinj të viteve tetëdhjetë filloi të flitej më hapur për disa dyshime për ngjarjen misterioze. Shpreheshin edhe mendime që nuk arrinin të besonin se si ai personalitet me karakter aq të fortë të arrijë të kryejë një akt vetëvrasjeje, të cilin e ka kritikuar dhe dënuar më parë edhe vetë. Në disa biseda konfidenciale diskutohej për masat e rënda që merreshin dhe me ironi theksohej: “Mirë që nuk u arrit deri në vetëvrasje”, duke lënë të kuptohet se nuk u arrit derisa të eliminohet fizikisht.

Sali Berisha deklaron në vitin 2007 për vrasjen e Mehmet Shehut. Sali Berisha, në një intervistë në emisionin Komiteti, që transmetohet në RTV Dukagjini, argumenton mendimin e tij për përgatitjet për arrestimin e Ismail Kadaresë dhe deklaron edhe mendimin për vrasjen e Mehmet Shehut, nuk përsërit cilësimin e bërë për vetëvrasje: … “Bënë një plenum pas vrasjes së Mehmet Shehut me të cilin përgatitën arrestimin e tij, dhe nuk e arrestuan dot sepse qe ndërhyrja kategorike e Miterrand dhe e qeverisë franceze, e cila i çoi një mesazh tronditës Enver Hoxhës se nëse do ta arrestoni, do ketë pasoja të rënda. Tri javë rresht para ambasadës shqiptare në Paris pati protestë të intelektualëve francezë me librat e Ismailit në duar. Kështu që po përgatitej arrestimi i tij nga Enver Hoxha dhe Ramiz Alia. U bë plenumi i Lidhjes së Shkrimtarëve ku e damkosën, duke i thënë se mos kujto ti se nuk e dimë ne që “Pallati i Ëndrrave” nuk është Komiteti Qendror i Partisë. Donin ta godisnin, por nuk e goditën dhe i detyrohemi shumë Francës për këtë. Po ta godisnin, Ismaili e thotë diku, se shkrimtari është mbret në letra, kjo është trimëria e shkrimtarit. Nëse Ismaili burgosej, edhe mund të vazhdonte të shkruante, por edhe mund të mos shkruante asnjë fjalë. Në këtë kontekst unë mendoj se nëse realizmi socialist ishte virus shkatërrimtar i identitetit kombëtar, Ismaili ia doli të shkëpusë një pjesë të krijimtarisë së tij nga realizmi socialist. Me realizmin socialist synohej të atakohej identiteti kulturor, identiteti i shqiptarit.

Alfred Moisiu ka dyshuar për akuzat e vetëvrasjes. Alfred Moisiu rrëfen se si e ka njohur ish-kryeministrin Mehmet Shehu në Ministrinë e Mbrojtjes. Moisiu ka punuar rreth shtatë vjet me Shehun dhe ka qenë dhe zëvendësministër i Mbrojtjes në një periudhë mjaft delikate në atë dikaster pas dënimit të grupit të gjeneralëve. “Fillimisht unë isha jo shumë i pranueshëm për të. Kjo jo se më njihte, por thjesht nga marrëdhëniet jo shumë të mira që kishte pasur, si gjatë luftës edhe më pas, me gjeneral Spiro Moisiun. Kur ai erdhi si ministër i Mbrojtjes, unë isha Drejtor i Xhenios në Ministrinë e Mbrojtjes, që nga viti 1971”, tregon Moisiu në një intervistë për “Dita”.

Ai tregon edhe për klanin e Enver Hoxhës dhe të Shehut gjatë kohës kur qeverisnin së bashkë dhe flet për një ngjarje të ndodhur në vitin 1974. “Më kujtohet një fillim tetori i 1974-s, kur në një pasdite u bë një mbledhje urgjente e Shtabit të Përgjithshëm, që në fakt ishte parathënie e zgjerimit të goditjes në ushtri. Ndër të tjera u pa se zbërthimin e thënies së Enverit më qartë e përsëriti Mehmet Shehu: “Beqir Balluku nuk mund ta kryente punën e tij armiqësore në ushtri i vetëm”. Kjo shprehje e thënë nga Mehmeti na befasoi të gjithëve, sepse menduam se tani kujt do t’i bjerë radha e goditjes. Për të gjithë ne qe befasuese goditja ndaj dy gjeneralëve kryesorë të ushtrisë. Petrit Dumja njihej si i preferuari i Mehmet Shehut, kurse Hito Çako njihej si i preferuari i Hysni Kapos. Në fakt një kahje e tillë e zhvillimeve atë ditë tregoi se letrat në tryezë po ngatërroheshin keq. Kjo tregonte se përzgjedhja e viktimave kryesore përcaktohej nga Enver Hoxha dhe askush tjetër”, tregon Moisiu.

Alfred Moisiu gjithashtu thekson se akuzat ndaj ish-Kryeministrit ishin të sajuara dhe shumë prej tyre dolën pas vetëvrasjes. “Këto ishin thënie të sajuara, sikurse për gjithë rastet e tjera dhe sidomos këto dolën pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Qesharake ishte kur dëgjoje se ai në Luftë nuk kishte qenë trim, por frikacak. Në heshtje, jo vetëm unë, por askush nuk i besonte ato broçkulla që thuheshin për të, ama, sikurse dihej, nuk ishte pa rrezik të dilje kundër atyre që thuheshin nga Diktatori. Enver Hoxha e kishte bërë si metodë se kur donte ta dënonte një njeri, e shpallte armik. Aq ishte kjo e njohur saqë pas dënimit të Kadri Hazbiut u fol se Myslim Peza kishte thënë: “More, po të gjithë armiq i paska pasur kjo parti!”