Connect with us

Bota

Ndryshon fati i luftës/ Suedia ofron deri në 150 luftarakë të avancuar për Ukrainën

Suedia është e gatshme t’i shesë Ukrainës deri në 150 avionë luftarakë të tipit Saab Gripen-E, një nga platformat më moderne të fluturimit në arsenalin e NATO-s, sipas raportimeve të Reuters dhe CNN.

Ky është ofrimi i parë i madh i avionëve luftarakë nga një vend anëtar i Aleancës Atlantike për Kievin, që kërkon të modernizojë flotën e tij të vjetër ajrore.

Marrëveshja, e nënshkruar të mërkurën në Stokholm nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe kryeministri suedez Ulf Kristersson, është një “letër mirëkuptimi”, që do të pasohet nga negociata për kushtet, kostot dhe afatet e dorëzimit të 100 deri në 150 avionëve Gripen-E.

Në një deklaratë të përbashkët, të dy liderët theksuan rëndësinë historike të këtij hapi.

“Po hapim një kapitull tërësisht të ri dhe thelbësor në marrëdhëniet mes Ukrainës dhe Suedisë, dhe më gjerë, në sigurinë e Evropës”, tha Zelensky në një postim në X. “Këta janë avionë shumë të fuqishëm, platforma ajrore moderne që mundësojnë një gamë të gjerë operacionesh”.

Kryeministri suedez Ulf Kristersson deklaroi se bashkëpunimi ushtarak me Kievin “do të forcojë jo vetëm Ukrainën, por edhe Suedinë dhe Evropën”.

Suedia dhe Finlanda iu bashkuan NATO-s në vitin 2024, duke i dhënë fund dekadave të neutralitetit ushtarak.

Vendimi për t’u anëtarësuar u nxit nga pushtimi rus i Ukrainës në shkurt 2022, që ndryshoi ndjeshëm perceptimin e sigurisë në rajonin nordik.

Që nga nisja e luftës, Ukraina ka kërkuar me ngulm avionë të rinj luftarakë për të balancuar epërsinë ajrore të Rusisë.

Flota e saj aktuale përbëhet kryesisht nga avionë sovjetikë MiG dhe Su, ndërsa ndihma perëndimore ka sjellë disa modele të përdorura F-16 dhe Mirage, që nuk kanë qenë të mjaftueshme për të ndryshuar situatën në front.

Ekspertët ushtarakë vlerësojnë se Gripen-E është një zgjedhje ideale për kushtet e Ukrainës, pasi ky model është lehtë i mirëmbajtshëm, ekonomik dhe mund të ngrihet edhe nga pista jo konvencionale, përfshirë rrugë automobilistike apo terrene të përkohshme.

Advertisement