Aktualitet
MURTAJA GODIT BAGËTITË/ Mbi 700 krerë asgjësohen në Lepenicë
Murtaja e Ruminantëve të Vegjël, një sëmundje që prek bagëtitë e imëta, është shfaqur në Lepenicë të Selenicës, duke prekur disa ferma të zonës.
Sipas fermerëve, shenjat e para të sëmundjes janë konstatuar në fund të muajit gusht, ndërsa gjatë dy javëve të para të shtatorit ajo është përhapur në katër ferma. Mbi 700 krerë bagëti janë asgjësuar si masë për përballimin e situatës.
Blegtorët, të cilët prej vitesh merren me rritjen e bagëtive, thonë se nuk janë përballur më parë me një situatë të tillë. Ata tregojnë se si u shfaqën rastet e para dhe më pas sëmundja u përhap në disa ferma të fshatit, duke shkaktuar pasoja të konsiderueshme për aktivitetin e tyre dhe të ardhurat e familjeve.
Fermerët e konsiderojnë situatën veçanërisht të rëndë për ekonominë e tyre, pasi asgjësimi i bagëtive sjell humbje të drejtpërdrejta për fermat.
Nga ana tjetër, Drejtoria e Bujqësisë dhe Veterinarisë në Vlorë thotë se janë marrë masat për asgjësimin e kafshëve të prekura, ndërsa situata vijon të monitorohet nga strukturat veterinare.